Emigrantët sollën 444 milionë euro në 6 mujorin e parë të vitit, shifër rekord

Paratë që emigrantët sjellin te të afërmit kanë shënuar një rekord historik, të paktën që nga viti 2008, kur raportohen të dhënat nga Banka e Shqipërisë.

Sipas Bankës, në 6-mujorin e parë të vitit, dërgesat e emigrantëve arritën në 444 milionë euro, me një rritje prej 18% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ky nivel është 5.3% më i lartë edhe se janar-qershori i 2019-s, që deri tani mbante rekordin me 424 milionë euro.

Pas atij viti, dërgesat filluan të binin vazhdimisht, duke reflektuar largimin gradual të emigrantëve nga vendi mëmë që zakonisht ndodh pas 15-20 viteve, teksa ata krijojnë familjet e tyre dhe i shkëpusin gradualisht lidhjet me vendin mëmë.

Por, që nga viti 2017, remitancat filluan sërish rritjen, në linjë me ciklin e ri të emigracionit (në vitin 2016 u shënua dhe një nivel rekord i kërkesave për azil në rreth 60 mijë).

Pas një reduktimi deri në 2020-n, i ndikuar dhe nga pandemia, 2022-shi shënoi një kulm të ri emigracioni, ku kërkesat për azil i kërkuan 30 mijë, pjesa më e madhe e të cilëve në Mbretërinë e Bashkuar.

Në kanalet e reja në vitet e fundit, krahas atyre tradicionale si Italia e Greqia ishin dhe Franca, Gjermania e Mbretëria e Bashkuar.

Burime nga operatorët vendas të transferimit të parave thanë se Gjermania dhe Anglia janë korridore të reja, në raport me tradicionalet, dhe kanë një ecuri më të mirë në trendin e dërgimit të parave tek të afërmit e tyre në Shqipëri.

Të dhënat e tjera të Eurostat tregojnë se popullsia shqiptare që jeton jashtë vendit sa vjen e po rritet, çka po mban në këmbë dhe remitancat.

Sipas Eurostat, në 2022 rreth 74 mijë shtetas shqiptarë (73,858) morën leje qëndrimi në një nga vendet e BE-së. Në krahasim me një vit më parë, numri i lejeve është rritur me 34%.

Ndërkohë, kjo është shifra më e lartë e konstatuar që nga viti 2010, duke treguar qartë një tendencë të shtimit të personave që lënë vendin me synimin për të jetuar dhe punuar në një nga shtetet e Bashkimit Europon.

Që nga viti 2008, kur raportohen të dhënat më të hershme të Eurostat, vendet e Bashkimit Europian kanë dhënë gjithsej 832 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë.

Kjo shifër është gati sa një e treta e popullsisë që raportohet se jeton në Shqipëri (Censi që do e tregojë saktë numrin e personave që kanë mbetur në vend po zhvillohet këtë vit)./MONITOR

About Redaksia

Check Also

“SIGAL UNIQA”, pjesë e Piramidës së Tiranës/ Ponari: Lokacioni më i ri i inovacionit në sigurime dhe edukimit financiar

“SIGAL UNIQA Group Austria” prej 25 vjetësh tashmë është kryefjala e sigurimeve në Shqipëri dhe …

Leave a Reply