Rama i dhuron 220 mijë metra katrorë tokë publike mikut të tij, Malltezi burgoset për pronën e tij

Nga Klodian TOMORRI

Ndërsa dhëndrri i ish kryeministrit Sali Berisha gjendet në burg se mori 28 mijë metër katrorë në pronën e tij, Edi Rama ka vendosur t’i falë 220 mijë metër katrorë tokë në një nga zonat më të lakmuara të bregdetit shqiptar shoqërisë një shoqërie të quajtur Soleil & Sea, pas të cilës sipas BIRN qëndron biznesmeni Alban Xhillari, për të ndërtuar aty një kompleks turistik.

Kompleksi i quajtur Jala Entertainment Park do të ngrihet në bregdetin e Jales dhe parashikon një investim prej 70 milionë eurosh sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike i marrë në qershor të këtij viti. Por e kaluara e këtij projekti është e mbushur me dyshime të forta për tjetërsim dhe rrëmbim prone.

Historiku 

Për herë të parë statusi i investitorit strategjik iu dha shoqërisë Soleil & Sea në gusht të vitit 2019. Por pas dhënies së statusit shpërtheu një konflikt i fortë për pronën ku do të ndërtohej kompleksi.

Pak muaj para dhënies së statusit, në shkurt të vitit 2019, familja Gjoka kishte fituar pronësinë e tokës ku shtrihej kompleksi, përmes një vendimi të Gjykatës së Apelit në Vlorë. Por kjo nuk e pengoi qeverinë që të jepte statusin e investitorit strategjik për shoqërinë Soleil & Sea.

Pas vendimit për dhënien e statusit, familja Gjoka kallëzoi penalisht biznesmenin Alban Xhillari dhe të afërm apo të njohur të këtij të fundit se po përdorin ndikimin e tyre në qeveri për t’ua rrëmbyer pronën me dokumente të falsifikuara, nën pretekstin e investimit strategjik.

Biznesmeni Xhillari u kundërpërgjigj po ashtu me kallëzim penal ndaj Kristo Gjokës dhe personave të lidhur me të, që i cilëson “pjesë e një grupi të strukturuar kriminal“. Në një komunikim me BIRN, Xhillari la të kuptohej se ai ishte investitori pas fshatit turistik, edhe pse kompania që mori statusin e investitorit strategjik figuron e regjistruar në emër të dy aksionerëve të tjerë që quhen Ardit Bajraktari dhe Endri Mingollari.

Falsifikim dhe rrëmbim prone

Lufta për pronën në fjalë ishte aq e fortë sa qe drejtorët e Kadastrës në Vlorë jepnin dorëheqje njëri pas tjetrit. Përgjatë një periudhë të shkurtër kohore, në krye të Kadastrës së Vlorës u emëruar mbi 12 drejtorë.

Pasi shpërthimit të skandalit, e gjithë procedura e dhënies së statusit të investitorit strategjik dhe dokumentacioni i pronës u audituan nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në Janar të vitit 2020, KLSH përfundoi raportin e kontrollit ku konstatonte falsifikime të rënda në pronësinë e tokës si dhe faktin se shoqëria Soleil & Sea kishte paraqitur të dhëna të rreme.

Mbi këto përfundime KLSH I rekomandoi qeverisë që të revokonte statustin e investitorit strategjik të shoqërisë Soleil & Sea për kompleksin Jala Entertainment Park për shkak se shoqëria kishte paraqitur të dhëna të rreme dhe të falsifikuara, çka është një kusht automatik për heqjen e statusit.

Po kështu KLSH, i rekomandoi Agjencisë së Zhvillimit të Investimeve që të verifikonte me përgjegjësi të gjithë dokumentacionin ligjor të kësaj procedure. Raporti me firmën e Bujar Leskajt, udhëzoi AIDA-n, që pas verifikimit t’i paraqiste qeverisë një material të plotë me të gjitha dokumentat që nuk ishin në përputhje me statusin real të pronës si dhe të dhënat e pavërteta të deklaruara nga shoqëria por edhe institucionet publike, përfshirë Bashkinë Himarë dhe Kadastrën e Vlorës.

Për shkak të luftës, kompleksi nuk u arrit të ndërtohej sipas afateve të përcaktuara në vendimin e parë të Komitetit të Investimeve Strategjike. “Për shkak të problematikave të shumta në këtë zonë, për arsye të mungesës së regjistrimit fillestar, nuk është bërë i mundur realizimi i projektit të investimit brenda afatit dy vjeçar të kohëzgjatjes së statusit “Investitor/Investim strategjik procedurë e veçantë” miratuar me Vendim të Komitetit të Investimeve Strategjike Nr. 20/5, date 1/08/2019,” shprehet AIDA.

Problemet u “zgjidhën”

Katër vite pas vendimit të parë, Komiteti i Investimeve Strategjike ka marrë në qershor të këtij viti një tjetër vendim për dhënien e statusit investitor strategjik për shoqërinë Soleil & Sea.

Këtë herë sipërfaqja e tokës që i jepet kompanisë është rritur edhe me 80 mijë metër, nga 140 mijë metër katrorë që ishte në vitin 2019 në 220 mijë metër tani.

“Masat kryesore mbështetëse që kërkon subjekti aplikues për realizimin e këtij projekti investimi, janë vënie në dispozicion të pasurive të paluajtshme shtetërore për zhvillimin e investimit me një sipërfaqe prej 22 ha, si dhe e drejta e përdorimit të brigjeve të detit si dhe zones përkatëse të plazhit në funksion të realizimit të një projekti investues strategjik,” thuhet në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike.

Sipas vendimit,nga verifikimi hartografik rezulton se zona e kërkuar, nuk i është nënshtruar ende regjistrimit fillestar sistematik, por aktualisht për këtë zonë ka përfunduar faza e afishimit publik si dhe faza e trajtimit të ankesave.

“Miratohet në parim masa mbështetëse vënie në dispozicion të pasurisë së paluajtshme shtetërore me sipërfaqe prej 22 ha, në ZK. 3844, sipas koordinatave të këtij vendimi dhe hartës së afishimit publik ku janë përcaktuar numrat e pasurive që prek projekti në Aneksin 1, për zhvillimin dhe realizimin e këtij projekti investimi strategjik, me tarifën simbolike 1 Euro,” thuhet në vendimin e Komitetit të Investimeve të miratuar në qershor të këtij viti.

Pavarësisht vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike që drejtohet nga kryeministri Rama, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur se Jala Entertainment Park do të ndërtohet mbi një pronë të rrëmbyer me dokumenta të falsifikuara si dhe përfshirjen në krim disa institucioneve publike duke filluar nga Bashkia e Himarës./KAPITALI

About Redaksia

Check Also

Berisha: Mosbindja do të përshkallëzohet! Mos dëgjoni papagajtë e qeverisë që bëjnë opozitën e opozitës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në konferencë me gazetarët, deklaroi …

Leave a Reply