Avokati i kryetarit të PD, Sali Berisha, Genc Gjokutaj ka deklaruar se prokurorët e SPAK kanë shantazhuar sot avokatët e zgjedhur kryesisht. Gjokutaj u shpreh se, avokatet janë shantazhuar në sallën e gjyqit. Gjokutaj tha se, u është thënë që do të njoftojmë dhomën e avokatisë që t’u hiqet licenca.
“Është hera e parë që një gjykatë ka punësuar një zëdhënës dhe e mban në sallë të gjyqit, që duke e ditur vendimmarrjen e saj në shkelje të ligjit, ka marrë një zëdhënës për ta transformuar dhe për të thënë ato që do gjykata dhe jo ato që ndodhin në sallën e gjyqit.
Po ua shpjegoj se çfarë ka ndodhur. Dje ne u larguam për ato arsye që thamë, sepse një gjyqtare që i është kërkuar përjashtimi dhe jo përjashtim për njëanshmëri të thjeshtë, por se ka shpërdoruar detyrën, ka shkelur kushtetutën dhe ligjin procedural dhe në kushtet e mungesës së vullnetit të saj, të dorëheqjes, pasi e ka për detyrë të tërhiqet, ajo ka vazhduar gjykimin.
Dispozita procedurale thotë; gjyqtari ndaj të cilit është kërkuar përjashtimi, nuk mund të marrë dhe japë vendim, përsa kohë që nuk është gjykuar kërkesa dhe dhënë vendimi në lidhje me kërkesën për përjashtimin e saj. Kjo kërkesë ishte ngritur, dhe kjo nuk e ndaloi atë gjykatëse që të vazhdojë seancat dhe të caktonte 3 palë avokatë kryesisht dhe të japë edhe vendimin.
Por çfarë ka ndodhur?
Mbrëmë vonë, kanë caktuar një avokat, Artan Simoni, por ky ka bërë një status në Facebook kundër kreut të PD-së, Sali Berisha. Ky fakt është ngritur nga ana jonë, dhe prokurorët kërkuan përjashtimin e tij. Po natën caktuan dhe dy avokate, Jalldiz Kastrati dhe Rabie Cenaliaj, të cilat janë paraqitur sot në orën 10:00 në Gjykatë dhe kanë kërkuar dy ditë kohë që të njihen me aktet, gjykata i ka dhënë deri në orën 15:00 afat, dhe sërish ato nuk kanë mundur dot të pranojnë mbrojtjen dhe kanë kërkuar sërish dhënien e kohës së duhur.
Por gjykata nuk ka pranuar dhe pastaj këto dy avokate nuk e kanë marrë përsipër në këto kushte, sepse sigurisht edhe ato dy zonja e kanë kuptuar që mbrojtja efektive nuk mund të shndërrohet në mbrojtje fiktive.
Njëra nga avokatet kur doli nga gjykata tha se, po më dhemb koka dhe nuk jam mirë me shëndet, imagjino se çfarë kanë hequr në sallën e gjyqit. Unë kam mesazhin e avokates, e cila më thotë; na kanë shantazhuar në sallën e gjyqit. U është thënë që do të njoftojmë dhomën e avokatisë që tu hiqet licenca.
Është caktuar avokatja e 4 dhe ka vajtur në seancë pa njohur asnjë akt të dosjes, është mbyllë shqyrtimi gjyqësor dhe është shpallur vendimi që ju dhatë.
Që nga dje në orën 16:30 kur ne jemi larguar, e deri sot kur është shpallur vendimi për rrëzimin e kërkesës, të gjitha vendimet e kësaj gjyqtare janë nul, të cilat e bëjnë vendimin për vazhdimin e masës, nul’, tha Genc Gjokutaj në SYRI TV.