Kreu i Grupit të opozitës, Gazment Bardhi, ka folur mbrëmjen e sotme në lidhje me zhvillimet e fundit politike, duke nisur nga aksioni opozitar ne Kuvend si dhe akuzat e ngritura nga SPAK për ish-kryeministrin Sali Berisha, për çështjen Partizani”.
Në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, Bardhi është shprehur se sipas tij, çështja penale ndaj Berishës nuk do të ndikojë në betejën e grupit parlamentar me qeverinë dhe për kërkimin e të drejtave të opozitës.
Ndër të tjera paralajmëroj përplasje në Kuvend gjatë seancës së radhës, ndërsa theksoi se “përsa kohë opozita nuk ushtron dot normalisht funksionet e veta, edhe maxhoranca nuk do t’i ushtrojë dot dhe të bëjë sikur nuk ka ndodhur asgjë”.
Ndërsa ka komentuar seancën e fundit, ku për shkak të aksionit opozitar u përjashtuan 26 deputetë me 10 ditë, Bardhi është shprehur se 26 deputetët e përjashtuar do të jenë të hënën në seancë.
“Kam vënë në dijeni partnerët për atë çka po ndodh në parlament, që opozitës i është mbyllur çdo rrugë institucionale brenda parlamentit. Praktikisht nuk na njihet mandati i deputetit, të ndërhysh në çështje të brendshme të grupit të PD duke tentuar të poshtërosh 90% të deputetëve të opozitës, të mohosh të drejtën e 45 deputetëve për ngritjen e komisionit hetimor, të mohosh të drejtën e të 40 deputeteve që të caktojnë përfaqësuesit e tyre në komisionin parlamentar për reformën zgjedhore, të injorosh kërkesat për informacion që janë një e drejtë kushtetuese e deputetëve, të injorosh kërkesat e deputetëve në seanca dëgjimore në komisione, apo kërkesat për interpelanca me kryeministrin dhe me ministrat, do të thotë që ke mbyllur çdo hapësirë institucionale për opozitën në parlament.
Ju siguroj se do të jetë një reagim i opozitës që do të vijojë. Përsa kohë opozita nuk ushtron dot normalisht funksionet e veta, edhe maxhoranca nuk do t’i ushtrojë dot dhe të bëjë sikur nuk ka ndodhur asgjë”.- u shpreh Gazment Bardhi, duke paralajmëruar një përplasje të re të hënën në Kuvend.
Të enjten e kaluar 26 deputetë u përjashtuan me 10 ditë për moslejimin e zhvillimit të seancës, por sipas zotit Bardhi, PS e ka llogaritur 11 ditë, që përkon me seancën e të hënës pasdite, duke mos i lejuar të marrin pjesë më shumë se gjysmën e grupit parlamentar.
“Sjellje të tilla arrogante nuk do të pranohen nga deputetët e opozitës. Ne nuk e kemi mandatin nga Edi Rama. E kemi fituar me sakrificë. Kemi patur përballë në zgjedhje jo një parti politike, por bandat më të rrezikshme kriminale. Prandaj nuk jemi të gatshëm që mandatet tona t’ia dhurojmë Edi Ramës.”– tha Bardhi.
Pjesë nga intervista
Ju do të jeni të hënën në seancë?
Ne do të jemi në seancë, siç e parashikon Rregullorja. Nuk është vullenti i një deputeti të PS apo i Edi Ramës që na lejon ne. Mandatin na e kanë dhënë qytetarët dhe nuk ka asnjë individ, qoftë Edi Rama apo ndonjë zar i tij që të pengojë deputetët e opozitës të ushtrojnë mandatin e tyre. Kjo është një shenjë tjetër që këta individë pasi votojnë çdo aferë korruptive të tij që vjen në Parlament, kanë marrë misionin për të vrarë opozitarizmin. Nuk kemi për ta lejuar një gjë të tillë.
Pra, mesa duket të hënën do të presim një konfrontim ende pa hyrë në sallën e Kuvendit?
Nuk besoj që institucionet e shtetit shqiptar, përfshirë këtu edhe Gardën e Republikës, do të zbatojnë një urdhër të paligjshëm. Cilido që provokon deputetët e opozitës dhe i nxir drejt rrugëve ekstreme, do të duhet të marrë parasysh pasojat e një akti të tillë. E përsëris, kanë marrë një vendim arbitrar që nuk e njohim. Megjithatë ai dënim parashikon 10 ditë, por për deputetët e PS është 12 ditë. Dhe ne duhet ta pranojmë këtë si normalitet? Nuk ndodh diçka e tillë.
Keni një mesazh për kryeministrin Rama, duke qenë se keni zgjedhur të mos komunikoni në rrugë të tjera?
Zoti Rama kupton rrugën e komunikimeve tipike mafioze. Nuk bëj pjesë në këtë kategori, kështu që nuk kam ndonjë mesazh për të. Mesazhi im publik është se zoti Rama duhet të trajtohet si çdo i korruptuar që, në këto 10 vite, ka cënuar interesin publik dhe ka dëmtuar interesat financiarë të shtetit shqiptar.