Vera e vitit 1979. Ettore Mo, reporter lufte i “Corriere della Sera”, është gazetari i parë perëndimor që hyn në Afganistan. Në artikullin e parë nga Peshawar, i dalë tek e përditshmja më 15 korrik 1979 dhe që këtu e ripropozojmë, Mo interviston ajatollahun Gulbuddin Hekmatyar, kreu i grupit më të madh islamik, që atëhere luftonte regjimin e Kabulit dhe që sot është kthyer të luajë një rol të dorës së parë në Afganistan.
Peshawar (Pakistan) – Noor Mohammad Taraki, presidenti i Afganistanit, i quan kriminelë. Hafizullah Amin, zëvendëskryeministër dhe ministri i Jashtëm, eminenca gri e regjimit marksist prosovjetik të Kabulit, i quan banditë. “Ne nuk jemi as kriminelë, as banditë – thonë ata – jemi afganas dhe fëmijë të Islamit: e kemi ndërmarrë luftën e armatosur për ta çliruar vendin nga një qeveri që ndjek një politikë dhe një qeveri të huaj ndaj traditës tonë dhe e kundërt me fenë tonë”. Jemi në “çerdhen” e “Hezb – i – Islami Afghanistan”, më konsistenti dhe më luftaraku i grupeve islamike që i kanë shpallur luftë regjimit të Taraki: “çerdhja” është një shtëpi e bardhë me dy kate nga ana jugore e këtij qyteti pakistanez nja 40 kilometra nga kufiri afganas. Të gjithë njerëzit ia mbathin. Këtu falen dhe organizojnë rezistencën. Janë të gjithë shumë të rinj me mustaqe dhe mjekërra të ngërthyera përreth mendjes si kaçube të egra: dhe përreth ka një atmosferë misticizmi barrikadues. Nga fronte të ndryshme vijnë lajme të mira dhe të këqija. Ato të këqija dëgjohen në heshtje.
Përndjekje
Nuk është e lehtë të vihesh në kontakt me “Hezb”. Gazetarët që vijnë në këtë zonë të nxehtë kufitare janë të kontrolluar dhe të gjurmuar. Pakistanezët kanë probleme: nuk kanë ndërmend të rreshtohen hapur as kundër regjimit të Kabulit, as kundër superfuqisë (lexo Bashkimit Sovjetik) që e mbështet; njëkohësisht, nuk duan të identifikohen me vëllezërit myslimanë afganas që mund të gjejnë në fund (Irani mëson) një rrugëdalje të bujshme dhe fitimtare dhe prandaj e mbyllin një sy dhe mbyllin edhe dy; prandaj i bëjnë vend – në zonat tribale kufitare – mijëra (më shumë se 120000) refugjatëve afganas të uritur dhe që nuk kanë asgjë; dhe nuk të ndjekin (ose të ndjekin në largësi) në rast se rreziku të çon duk kërcyer brenda kaosit të mjerimit më të pafundëm njerëzor në selinë qendrore të rebelëve. Në këtë moment, ajatollahu i afganasve është një inxhinier 30 vjeçar i dalë nga Universiteti i Kabulit, Gulbuddin Hekmatyar. Burrë i bukur, shtathedhur, mjekërr e bukur. Sy që të ngjallin frikë. Janë sytë e njërit që frekuenton qiellin dhe Muhamedin, që ka lidhje direkte me Allahun; njëri që e ka bërë kontestimin si Marco Capanna dhe ka qenë edhe në burg; që tani, pa helikopterë, tanke dhe bomba vdekjeprurëse, ka mijëra e mijëra muxhahedinë në male të veshur vetëm me heroizëm dhe që i thotë Tarakit, me arrogancën e shenjtorëve, plaku im ka ardhur ora, hiqe pjesën e prapme tënde nga karrigia.
