Ditë pas dite, java e 11 shtatorit 2001

E dielë, 9 shtator 2001

Komandanti Ahmed Shah Massud, kreu i opozitës afganase ndaj regjimit të talibanëve, është viktimë e një atentati. Dy gazetarë falsë, që e kishin bërë të besonte se qenë të dërguar të një agjencie shtypi me qendër në Londër, e hedhin në erë videokamerën e tyre gjatë një interviste me “Luanin e Panshirit”. Sipas informacioneve të para, Massud është i plagosur tek këmbët; burime të tjera flasin për plagë në kokë dhe e quajnë të rëndë gjendjen e komandantit.

E hënë, 10 shtator

Talibanët e hedhin poshtë çdo implikim në atentatin vetëvrasës kundër Massud dhe nisin një ofensivë të dhunshme kundër forcave të opozitës.

E martë, 11 shtator, ora 7 e 59 minuta

Një Boeing 767 i kompanisë ajrore amerikane American Airlines, fluturimi AA11, ngrihet nga aeroporti i Boston i drejtuar për Los Angeles. Komandant është John Ogonowski. Bashkë me të janë një ekuipazh prej 10 anëtarësh dhe 81 pasagjerësh. Kushtet e fluturimit, deklaron kulla e kontrollit të Boston, janë ideale.

Ore 8 e 1 minutë

Fluturimi 93 i kompanisë ajrore United Airlines ngrihet nga Newark i shtetit New Jersey – një prej aeroporteve të New York – i drejtuar për në San Francisco. Në bord janë 45 persona, sidomos biznesmenë.

Ora 8 e 10 minuta

Fluturimi 77 i kompanisë American Airlines, që lidh Uashingtonin me Los Angeles, ngrihet nga aeroporti i Dulles me në bord 64 persona.

Ora 8 e 14 minuta

Fluturimi 175 i kompanisë United Airlines, që lidh Boston me Los Angeles, ngrihet rregullisht. Në bord janë 65 persona. “Boston Herald” do të tregojë më pas se midis tyre qenë edhe dy vëllezër me pashaportën e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ora 8 e 15 minuta

Fluturimi AA11 e modifikon papritur rrugën e tij: fillimisht kthehet drejt veriut të Boston, më pas niset drejt jugut në drejtimin Manhattan. Kulla e kontrollit të Boston kupton se avioni nuk kontrollohet më nga ekuipazhi. Pasi kanë goditur disa anëtarë të ekuipazhit, terroristët hyjnë në kabinën e komandimit dhe marrin kontrollin e fluturimit. “Mos bëni budallallëqe. Nuk do t’ju bëjmë keq. Kemi shumë avionë”, janë fjalët e fundit të kapura nga kulla e kontrollit. Pastaj kontakti është ndërprerë. Fluturimi shkon drejt New York: kulla veriore e World Trade Center është në trajektoren e tij.

Ora 8 e 47 minuta

Edhe fluturimi Boston – Los Angeles i United Airlines kidnapohet. Pasi ka kaluar mbi New Jersey, avioni kthehet papritmas drejt jugut dhe drejtohet për në kullën e jugut të World Trade Center.

Ora 8 e 48 minuta

Fluturimi AA11 përplaset mbi kullën e veriut të World Trade Center, me 540 kilometra në orë. Katet e larta të kullës, ku ndodhet edhe restoranti “Windows on the World”, mbërthehen nga tymi. Shpërthen një zjarr, e gjithë godina dridhet, por janë pak ata që e kuptojnë se çfarë ka ndodhur. Një minutë pas impaktit, CNN nis ransmetimet direkte nga Manhattan.

Ora 9 e 3 minuta

Ndërsa televizionet e të gjithë botës fillojnë të përcjellim pamjet direkte të zjarrit të parë, një avion i dytë përplaset kundër kullës jugore të World Trade Center. Dhjetëra njerëz hidhen nga katet e larta pre e panikut. Skuadrat e zjarrifkësave hyjnë në dy ndërtesat për të shpëtuar të mbijetuarit. Bursat e të gjithë botës janë të parat që reagojnë: ajo e New York që e ka selinë pak larg nga Kullat Binjake nuk do të hapet fare.

Ora 9 e 31 minuta

Nga Sarasota e Florida, ku gjendet për vizitë në një shkollë, presidenti amerikan George W. Bush shfaqet në televizion. “Sot jetojmë një tragjedi kombëtare”, deklaron ai. “Dy avionë janë përplasur mbi World Trade Center. Ka mundësi që të bëhet fjalë për një akt terrorist kundër vendit tonë”.

