Të ”zezat” e Berishës dhe neokomunisti Edi Rama

Nga Ilir LEVONJA

Nuk hap dot një faqe gazete se të gjitha merren me Sali Berishën. Thuajse 99% e mureve të blogerëve privatë, prapë me Sali Berishën. Ai sot është figura më e goditur publikisht, aq sa të bën të mendosh se ne jemi në tërësi një popull inatçor ku pavarësisht stadit kohor ku ndodhemi kurrë nuk adaptohemi dot me disa faktorë të rëndësishëm në demokraci: 1) ekonominë e tregut 2) të drejtat e njeriut 3) shtetin ligjor 4) pronën private.

Sali Berisha me ulje-ngritjet, dritëhijet, ku përfshihen ngjarje si 1997-ta, Gërdeci 2008, 21 janari 2011 etj., as nuk krahasohet me atë çfarë bëri Enver Hoxha për 45 vjet me radhë. Sado të bësh kalkulime, qofshin këto edhe me konteks historik, moral, politik, ekonomik apo euroatlantik etj., Sali Berisha është vite drite larg përballë krimeve të Enver Hoxhës dhe kastës së tij. Megjithatë shqiptarët duken në një masë të madhe falë edhe propagandës së makinerisë shtetërore, gati në një denigrim social kombëtar karshi figurës së tij.

Enver Hoxha dhe kasta e tij vranë rreth 6 mijë njerëz, internuan rreth 35 mijë qytetarë megjithatë kurrë nuk pati një denigrim kaq publik. Pra raporti midis dy figurave është totalisht vite drite larg, megjithatë shqiptarët apo pjesa dërrmuese e tyre janë në një kor publik denigrues karshi Sali Berishës. Askush nuk do t’ia di për një proçedure, për një nen ligjor, për të drejtën e njeriut, asnjë moment. Mjaft ta shohin përtokë, mjaft të mbushin gjoksin me atë kënaqësinë e kafshës kur vë prenë e vet tek këmbët. Megjithëse shumë syresh ka qënë edhe vetë pjesë e denigrimit publik, e dhunës shtetërore, e çizmes.

Enver Hoxha nuk u dënua kurrë, as ata që bashkëpunuan dhe manipuluan sa deshën, askush nuk dënua, askush nuk u përndoq dhe persekutua. Madje Enver Hoxha dhe kasta e tij kanë sot parti politike, drejtojnë dikastere të rëndësishëm, institucione të drejtësisë, bankave, doganave. Kanë kapital pasi përfituan publikisht edhe nga demokracia liberale a me nuanca sociale e Sali Berishës, megjithatë askush nuk skuqet, askush nuk drejton gishtin karshi tyre. Janë sot një arsenal i tmerrshëm edhe pse nuk kanë lënë më, sikur një repart ushtarak pa e shitur apo pa kthyer në laborator të bimëve narkotike.

Bash për shtetin e së drejtës, organizata botërore “World Justice” e rendit Shqipërinë me vendet e botës së tretë. Na ka lënë gati 30 vende mbrapa edhe Kosova. Megjithatë vëmendja kombëtare nuk është tek disfatat, tek rënia pikiatë e Shqipërisë. Të gjithë merren me Sali Berishën, me gojën plot shkumë. Duke vazhduar atë ritin e retushimit, të shplarjes së trurit, të bllofit në kumar, të heronjve të rremë.

Dhentë Zoti ka kush memorie, ruajeni këtë orgji se mbase u duhet për të mbrojtur neokomunistin Edi Rama, se akoma nuk keni parë gjë akoma. Të “zezat” e Berishës nuk janë asgjë, përpara bëmave të neokomunistit Edi Rama.

About Redaksia

Check Also

Tallja dhe abuzimi i rëndë i sektit Rama me Vlorën

Nga Bujar LESKAJ Më 7 tetor 2024, Partia Demokratike e Degës Vlorë bëri kallëzim penal në …

Leave a Reply