Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të enjten një rezolutë, e cila e dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator, në Banjskë të Zveçanit dhe përmend nevojën e një hetimi ndërkombëtar për Serbinë dhe rolin e saj në këtë sulm.
Rezoluta është miratuar me 97 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë vdekur një zyrtar policor dhe tre sulmues.
Seanca e 28 shtatorit në Kuvend ka nisur me një minutë heshtje në nderim të zyrtarit policor të vrarë Afrim Bunjaku – tashmë të shpallur hero.
Në prezantim të rezolutës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se ky institucion e dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës në termat më të ashpër.
“Sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës dhe kërkon nga komuniteti ndërkombëtar që ta ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe çfarëdo mbështetjeje që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës”.
Hetimet ndërkombëtare ndaj Serbisë janë kërkuar “lidhur me aktivitetet terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në kampin e Serbisë”.
Në rezolutë është vlerësuar edhe bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit (EULEX) dhe misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR në “aksionin e përbashkët, për t’i zmbrapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia në veriun e vendit tonë”.
Mes tjerash, Konjufca ka thënë se rezoluta kërkon që:
• institucionet e Kosovës të punojnë në integrim të plotë të të gjitha komuniteteve, pa dallim,
• inkurajohet dhe mbështetet pluralizmi politik në radhët e komunitetit serb në Kosovë,
• kërkohet nga Qeveria e Kosovës që të bashkëpunojë me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara për ta fuqizuar shtetin e së drejtës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë thirrje nga Kuvendi për sanksionim dhe ndëshkim të Serbisë nga faktori ndërkombëtar për sulmin ndaj Policisë së Kosovës.
“Nëse kalon e pandëshkuar, atëherë ajo [Serbia] do ta përsërisë krimin”.
Mes tjerash, Kurti ka bërë thirrje që organizatat Mbrojtja Civile dhe Brigada Veriore të shpallen organizata terroriste nga shtetet partnere të Kosovës.