Nga Besart XHAFERRI
Ish-kryeministri Sali Berisha, sot është në shënjestër të SPAK vetëm për faktin se ish-pronarëve u dha mundësia që të marrin pronat e tyre të uzurpuara nga regjimi komunist, teksa mes mijëra përfitueseve nga ky ligj i drejtë është edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, pasardhës i një nga dyerve të mëdha të kryeqytetit Tiranës.
Kush e ka lexuar dosjen e kupton se qëndrimi i kryeministrit Sali Berisha ka qenë parimor, dhe nga ato vendime të drejta të asaj qeverie, është zhbërë një padrejtësi rreth 60-vjeçare, dhe çdo komunikim zyrtar është transparent dhe i aksesueshëm, pasi diskutimet janë bërë në mbledhjen e qeverisë dhe jo në restorantet e Nusretit në Dubai.
Pyetja që çdo shqiptar i ndershëm i bën vetes është a do duhej të ishte nën hetim kryeministri Rama për aferën e Portit të Durrësit, pasi projekti i ndërtimeve “Alabbar” është vjedhja më e madhe e pronës publike, korrupsioni më harbut dhe arrogant që kjo qeveri ka bërë ndonjëherë.
Kjo aferë tejkalon edhe inceneratorët, edhe PPP shkatërrimtare në shëndetësi e infrastrukturë, por pavarësisht gjenocidit mbi taksat e shqiptarëve, Rama nuk thirret nga SPAK.
Përmes kësaj afere Edi Rama dhe Alabbar i vodhën Durrësit dhe gjithë Shqipërisë asetin më të vlefshëm, Portin e Durrësit.
Kryeministri Edi Rama i fali Alabbarit 231 milionë euro duke e përjashtuar nga taksat, para të cilat ua merr qytetarëve durrsakë.
Kjo aferë vjen në dhunim me të gjitha ligjet e vendit, teksa vetë Rama deklaroi me mburrje se i dha Alabbarit territorin prej 1.5 milion metra katrorë të ndërtimit.
Mjafton vetëm krahasimi i vendimeve qeveritare për çështjet e kompleksit Partizani dhe Portit të Durrësit për të kuptuar se si kryeministri Edi Rama, nuk do duhej të ishte nën hetim, por në qeli!