Sekret, tepër sekret!

Nga Agim Xh Deshnica

Atëherë u ndërtuan rreth e qark vendit, aq shumë bunkerë sa s’numëroheshin dot. Sheshet e ndërtimit u mbushën fytas me ta. Dhe, ç’ishte më e çuditshmja, bunkerët ishin sekret ushtarak! E ky qenkësh i shenjtë!

Mjaft djem besnikë e ruanin sekretin me fanatizëm.

Kur ndonjë prej tyre kthehej me leje në shtëpi me uniformën e marinarit, e rrethonin shokët dhe e pyesnin për jetën në marinë.

– Sa shokë ke në fjetore ti, Sofo?

– Është sekret ushtarak, mos më pyesni, s’jua them dot!

– Mirë, po kepele si kjo, që ke sot, a ke tjetër?

– Edhe ky është sekret!

Sa herë dilni në det me motovedetat ruse atje? Sa të shpejta janë ato?

-Aaaa,ç’ju qenka shkrepur kështu? Ç’më jeni qepur me këto pyetje, për të zbuluar  sekretet ushtarake?!

Kështu ndodhte edhe me bunkerët. Sekret – numëri i tyre, sekret –  kostoja e tyre, sekret – vlera!… Projektet e bunkerëve ruheshin nëpër  kasaforta të fuqishme, siç qenë edhe ata vetë. Megjithatë, udhëheqja  e partisë përhapte fjalë nëpër popull se çdo bunker u takonte jo më shumë se tre vetëve. Kaq i madh ishte kujdesi i shtetit për njeriun, si kapitali më i çmuar! Pra, ata, bunkerët siguronin strehimin dhe fjetjen e tërë shqiptarëve, në raste sulmesh të papritura me  topa, tanke e bomba nga ana e armikut, i cili, sikurse dihej, edhe kur uji flinte, ai rrinte zgjuar. Dhe ishin aq të fortë bumkerët tanë, saqë nuk pyesnin as për bombën atomike. Dhe kjo s’ishte fjalë e kotë, se qenë bërë prova. Paskëshin futur brenda në bunker një kec të gjorë  dhe e kishin qëlluar me topa të kalibrit të rëndë!  Populli nisi të sajonte për bunkerët emrat: “Këpurdhë betoni”, “thelë portokalli”, “hotel pa para”…Kur ndonjë udhëtar e zinte nata rrugës,  ia merrte me gjumë në bunker si s’ka më mirë. Por, bunkerët e bregdetit shërbenin gjatë verës për bukuri edhe si vila të posaçme. Veç, nuk mungonin edhe rrugaçë, që i përdornin për të kryer nevojat, duke i ndotur e përdhosur.

Lamçe Guri, nga fshati Darzezë ngjitur me Banjën, u shkoi pranë katër  ushtarëve,  që po ndërtonin një bunker  në bahçenë e tij.

– Puna e mbarë, or djem! – u tha.  – Ju lumshin krahët!

– Mbarë paç, xhaxha! – ia kthyen uishtarët.

Lamçja iu drejtua ushtarit më të gjatë:

– T’i  je i pari i këtyre, or bir ?

– E, unë jam!

– Po nga  të kemi?

– Nga  Shëmbërdhenji.

–  Si të thonë?

– Kamber!

– Ta gëzosh! Po yt atë ç’emër ka?

– Isuf Holta.

– Ua, ua! Po pse çuni i Isufit qenke ti!? Po unë jam mik me babanë tënd, ore, mik e shkuar mikut!

Tha kështu Lamçe Guri dhe doli tek donte:

– Sa kohë, xhanëm, do të qendrojë në mes të bahçesë time ky bunkeri?

– Ç’të të them! Më sa di ti, dimë edhe ne, që po e bëjmë!

– Po, ele – ele, sa bunkerë janë ngritur gjer tani në fshatin tonë?

– Aaaa, këtë pyetje mos ma bëj, të lutem shumë! Është sekret ushtarak!

– Jo, or, jo! Por, a më thua dot se me tërë atë çimento e hekur, që ka  ky bunker, a u bën dot ballë gjyleve të topit?

– Sigurisht, sigurisht! Se nuk kursehet gjë për bunkerin! Me materialet që ha ky, mund të çohet në këmbë një shtëpi me dy kate!

– Pa shiko, pa shiko! E po, duke i pasur këta, na e marrka të keqen armiku, thuaj!

Të nesërmen, sapo hëngrën groshën e mëngjesit, oficeri  i mensës e njoftoi ushtar Kamberin që të paraqitej menjëherë në zyrën e  komisarit.

Kamberi shkoi dhe, kur arriti, sapo hapi derën e zyrës, u gjend përballë tre oficerëve pa kepele.

– Shoku komisar, sipas urdhërit tuaj, ushtar Kamber Holta ju paraqitet! – tha ai në qëndrim gatitu, duke nderuar me grusht mbi vsh.

Kaluan disa çaste në heshtje, pastaj komisari u ngrit në këmbë dhe, ndryshe nga herët e tjera, i bërtiti:

– Je i arrestuar! Merr vesh? Të hënën do të dalësh para gjyqit ushtarak!

– Unë!? Pse!? Ç’paskam bërë!?

– Ke guxuar të nxjerrësh jashtë sekretin ushtarak për bukerët dhe je marrë me axhitasion e propagandë!

– S’është e vërtetë, shoku komisar!

– Hajt, pusho, se nuk ia fusim në tym ne! Kemi dëshmitarë tre ushtarët që punojnë me ty dhe Lamçe Gurin nga Darzeza! Tani e pata këtu, në zyrë!

Kamberi u trondit. Njëri prej ushtarëve ishte shoku i tij më i ngushtë, kurse Lamçja, siç i tha vetë, qenkësh mik e shkuar mikut me të atin!

About Redaksia

Check Also

Vilhelme Vranari, rrugëtimi letrar dhe publicistik…

INTERVISTË ME SHKRIMTAREN SHUMËDIMENSIONALE VILHELME VRANA HAXHIRAJ (VI) EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU Në këtë pjesë përmbyllëse të …

Leave a Reply