Eksperti ligjor: Kur nuk respektohen garancitë për z. Berisha, imagjinoni për një qytetar të zakonshëm…

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur më 22 tetor 2023 ndaj Kryetarit të PD dhe deputetit Sali Berisha, dy masa sigurimi si person nën hetim  “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, nga z.Berisha është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë” kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi lidhur me privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportesh Partizani”, çështje në hetim.

Por si e gjykon këtë vendim të institucioneve të reja të drejtësisë, eksperti i ligjit, Ac. Prof. Assoc. Dr. Jordan Daci, sidomos ndaj një deputeti të parlamentit të Shqipërisë?

Në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, këtë mëngjes, z.Daci shpjegoi:

“Në përgjithësi në Shqipëri, fatkeqësisht, personat në hetim ose nuk pyeten fare ose pyeten në fund. Të fundit! Kjo është për shkak të një mentaliteti komunist që akoma ne e kemi nëpër këmbë dhe bashkëjetojmë me të çdo ditë. Pra, ne kemi demokratizuar ligjet, po nuk kemi demokratizuar veten dhe njerëzit.

Për sa i përket çështjes së provave, sigurisht që këtu nuk flitet për prova.  Këtu flitet për prova të cilat janë në funksion të të provuarit të një dyshimi të arsyeshëm.

Pra, askush nuk pretendon që me këto letra është provuar fajësia e asnjërit prej personave në fjalë, sepse personat në fjalë prezumohen “të pafajshëm” derisa të shprehet një vendim, do të thosha madje jo i formës së prerë, por përfundimtar i gjykatës, që do të thotë deri kur çështja të gjykohet në Gjykatën e Lartë edhe pse teorikisht, zakonisht e mbyllin me Gjykatën e Apelit.  Do të thotë gjykimi i themelit dhe jo i masës së sigurisë.

Normalisht që çështja e pronarëve dihet. Ne jemi i vetmi vend ish-komunist ku pronarët do të vazhdojnë të mbeten ish-pronarë dhe besoj se kjo nuk do të rregullohet ndonjëherë, por ajo çfarë ka rëndësi të thuhet në këtë rast është që nuk ka rëndësi nëse ka prova apo mund të ketë prova.

Jemi në një moment procedural kur thjesht garancitë procedurale për një shtetas me imunitet apo një anëtar të Kuvendit duhet të respektoheshin dhe duhet të respektohen.

Pra, unë si qytetar them: kur nuk respektohen garancitë për z. Berisha, imagjino çfarë ndodh me një qytetar të zakonshëm! Kjo është ajo që duhet të na shqetësojë ne akoma më shumë. Kjo, pavarësisht pozicionimit të z. Berisha apo në përgjithësi të opozitës aktuale, në favor të heqjes së çdo lloj imuniteti.

Fakt është që imuniteti është lënë për sa i përket arrestit dhe heqjes së çdo lloj forme të lirisë. Në këtë kuptim nuk ka asnjë lloj pikëpyetjeje kushtetuese që përpara sesa të veprohej, duhej patjetër që të merrej autorizimi nga Kuvendi.

Nuk ka rëndësi a do të jepej apo s’do të jepej. Sigurisht që besoj se do të jepej dhe rrezik vetë z. Berisha do të votojë pro heqjes, por e rëndësishme është fryma. E rëndësishme është fryma sepse fryma tregon shumë gjëra të cilat nuk i tregon teksti i një ligji që mund të përdoret apo mund të keqpërdoret rast pas rasti.

Fryma ka shumë rëndësi dhe ne në kaq vite nuk arrijmë dot akoma të drejtohemi nga një frymë demokratike, prandaj jemi një vend me një demokraci krejtësisht jofunksionale dhe shpeshherë ligji merr tiparet e “ligjit në dorën e Maliqit”.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Kudo që ta shihni Erion Veliajn gjuajeni me domate, pështyjeni në surrat!

Kryetari i PD, Sali Berisha ka bërë thirrje që të qytetarët të vazhdojnë protestën para …

Leave a Reply