Deputeti i PD, Edmond Spaho foli me tone të ashpra në Komisionin e Ekonomisë dhe denoncoi se lojërat e fatit janë aktivitet i kapur nga mafia. Ai tha se shumë deputetë kanë aktivitete të lojërave të fatit, ndërsa akuzoi dhe policinë se është e implikuar.
“Më pëlqeu fjala juaj zoti kryetar (ironizon Shalsin), por po luajmë një teatër të madh këtu. I vetmi element që lidh gjendjen këtu në Shqipëri me jashtë, është se edhe andej organizohen lojëra fati. Këdo të marrësh shembull, por andej ka shtet dhe shteti i kontrollon. Edhe andej ka rrjedhje, por këtu nuk i kontrollon, se është palo shtet. Nuk po diskutoj ‘koha juaj, koha jonë’. Ju i mbyllët dhe nuk jeni në gjendje që t’i kontrolloni. Po pranoni se keni falimentuar me kontrollin e lojërave të fatit. Ju mburreni dhe e thoni vetë atë të Enverit. Ai i linte 200 veta atje të luanin, se e dini vetë se si i bënte. Ligj kishim dhe para 2018-ës, nuk ka qenë aktivitet pa ligj.
Duke pasur ligj arritëm në konkluzionin se duhen mbyllur. Sporti është preteksti. Në kushtet e Shqipërisë është aktivitet kriminal. Kush thotë të kundërtën, gënjen, ose është pro mafias. Ky aktivitet është i kapur nga mafia. Politikanë shqiptarë merren me lojëra fati, një numër i konsiderueshëm i deputetëve kanë aktivitet të lojërave të fatit. Ju e dini se cili koleg ka lojëra fati. Ju duhet t’i ndaloni, por nuk ngriheni. Këtu është e bashkuar dhe policia. Me lojëra fati blihet policia, drejtorë policie. I ka nxjerrë media. Lexo se sa komisarë policie janë kapur duke u blerë nga pronarë të lojërave të fatit. Kapi ti se je në krye të qeverisë, unë ngre zërin”, tha Spaho.