Deputetja e PD, Ina Zhupa i është drejtuar zyrtarisht UNESCO-s që Gjiri i Gramës në Shqipëri duhet të futet në listën e pasurive të Trashëgimisë Botërore të mbrojtura nga UNESCO. Zhupa ka publikuar sot argumentet e saj për këtë kërkesë.
“Gjiri i Gramës meriton të futet në Listën e Pasurive të Trashëgimisë Botërore të mbrojtura nga UNESCO. Me një kërkesë zyrtare të datës 10 shtator 2023 i jam drejtuar Drejtorit të Qendrës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Paris për të konsideruar futjen e Gjirit të Gramës në pasuritë botërore UNESCO.
Kërkesën e kam shoqëruar me një Deklaratë të Vlerave të Jashtëzakonshme Universale të Gjirit të Gramës, të mbështetur në kriteret e posaçme të nominimit, si dhe me përshkrimin e integritetit, autenticitetit dhe rrezikut iminent të Pasurisë.
Sipas një studimi të Profesor Neritan Cekës, në Gjirin e Gramës ka me qindra inskriptime të gdhendura qysh në shekullin e VI para erës së re, kur Gjiri përdorej si gurore, dhe në vijim, ku personalitete të shquara, detarë e udhëtarë të tjerë, ndaleshin aty për të shmangur stuhitë jo të rralla të Kanalit të Otrantos, duke na lënë edhe sot e gjithë ditën “kartëvizitat” e tyre të gdhendura në shkëmb.
Të gjithë shqiptarët fitojnë nëse Gjiri i Gramës renditet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Kjo kërkesë u bë pas denoncimit publik të gazetarit Blendi Fevziu, mbi vandalizmin dhe shkatërrimin e mbishkrimeve në Gjirin e Gramës, e ndjeva për detyrë që vec bashkimit me denoncimit të bëja diçka si deputete e qarkut Vlorë. Dhe i jam falenderuese Z.Fevziu që po sensibilizon opinionin publik dhe institucionet në mbështetje të kësaj kërkese.
Ministria e Kulturës, Elva Margariti, e ka treguar me kohë që nuk ka ndonjë interes në mbrojtjen e trashëgimisë tonë kulturore, nëse nuk i shikon si burim koncesioni.
Ndaj u drejtohem me një thirrje publike për mbështetje të propozimit, Ministrit të ri të Jashtëm z. Igli Hasani, Ambasadores në UNESCO znj. Besiana Kadare për të ecur përpara me këtë kërkesë. Si dhe personaliteteve të tjera shqiptare, figurave publike për një sensibilizim pozitiv të institucioneve për ta ndjekur këtë çështje”.