Hekmatyar i ka letrat në rregull: “Kam qenë në burg nën mbretin Zaher – thotë ai – dhe më pas nën Daud, i vrarë në grushtin e shtetit të prillit ’78. Di se Taraki ka premtuar një shifër të majme për kokën time, por nuk ka arritur të më kapë. Ama im atë dhe vëllezërit e mi, të arrestuar në kohën e Daud, janë ende në burg tani, nuk i shikoj prej vitesh, ndoshta nuk do t’i shikoj më. Radio e Kabulit më persekuton, kërkojnë inxhinierin, por unë nuk bie në duart e tyre, mund të rrini i qetë”.
Ka masat e tij të sigurimit. Kur del, ndiqet nga truprojat e tij që fshehin nën veshjet e mëdha prej lini të bardhë mitralozët me tytë të shkurtër. Intervista me të ndodh me dyer të mbyllura: bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, përkthyesi me regjistruesin, kush hyn i duhet të trokasë: dhe ai, Hekmatyar, mbahet në suprinën e skrivanisë, pa mendjemadhësinë më të vogël, një pistoletë e madhe me tytën e shpuar dhe një rrip mesi plot me plumba. Por kur është ora e faljes, heq gjithçka dhe shkon të falet. Është mullahu. Të gjithë heqin këpucët, të gjithë gjunjëzohen, të gjithë hapin duart për një falje që me siguri do të vijë nga qielli, të gjithë mallkojnë Tarakin…
Përkrah me “Hezb” janë formacionet e tjera islamike. Është “Jami’at-i-Islami of Afghanistan”, është “Harakat-i-Inquilab”, është “National Liberation Front”, që i duhet të presë disa prej këtyre grupeve, por Hekmatyar flet qartë: “Ne – thotë ai – kemi qenë në pararojë. Kemi filluar 10 vite më parë. Kemi luftuar monarkinë e Zaher, despotizmin e Daud dhe tani marksizëm – leninizmin e Taraki. Qemë vetëm. Ku qenë atëhere këto parti? Unë nuk i kujtoj, “Jami’at-i-Islami of Afghanistan” ka një vit jetë; “Harakat” ka nja 6 muaj. Ne kemi 10 vite përvojë dhe jemi ne ata që i kemi dhënë jetë revoltës”.
Për Hekmatyar, “Hezb” ka ekskluzivitetin e luftës së armatosur dhe një konfirmin të pjesshëm e ka pasur në provincat e Kunarit ku komandantët ushtarakë myslimanë kanë në muret e bunkerëve shenjat e inxhinierit dhe ku, në momentin e rekrutimit, të japin një karton të gjelbër me simbolet e partisë së tij: “Flas me gojën plot – thotë Hekmatyar – nuk u besoj grupeve të caktuara që shpalosin flamurin islamik, por që në fund të fundit duan ta heqin qafe Taraki për ta restauruar monarkinë dhe ndoshta do të gjejnë amerikanët e gatshëm t’i financojnë, ama duhet të bëjnë hesapet me ne dhe ne i bëjmë hesapet me pushkë”.
Por katër hapa më tej, një zotëri i moshuar me mjekrrën si Ho Chi Min, doktori Mohammad Musa Tawana, që paraqitet si anëtar i ekzekutivit të “Jami’at-i-Islami of Afghanistan”, i refuzon akuzat: “Ne – thotë ai – e kemi filluar luftën kundër Daud në vitin 1975, por qysh më përpara i qemë kundërvënë mbretit, pasi nuk respektonte ideologjinë e islamit. Edhe Daud, që ia mori pushtetin monarkut në korrikun e 1973 me një grusht shteti mizor, kishte mbështetjen e komunistëve dhe na persekutonte. Por me Taraki gjërat janë përkeqësuar më shumë. E dinim se objektivi i tij dhe i partisë së tij Khalq (që pikërisht do të thotë partia e popullit), ishte për t’u shtypur dhe shkatërruar besimin tonë fetar për të krijuar një shoqëri marksiste”.