Ora 9 e 45 minuta

Panik në Uashington. Fluturimi 77 i American Airlines përplaset mbi Pentagon, në krahun perëndimor të ndërtesës ku punojnë më shumë se 23000 persona. Përpara përplasjes komentatorja e CNN Barbara Olson, që është midis pasagjerëve, paralajmëron në celular të shoqin, këshilltar i Shtëpisë së Bardhë, për kidnapimin e avionit. Sekretari i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, transferohet në një bunker nëntokësor. Menjëherë më pas evakuohen Shtëpia e Bardhë, Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve.

Ora 9 e 49 minuta

Pezullim i menjëhershëm i të gjitha fluturimeve tregëtare në Shtetet e Bashkuara, për herë të parë në historinë e vendit. Fluturimet ndërkombëtare për në Shtetet e Bashkuara devijohen drejt Kanadasë. Evakuohen aeroportet e Los Angeles dhe San Francisco.

Ora 9 e 55 minuta

Kulla jugore e World Trade Center shembet, duke marrë me vete mijëra persona që gjenden akoma brenda saj. Fluturimi 93 i United Airlinesi drejtuar për San Francisco përplaset në fshatrat e Pennsylvania. Sipas disa dëshmive të ardhura nga avioni nëpërmjet celularëve, disa pasagjerë i kanë penguar tre kidnapuesit që ta drejtojnë fluturimit kundër një objektivi tjetër, ndoshta Shtëpisë së Bardhë.

Ora 10 e 29 minuta

Shembet edhe kulla veriore, World Trade Center, dy qiellgërvishtëse 110 katëshe të larta 420 metra, zhduket nga panorama e Manhattan. Pallatet e afërta janë në rrezik: dy do të shemben pak orë më pas; të tjera evakuohen dhe mund të shemben çast pas çasti.

Ora 11

Rudolph Giuliani, kryebashkiak i New York, jep urdhër të evakuohet pjesa jugore e Manhattan. Nuk bëhen akoma vlerësime për të vdekurit, por televizioni kujton se të paktën 50000 persona çdo ditë shkojnë për të punuar tek kullat. Organizohen ndihmat e para dhe formohen radhët e gjata të vullnetarëve që dhurojnë gjak për të plagosurit. Dyqanet ushqimore vihen nën sulm. Shkolla, muzeume, dyqane mbyllen.

Ora 13 e 30 minuta

Air Force One, avioni presidencial me George W. Bush në bord, nuk kthehet në Uashington, por duke ndjekur planet e alarmit maksimal vazhdon të fluturojë për të mos qenë shënjestër e terroristëve. Nga jashtë vijnë mesazhe solidariteti për Uashingtonin. Të parët që mobilizohen janë qeveritë europiane, presidenti rus Vladimir Putin dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan. Qeveria kubaneze ofron ndihma mjekësore dhe humanitare, ashtu si qeveria kineze dhe të gjitha vendet arabe me përjashtim të Irakut. Kryeministri izraelian Ariel Sharon mbyll kufijtë me Egjiptin dhe Cisjordaninë. Lideri palestinez Yasser Arafat i quan atentatet “një krim kundër njerëzimit”. Me lajmin për atentatet, skena gëzimi në Territoret e Pushtuara palestineze dhe në pjesë të ndryshme të botës islamike.

Ora 20 e 33 minuta

Presidenti kthehet në Uashington dhe nga Shtëpia e Bardhë njofton amerikanët: “Do të bëjmë drejtësi, pa dallim midis terroristëve dhe atyre që i mbrojnë”.

E mërkurë 12 shtator, ora 8 (ora e Tokios)

Për shkak të diferencës orare, Banka Qendrore e Japonisë është e para që vë në praktikë strategjinë financiare të konkorduar nga institutet e mëdha financiare të planetit. Për të penguar rënien e tregjeve, Tokio hedh rretj 2000 miliard jen (18 miliard euro), duke frenuar rënien e treguesit NIKKEI. Në Europë, BQE bën të njëjtën gjë me 69 miliard euro, në pritje të një hedhjeje tjetër prej 50 miliard dollarësh të premtuar nga presidenti i Federal Reserve amerikane, Alan Greenspan. Atentatorët e kanë një emër. Botohet fotoja e njërit prej terroristëve të supozuar të identifikuar nga FBI: është Mohammed Atta, 33 vjeçar, që kishte marrë patentën e fluturimit në Florida. 7000 agjentë federalë janë të përfshirë në hetime. Arrestimet e para në Florida dhe në Hamburg të Gjermanisë. Kërkohen mbështetësit e kidnapuesve. Episodet e para të zemërimit antiislamik në Shtetet e Bashkuara: një dyqan ushqimor i menaxhuar nga një pakistanez në Long Island i vihet flaka; sikhë rrihen në Manhattan; në Chicago, qindra persona manifestojnë kundër një xhamie; në mbrojtjen e tij agresori i një gruaje pakistaneze deklaron: “E kam bërë për shtetin tim”.

