Rama ‘qeras’ me kullë 28 katëshe botuesen e librit të tij “Kurbani”, leje edhe Dembacajt

Nga Boldnews.al

Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) miratoi në mes të kësaj jave një mori lejesh ndërtimi, ndër të cilat ishin të paktën edhe tre kulla të reja pranë qendrës së Tiranës, si edhe të tjera, kryesisht në zonën bregdetare të Jugut të vendit.

Në listën e miratuar nga Rama, natyrisht, nuk mungojnë as kësaj radhe “dhuratat” që kryeministri i Shqipërisë u bën miqve të tij ose njerëzve publikë, të cilët nuk i kursejnë elozhet për qeverisjen e tij.

Dembacaj, nga aktore në ndërtuese

Aktorja Rudina Dembacaj, e cila pas lidhjes intime që krijoi me ish-deputetin aleat të Ramës, Mark Frrokun, u shndërrua në biznesmene, ka përfituar një leje ndërtimi për park eolik në Pukë.

Në foto: Aktorja Rudina Dembacaj dhe ish-deputeti, Mark Frroku

Në njoftimin e KKT-së thuhet se u miratua “Leje Zhvillimi për objektin: “Ndërtimin e impiantit gjenerues të energjisë elektrike eolike, me kapacitet të instaluar 2 MW dhe veprave ndihmëse”, me vendndodhje në zonën e Kçirës, Bashkia Pukë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Dembacaj 2020” sh.p.k”.

Shoqëria “Dembacaj 2020” është krijuar në qershor të vitit 2020 dhe është në pronësi 100 përqind të aktores Rudina Dembacaj. Objekti i kompanisë është “veprimtari në fushën e ndërtimit të përgjithshëm….etj.”

Në foto: Kompania “Dembacaj 2020” është në pronësi të aktores Rudina Dembacaj

Një vit pas krijimit të saj, më konkretisht në Maj të vitit 2021, Ministria e Infrastrukturës Belinda Balluku firmosi “miratimin paraprak” për projektin e Dembacajt për ndërtimin e një impianti gjenerues të energjisë elektrike eolike.

Tashmë, projekti i miratuar paraprakisht nga Balluku, mori edhe firmën e kryeministrit Edi Ramë, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Rregullimit të Territorit.

Në foto: Projekti i Dembacaj mori miratim paraprak nga Belinda Balluku

Të njëjtin rrugëtim ka kryer edhe shoqëria “A.M-L” shpk, në pronësi të bashkëshortit të Dembacajt, ish-deputetit Mark Frroku.

Këshilli i Rregullimit të Territorit, pra, Edi Rama, ka miratuar në të njëjtën ditë, “Leje Zhvillimi për objektin: “Ndërtimin e impiantit gjenerues të energjisë elektrike eolike, me kapacitet të instaluar 2 MW dhe veprave ndihmëse”, me vendndodhje në zonën e Kçirës, Bashkia Pukë, me subjekt zhvillues shoqërinë “A.M-L Group” sh.p.k”.

Shoqëria përfituese e lejes është në pronësi të Mark Frrokut dhe me administratore Rudina Dembacaj.

Projekti i kompanisë së Frrokut është miratuar paraprakisht nga Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për të njëjtin impiant gjenerues, pasi aplikimi, miratimi paraprak dhe leja e ndërtimit për projektet e “Dembacaj 2020” dhe “A.M-L” shpk, janë kryer njëkohësisht.

Por, duke mbajtur në konsideratë se këto projekte janë pika më vete në vendimet e Këshillit Kombëtar të Territorit, atëherë mund të konsiderohet se janë dy objekte të ndryshme.

Dudaj, nga bota e librave tek kullat

Arlinda Dudaj është drejtuese e një prej shtëpive botuese më të rëndësishme në Shqipëri.

Ajo është gjithashtu edhe një mikeshë e kryeministrit Edi Rama. Të paktën, kështu e prezantoi vetë Rama, gjatë një bisede në “podcast-in” e tij, të zhvilluar në Korrik të këtij viti.

Në foto: Botuesja Arlinda Dudaj, duke folur në “Podcast-in” e kryeministrit Edi Rama

Dudaj rezulton, ndër të tjera, anëtarë e Këshillit Mbikqyrës të shoqërisë “Vistas Enterprises”, e cila është në pronësi të bashkëshortit të saj, biznesmenit Adriatik Dudaj.

Madje, ky i fundit ka qenë themeluesi i shtëpisë botuese “Dudaj” në vitin 1998 dhe që, në vitin 2016, ia dhuroi aksionet Arlindës.

Në mes të kësaj jave, Këshilli Kombëtar i Territorit, nën drejtimin e Edi Ramës, miratoi “Leje Zhvillimi për objektin: “Strukturë shërbimi, hoteleri dhe banimi 2-8 kate dhe 28 kate mbi tokë, me 5 kate nëntokë”, me vendndodhje në Rrugën: “Kristo Luarasi”, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Vistas Enterprises” sh.a”.

Në foto: Ekstrakti i kompanisë “Vistas Enterprises”

Natyrisht, e meritonte një leje të mirë ndërtimi edhe familja e Arlinda Dudaj, për të cilën kryeministri Rama u shpreh vetëm pak muaj më parë në bisedën on-line mes tyre se është “Një shoqe të hershme me të cilën jeta na ka ndarë për një kohë të gjatë dhe që e ka bërë të ankohet shumë që nuk ka mundësi të takohemi, të flasim e të tjera, e të tjera, por e cila vjen vijimësisht tek unë përmes librave që boton dhe mendova se ishte një mundësi e mirë edhe për ta takuar pas kaq shumë kohësh edhe për të folur pikërisht për librin që është një nga të stërmunduarit e mëdhenj të kësaj epoke…”.

Pas bisedës për librat, KKT-ja miratoi edhe një leje ndërtimi për kullë 28 kate.

About Redaksia

Check Also

Deklarata e fortë e ish-kreut të Prokurorisë: Si u zhdukën përgjimet e krerëve të bandave me majat e politikës

Nga Besim Hajdarmataj  Hetimet e organeve ligjzbatuese kundër krimit të organizuar të profilit të lartë nxisin …

Leave a Reply