Bëhej fjalë, thonë, të ndryshohej vetë shpirti i grupit: një projekt i guximshëm, por jo i realizueshëm nëse u besohet zanatalinjve dhe ja ku vijnë advisers apo supervisors rusë (rreth 3000) që ngulisin në ushtri dhe në aviacion, në institute dhe nëpër ministri (ekonomi, financë, planning, brendshme, mbrojtje, etj.), në shërbimet e inteligjencës afganase, AGSA, që do të përfundojë të ngjajë me KGB. Në Kabul hapet një Russian Centre me një bibliotekë të mirëpajisur ku të japin falas mësime rusishtjeje. Në vitrinat e librarive, rrëfen një student i sapo arratisur në Pakistan, gëlojnë tekstet e filozofisë marksiste që është “feja e re e shtetit”. Apartamentet e kompleksit Mecrurian (pallate 4 katëshe të ndërtuara kohët e fundit në kryeqytet për të pritur të pastrehët afganas) u destinohen familjeve të ekspertëve sovjetikë, por rusët, më sigurojnë, nuk kanë jetë sociale: kur nuk i urren, popullsia i shpërfill, iu largohet, i injoron.
Një organizatë tjetër politiko – ushtarake që i konteston Hekmatyar ekskuzivitetin e luftës së armatosur është “National Front of Islamic Revolution of Afghanistan”. Njeriu që e drejton, Sayed Ahmad Gailani, është 47 vjeçar, u arratis nga vendi 6 muaj më parë, i veshur me rroba tradicionale apo me prerje perëndimore, flet nën zë. Thonë se është shumë pasur, nuk ka asnjë profesion, thjesht konsiderohet një lider shpirtëror: “Kam krijuar Frontin – thotë – sapo kam ardhur në Pakistan, duke grupuar nën të disa lëvizje islamiste si “Jami’at-i-Islami”. Anëtarët tanë janë të impenjuar në aksione lufte. Në këtë moment kemi rreth 80000 anëtarë të dislokuar në fronte të ndryshme. Më shumë se 70 përqind e vendit është aktualisht nën kontorllin e forcave revolucionare islamike. Është e vërtetë, mungon kryeqyteti dhe qytetet e mëdha, por duhet mbajtur parasysh se 90 përqind e popullsisë jeton në distriktet rurale”.
Ashtu si Hekmatyar, Gailani ankohet për pajimin e keq të njerëzve të tij, mungesën e mjeteve, armëve të rënda, municioneve, avionëve: “Luftojmë– thotë ai – në kushte inferioriteti të tmerrshëm dhe superioriteti jonë numerik respektivisht një ushtrie prej vetëm 90 apo 100 mijë ushtarëve nuk shërben shumë. Ata disponojnë një artileri të fuqishme dhe të sofistikuar, kanë tanke dhe helikopterë. Ne mund edhe t’i rrëzojmë apo t’i kapim, siç edhe ka ndodhur, por Rusia është aty gati për të dërguar të reja. Na mungojnë edhe stacionet radiofonike, siç i kishin në Iran. Për të pasur një stacion radioje duhet marrë Kabuli, por atëhere lufta do të ishte e mbaruar”.
Po rusët?
Shpresa e Gailani është se guerrilja përfundon përpara dimrit: “Deri më tani kemi pasur suksese ushtarake të mira, por ajo që vlen më shumë, nga momenti që asnjë vend nuk na është përgjigjur me furnizimin me armë, është që të vazhdojnë pritat ndaj radhëve qeveritare. Vetëm pak javë më parë në provincën Paktya dy brigata të tëra me oficerë dhe i gjithë armatimi ka kaluar nga radhët tona. Taraki e vret mendjen shumë dhe prandaj ka vendosur që të përdorë më shumë avionët sesa trupat tokësore”.
Po rusët? “Ja – thotë prerë Gailani, që është shumë më diplomatik se Hekmatyar – ne mendojmë se rusët, aq pragmatikë dhe realistë që janë, nuk do ta lënë veten të përfshihen deri në katastrofën finale. Dua të them se nuk do të ishin të gatshëm të na ndihmonin deri në fund një regjim që nuk e ka as minimumin e mbështetjes popullore. Kur do ta kuptojnë se revolucioni fiton, do tërhiqen menjanë”.
