DEKLARATË PËR MEDIA E PËRFAQËSUESIT PËR ÇËSHTJET LIGJORE DHE ZGJEDHJET NË PD, IVI KASO
Prej dy vitesh tashmë, gjykatat e Shqipërisë me urdhrin politik të Edi Ramës e kanë marrë peng përfaqësimin formal të opozitës shqiptare.
Edi Rama është investuar personalisht për këtë çështje, siç dëshmoi edhe dosja McGonigal, duke ndikuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe të institucioneve zgjedhore. Me sa duket “pre” e interesit të kryeministrit ka rënë edhe Gjykata e Lartë.
Pasi Gjykata e Apelit, duke mbyllur sytë dhe ulur kokën, mori vendimin e turpshëm për ta zvarritur pafund këtë çështje, ne ankimuam menjëherë këtë vendim pranë Gjykatës së Lartë, në datë 15 maj 2023. Sipas afateve të shqyrtimit, Gjykata e Lartë duhet të kishte marrë një vendim brenda datës 25 qershor 2023.
Sot, kanë kaluar 4 muaj dhe nuk ka ende asnjë indicje se kur Gjykata e Lartë do të mblidhet për të dhënë vendim; i cili është me interes shumë të lartë publik.
Shtyrja në kalendat greke e kësaj çështjeje nga ana e Gjykatës së Lartë i intereson vetëm atyre që duan që opozitën ta mbajnë virtualisht të përçarë. Edhe pse nuk ka asnjë dyshim tashmë se cili formacion dhe lidership politik përfaqëson realisht opozitën, të vetmit që bëjnë sikur nuk e kuptojnë, se ashtu u intereson, janë Gjykata e Lartë dhe Kolegji Zgjedhor.
Kolegji Zgjedhor në fakt, nën interesin personal të Kryeministrit, ka shënuar rekorde juridike të padëgjuara ndonjëherë në interpretimin e fakteve sipas dëshirës. Arsyetimet e Kolegjit për ta katapultuar vulën, siglën dhe përfaqësimin e opozitës te personi që fle gjumë në xhepin e Edi Ramës, për nga kundërthënia logjike, janë raste tipike të rekordit Guiness.
Për këto arsye, sot, në emër të Partisë Demokratike dhe opozitës, duam t`i bëjmë thirrje Gjykatës së Lartë të marrë një vendim sa më parë, për një çështje të qartë si drita e diellit. Ndoshta është e tepër të kërkojmë integritet dhe drejtësi nga kjo gjykatë, por minimalisht kërkojmë që të zbatojë afatet që ligji përcakton dhe, qoftë edhe duke ulur kokën, si në rastin e Gjykatës së Apelit, të lexojë vendimin për këtë çështje.
Ne e dimë se cilido vendim të jetë, e vërteta është një.
Edi Rama nuk mund të emërojë opozitën shqiptare. Nuk mund as ta blejë dhe as ta shantazhojë atë me dosje parash ruse apo premtime për të ndërtuar kulla në oborrin e PD. Pazaret për dhënie “primi elektoral” në këmbim të vulës, mund t`i bëjë me të gjithë vulëhumburit, por jo me opozitën e këtij vendi.
Prandaj, një thirrje e fundit për Gjykatën e Lartë: merrni në shqyrtim këtë çështje, siç edhe ligji dikton. Jepni vendimin tuaj. Sepse shqiptarët e kanë marrë me kohë vendimin e tyre. Nuk besoj se kërkojmë shumë kur kërkojmë vetëm zbatimin e ligjit, të paktën në respekt të procedurës.
Ju faleminderit