Një person është vrarë me armë paraditen e kësaj të marte në qytetin e Rrëshenit. Sipas burimeve të policisë, i vrarë ka mbetur Martin Bardhi, 62 vjeç. Bardhi është qëlluar me breshëri kallashnikovi në rrethana ende të paqarta.
“Rreth orës 10:40, në Rrëshen, nga shtetas ende të paidentifikuar, është vrarë me armë zjarri shtetasi M.M.(B.). Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Janë ngritur pika kontrolli në çdo aks rrugor, si dhe vijon intensivisht krehja e zonës. Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për fiksimin e çdo prove që do të bëjë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve”, thuhet në një njoftim paraprak të policisë lokale.
Dyshimet e para të grupit hetimor, nisur edhe nga e kaluara e viktimës janë se krimi mund të jetë një hakmarrje e mundshme.Bardhi rezulton një person me precedent të mëparshëm penal.
Raportohet se 62-vjeçari kishte dalë nga burgu vetëm pak kohë më parë, pasi akuzohej për vrasjen e nipit të Kastriot Reçit, Saimir Reçi.