Në çerdhen e “Hezb”, Gailani shikohet me simpati të pakët, nuk u pëlqen ajo e veshura e tij si anglez, i bezdis fair-play i tij diplomatik, ndoshta i irriton paksa fakti që ky refugjat luksi ka – më thonë– 12 apo 13 shtëpi, i akuzojnë edhe një naivitet të tepruar në planet strategjike që ka rrezikuar (apo deri sakrifikuar) jetën e qindr prej partizanëve të tij.
Nuk mund t’i mohohet kurajoja personale dhe zgjedhja e drejtë e frontit, por mbetet fakti – më thotë Gul, anëtar i sektorit kulturor të “Hezb” – se “90 përqind e myslimanëve që luftojnë kundër Taraki njohin tek Hekmatyar liderin e tyre. kreun e vetëm karizmatik të revolucionit: Khomeini, po deshe, të Afganistanit islamik”.
Ashtu si Khomeini, Hekmatyar dëshiron të krijojë “një qeveri të pastër islamike, asgjë më shumë, asgjë më pak”. Por në gjykimin e tij lidhur me atë që ka ndodhur dhe po ndodh në Iran, thelbësisht pozitive, ka ndonjë rezervë: “Gjëja e vetme që e akuzojmë Khomeinin është se nuk ka flakur tej dhe shkatërruar komunistët. Në qeverinë tonë nuk do të ketë vend për një komunist të vetëm. Me ndihmën e sovjetikëve, komunistët kanë kryer krime të pafalshme dhe për ta nuk do të ketë vend në Afganistanin islamik”.
Nëse guxon të sugjerosh se gjithçka është kundër parimeve të një demokracie të vërtetë siç e kuptojmë ne në Perëndim, Hekmatyar ka një shkëlqim në sytë e tij shumë të bukur dhe mizorë; pastaj, duke buzëqeshur, nxjerr nga arka një libër të zi, Kuranin, dhe e vendos, të mbyllur, në dorezën e pistoletës: “My dear friend – më thotë duke vendosur një dorë në kopertinën e tij – demokracia jonë është e gjitha këtu. Këtu është filozofia dhe teologjia jonë. Këtu përmblidhet e gjithë politika jonë ekonomike dhe sociale. Sikur Taraki të ishte një mysliman i vërtetë nuk do të kishte nevojë për tjetër: as për Marksin, Leninin apo Ho Chi Min”.
Hekmatyar del në oborrin e shtëpisë të falë Allahun me grupin e bashkëpunëtorëve të tij: kur kthehet është më shumë se optimist, pasi ka marrë mesazhe të mira nga qielli. “Me ndihmën e armëve të rrëmbyera armikut – thotë ai – kemi arritur të sigurojmë kontrollin e 75 përqind të vendit dhe këto rrëmbime janë gjithnjë e më të mëdhenj: topa, mitraloza, autoblinda dhe municione. Ndonjë budalla vazhdon të thotë se është Kina apo Libia, Irani apo Arabia Saudite që na furnizojnë me armë. Ti ke qenë përballë, e ke parë me sytë e tua. Superfuqia e vetme që na furnizon me material luftarak është Rusia e Shenjtë, por sepse po ia vjedhim. Taraki i ka bërë keq llogaritë dhe ka kryer një gabim trashanik: ashtu si Shahu i Persisë ka nënvlerësuar ndjenjën religjoze të popullit të tij. Djemtë e mi mund të shkojnë edhe zbathur në mal me një hedhje gurësh sesa me pushkë: por e lënë veten të vriten më shumë sesa të cedojnë. Dita e larjes së hesapeve është e afërt. Nëse shkon në Kabul, thuaja Taraki. Thuaji se inxhinieri e përshëndet”.
(nga MicroMega)
Përgatiti
ARMIN TIRANA