Ora 12 e 30 minuta

Presidenti Bush i quan sulmet ndaj Uashingtonit dhe New York “akte lufte”. Sekretari i Shtetit Colin Powell kërkon  “një përgjigje të koordinuar dhe të plotë nga ana e shoqërisë perëndimore”. NATO njofton aplikimin e Nenit 5 e Traktatit të Aleancës, sipas të cilit një sulm kundër njërit prej anëtarëve të saj konsiderohet si një sulm kundër të gjitha vendeve të Aleancës.

E enjte, 13 shtator

Thuajse të gjithë pëernidmorët evakuohen nga Kabuli. Kryeqyteti i Afganistanit është një prej objektivave të mundshëm të reagimit amerikan: gjatë një konference për shtyp, Colin Powell tregon për herë të parë Usama bin Laden si të dyshuarin kryesor. Kreu suprem i talibanëve, Mullah Omar, refuzon çdo akuzë të përfshirjes dhe tenton ta shfajësojë bin Laden.

Ora 12

Rihapet trafiku ajror në Shtetet e Bashkuara.

Ora 16 e 30 minuta

Dy burra e një grua, të imbarkuar në një fluturim të American Airlines në pritje për t’i ngritur nga aeroporti JFK i New York, ndalohen. Arrestime të tjera në aeroportin e Los Angeles. Njëri prej të ndaluarve, në posedim të një patente fluturimi, ka një biletë të vetme fluturimi të vlefshme për 11 shtator, ditën e atentateve. Fluturimi ishte anulluar në momentin e fundit. Persona të tjerë ndalohen në aeroportin La Guardia të New York.

Ora 19 e 30 minuta

Bilanci i parë i viktimave në Pentagon: 190 të zhdukur, kundrejt 800 që qenë njoftuar në një moment të parë. Zëvendëspresidenti Dick Cheney transferohet për masë paraprake në Camp David. Të gjitha manifestimet kulturore dhe sportive në vend pezullohen. Rikuperohen kutitë e zeza të fluturimit të rrëzuar në Pennsylvania dhe të atij që ka goditur Pentagonin.

E premte, 14 shtator

Ditë kombëtare “zije dhe lutjesh” në Shtetet e Bashkuara. Drejtuesit politikë të vendit (të pranishëm ish presidentët Bush senior, Clinton, Carter dhe Ford) bashkohen në katedralen e Uashingtonit për meshën në nderim të të rënëve. Në Europë tre minuta heshtje për të kujtuar viktimat e atentateve.

Ora 15

Kongresi miraton caktimin e 40 miliard dollarëve për ndihma urgjence në zonat e goditura: gjysma e fondeve do të përdoret në New York. Me unanimitet, senatorët adoptojnë një rezolutë që autorizon presidentin Bush të “përdorë forcën e nevojshme dhe të duhur”. 50000 rezervistë të forcave të armatosura mund të rithirren (gjatë Luftës së Gjirit në vitin 1991 i thirrën 265000). Rihapen tre aeroportet e New York.

Ora 16

George W. Bush mbërrin midis ndihmuesve që rrëmojnë në World Trade Center, tre ditë pas atentateve. Në një konferencë për shtyp Colin Powell kërcënon qeverinë e Kabulit: “Nuk mund t’i ndanit aktivitetet e juaja nga ato të kriminelëve që mirëprisni”. Ndërkaq, pesë ditë pas atentatit, përhapet lajmi i vdekjes së Ahmed Shah Massud: njoftimi jepet nga zëdhënësi i opozitës afganase.

(Ky artikull është botuar më 21 shtator 2001 në gazetën franceze “Le Monde”)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

About Redaksia

Check Also

8 vite nga shenjtërimi i Nënë Terezës

Si sot 8 vjet më parë, më 5 shtator 2016, Nënë Tereza,  fituese e çmimit …

Leave a Reply