Ekonomia shqiptare, një kantier i madh kullash

Nga Klodian TOMORRI

Kur Rusia nisi sulmin ndaj Ukrainës dhe Perëndimi filloi të shtrëngonte darën e sanksioneve mbi Moskën, një ekonomist i njohur amerikan tha “ekonomia ruse është në thelb një stacion i madh karburanti.” Ky ishte Jason Furman, ish shefi i Këshillit Ekonomik të Obamës.

Për ta përshtur shprehjen e mësipërme për ekonominë shqiptare mjafton të zëvendësosh togëfjalëshin “stacion i madh karburanti” me “kompani e madhe ndërtimi.” Ajo që merr është një pohim edhe më i vërtetë. Ekonomia shqiptare është në thelb një kantier i madh kullash.

Shikoni numrat. Në tremujorin e dytë të vitit, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 3.2 për qind krahasuar me një vit më parë. Por 70 për qind e kësaj rritje erdhi vetëm nga ndërtimi.

Sipas INSTAT, aktiviteti i ndërtimit kontriboi me 1.43 pikë përqindje në shifrën e rritjes së PBB-së për tremujorin e dytë, ndërsa 0.72 pikë të tjera erdhën nga aktivitetet e pasurive të paluajshtme. Pra nga 3.2 për qind që ishte rritja totale e ekonomisë, 2.15 për qind erdhi nga ndërtimi dhe real estate.

Me pak fjalë, nëse heq ndërtimin nga ekuacioni ekonomia shqiptare është në stanjacion. Sektorët e tjerë asgjësojnë njëri tjetrin. Ata që regjistrojnë rritje të lehtë, mbyten nga të tjerët që janë me rënie.

Dhe këtu ka disa probleme në strukturë. Së pari, industria është në kolaps. Industria nxjerrëse, manifaktura dhe energjia u tkurrën me 2.37 për qind në terma vjetorë. Ky është sektori kryesor që gjeneron eksporte dhe punësim në ekonomi.

Kolapsi i degës së industrisë është rezultat i një dështimi afatgjatë të Shqipërisë për të industrializuar ekonominë e saj. Përgjithësisht kjo degë ushqehet vetëm nga shfrytëzimi i pasurive natyrore të vendit, si nafta, kromi bakri, dhe prodhimi i energjisë. Kur konjukturat ndërkombëtare të çmimeve të lëndëve të para janë të favorshme dhe kushtet atmosferike të mira, industria rritet. Kur kushtet përkeqësohen ajo tkurret. Ndërsa manifaktura, aktiviteti që duhet të ishte baza e kësaj dege, zor se shkon përtej aktivitetit të fasonëve.

Problemi i dytë është bujqësia. Sektori bujqësor në Shqipëri po vuan një krizë të tejzgjatur. Në tremujorin e dytë prodhimi bujqësor ra sipas INSTAT me 0.04 për qind krahasuar me një vit më parë. Bujqësia ka dy specifika. Ka një peshë jashtëzakonisht të madhe në ekonomi, rreth 20 për qind dhe ecuria e saj ndikon drejtëpërdrejtë mbi 40 për qind të familjeve shqiptare. Për këtë arsye kriza e tejzgjatur e këtij sektori është problem madhor si në aspektin e zhvillimit ekonomik të vendit ashtu dhe në atë të kohezionit social apo luftës ndaj varfërisë.

Dhe problemi i tretë lidhet me turizmin. Në rrafshin e zhvillimit ekonomik, bumi i pretenduar i turizmit që po kalon Shqipëria, rezulton një mirazh. Në tremujorin e dytë të vitit kontributi i turizmit në rritjen ekonomike ishte më pak se 0.2 pikë përqindje.

Nëse kjo është rezultat i informalitetit apo rezultat i faktit që Shqipëria nuk tërheq vlerë të lartë të shtuar, kjo pak rëndësi ka. Pikërisht tani ekonomia ka këtë pamje paradoksi. Një bum të jashtëzakonshëm në numrat e turistëve që numëron çdo muaj Kumbaro, por një kontribut minimal të turizmit në rritjen ekonomike.

Pra, një kantier i madh ndërtimi. Nëse Edi me Lalin nuk firmosin në seri lejet e kullave Tiranë dhe resorteve në bregdet, ekonomia shqiptare është një makinë, që ka djegur motorrin.

About Redaksia

Check Also

Mesazhi i Kasanof nxori zbuluar axhendën e Kim dhe Escobar!

Nga Armand MAHO Deklarata e zotit Alexandër Kasanof, Zëvendës Ndihmës i Sekretarit të Shtetit për Çështjet …

Leave a Reply