Kryetari i PD, Sali Berisha në një prononcim para kryesisë së Kuvendit, akuzoi Edi Ramën se e ka kthyer parlamentin në një bunker. Berisha tha për gazetarët se, parlamenti sot ishte i pushtuar nga garda, që nuk lejonte deputetët e opozitës të bënin punën e tyre.
“Sot është një nga ditët më të shëmtuara në historinë e parlamentarizimit. Sot ndërtesa e parlamentit u shndërrua në një repart policor Garde, pëllëmbë e gardistë, natyrisht të urdhëruar, se ata nuk kanë një dëshirë, por kurrë ndonjëherë kjo ndërtesë, përveç kohës së Enver Hoxhës, nuk ka qenë e pushtuar nga çizmet e policisë dhe gardës.
Një akt i turpshëm, një akt i shëmtuar.
Deputetët e opozitës, kryetarja e ashtuquajtur krijoi një përpjekje e cila do të hetohet në mënyrën më të hollësishme, sepse mbylli derën në një kohë kur 5-6 prej tyre ishin në ashensor dhe në ashensor në kat të 4, që në çdo lloj avarie mund të përfundonin në kat të parë, me urdhër të saj.
Ky është turp i madh. Ky tregon se parlamenti ka humbur çdo të drejtë funksionuari në këtë mënyrë. Tregon se Edi Rama e ka shndërruar në një bunker, njëlloj sikur në këtë ndërtesë qeverisnin etërit e tij barbarë, Enver Hoxha dhe Spirokoleka”, tha Berisha.