Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi sot se mandati i fituar nga Benet Beci në Shkodër në zgjedhjet lokale të 14 majit, qëndron në këmbë falë kontributit të bandës së Pëllumb Gjokës.
Deklaratën ai e bëri gjatë konferencës së përjavshme për mediat, teksa u shpreh se nga telefonatat e përgjuara, përmes aplikacionit SKY ECC, një numër i madh i tyre bëheshin nga kryeministria.
“Drekat dhe darkat e Ramës me Pëllumb Gjokën i njeh Shkodra, Tirana dhe gjithë Shqipëria. Edhe akordimi i statusit të investitorit strategjik të Pëllumb Gjokës mbi një tokë të grabitur me vrasje, mbi një tokë të rrëmbyer në kundërshtim të vendimit të gjykatës, vetëm e vetëm për shkak të mbështetjes së Ramës. Shqiptarët kuptojnë tani pse u emërua Balla ministër. Ai është një nga personazhet kryesorë të bisedimeve që erdhën. Ai plaçkiti të dhënat e TIMS. Ju lexoni që një nga aktet më kriminale të krimit të organizuar shtetëror është manipulimi i dosjeve, fshehja e të dhënave, zhdukja e provave. Behar Bajri ishte i burgosur në Tiranë. Një prokuror e kishte arrestuar atë në Shkodër, por prokurorët e SKAP me urdhër të Ramës, e shpallën atë jashtë kompetencave të tyre sepse nuk ishte organizatë kriminale. Nuk ka gjë më qesharake dhe të turpshme sesa të thuash që grupi i Bajrit nuk ishin organizatë kriminale”, deklaroi Berisha.
Sipas tij “Mandati i Shkodrës është mandat mbi krimin. Ky është një akt tmerrësisht i rëndë, të cilin qytetarët e Shkodrës nuk do ta pranojnë kurrë. Karrigia e atij që është instaluar në Bashki qëndron mbi bandat e Gjokës. Zëdhënësi i krimit i mashtroi shqiptarët kur tha se policia kontribuoi. Ky shpalli Parisin, por francezët nuk e treguan vendin se ku e kishin kapur. Ata e arrestuan në Strasburg. çfarëdo që të thotë Balla nuk mund të diskretitohet më shumë se ç’është. Nga këto telefonat e kriptuar, dendësia më e madhe ka qenë në kryeministri. Jane kriptuar 8 mijë telefona në Shqipëri dhe 7 mijë në Europë”.