VOA: Shumica dërrmuese e deputetëve të PD unifikojnë qëndrimet

Në Tiranë, shumica dërrmuese e deputetëve demokratë u bënë sot bashkë, për të unifikuar siç u deklarua, qëndrimet e tyre në parlament kundër qeverisë së Kryeministrit Edi Rama. Në takim, pas gati dy vjetësh konflikti të hapur, u ulën rreth së njejtës tavolinë deputetët që përkrahin Gazmend Bardhin dhe ata që mbështesin ish Kryeministrin Sali Berisha. Takimi duket se ishte një kundërpërgjigje ndaj kuvendit të thirrur fundjavën e shkuar nga kryetari demokrat Lulzim Basha dhe vendimit për t’i hequr zotit Bardhi drejtimin e grupit parlamentar.

Pasi deri dje ishin përplasur mes tyre, kishin treguar me gisht njëri tjetrin se kush ishte përgjegjës për përçarjen e opozitës, se cili ishte më shumë i korruptuar apo i blerë nga Kryeministri Edi Rama, sot shumica dërrmuese e deputetëve të dalë nga lista e Partisë Demokratike në zgjedhjet e prillit të vitit 2021, u ulën së bashku.

Në njërën anë të tavolinës ishin ata që përkrahin zotin Gazmend Bardhi, i cili vitin e fundit kishte mbajtur kreun e grupit parlamentar. Përballë, mbështetësit e zotit Berisha, të cilët nuk ja kishin njohur këtë rol zotit Bardhi, përsa kohë ai shihej si pjesë e trashëgimisë së zotit Lulzim Basha.

Në të kaluarën, disa përpjekje afrimi mes palëve kishin dështuar mëse një herë. Por krisja mes zotit Bardhi dhe zotit Basha, që kulmoi me rikthimin e këtij të fundit në krye të Partisë, duket se lehtësoi paqen.

Në fillim të takimit zoti Bardhi u kujdes të vinte në dukje se “duke ruajtur dhe respektuar qëndrimin apo mendimin individual të secilit prej kolegëve për zhvillimet apo debatet e brendshme në kampin opozitar, ndaj bindjen besoj me shumicën prej jush që kjo nuk do të na pengojë që sot të unifikojmë një qëndrim të aksionit tonë opozitar kundër keqqeverisjes së Edi Ramës duke e nisur me një agjendë të përbashkët parlamentare”.

Veçanërisht i kënaqur me takimin e sotëm u duk ish Kryeministri Sali Berisha.

Gjatë sesionit të shkuar parlamentar, ai nuk arriti të kishte kontrollin e grupit, dhe mbështetësit e tij ishin përjashtuar nga Partia Demokratike.

Tani ai i gëzohet faktit se zoti Basha ka mbetur me një numër të reduktuar deputetësh, ndërkohë që duket se tek takimi i sotëm, sheh diçka përtej dhe vetëm unifikim të qëndrimit kundër qeverisë socialiste.

“Mendoj se ky ishte një hap i parë shumë i rëndësishëm në një proces të pandalshëm, i cili do të ju japë përgjigje të gjitha problemeve të cilat janë të pamohueshme që u krijuan, por që marrin në këtë frymë, zgjidhjen më të mirë”, deklaroi zoti Berisha pas mbledhjes.

Për zotin Basha, cilido që ka vendosur t’i bashkohet ish Kryeministrit Berisha nuk mund të flasë në emër të Partisë Demokratike: “Dua ta them fare hapur, unë nuk do të lejoj askënd, të luajë me interesat politike te Partisë Demokratike, që kërkon të çojë demokratët symbyllurazi në hullitë e non-gratave sepse ne hymë në këtë betejë për të mbrojtur interesat e Partisë Demokratike si interesat euro-atlantike jo thjeshtë të demokratëve por të shqiptarëve. Për ata që kanë vendosur t’i trafikojnë këto vlera në këmbim të komoditetit të rremë politik apo personal; udha e mbarë i qoftë në bunkerin anti-amerikan. Partinë Demokratike nuk e dëmtojnë më”, u shpreh ai gjatë një takimi me drejtuesit e degëve të Partisë Demokratike.

Të dyja palët sot u angazhuan për të kërkuar ngritjen e Komisioneve të ndryshme hetimore që lidhem me afera sipas tyre korruptive të qeverisë, ndërkohë që mbetet ende e hapur çështje e drejtimit të grupit parlamentar demokrat.

Kuvendi i thirrur nga zoti Basha ia la këtë të drejtë atij. Por sipas zotit Bardhi, rregullorja e parlamentit, ia njeh këtë atribut vetë deputetëve, të cilët, janë më të shumtë, në krah të tij.

 

About Redaksia

Check Also

Eurostat:1.1 milionë shqiptarë u larguan nga vendi në 10 vite, Berisha-Ramës:Shpopullimi krimi yt madhor

Sali Berisha Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, ju misionarëve të pamposhtur të lirisë, dinjitetit, …

Leave a Reply