Mannchester United në kolaps total. “Djajtë e kuq” po përjetojnë “ferrin” këtë periudhë, e kanë shumë të vështirë të reagojnë. Pas humbjes së rëndë të pësuar në derbi përballë City, ekipi i Ten Hag eliminohet edhe nga 1/8 e Carabao Cup, pësojnë një tjetër humbje të thellë 3-0 përballë Newcastle, me Ten Hag që sheh t’i lëkundet stoli në themel.
Pavarësisht se kishin kontrollin e topit, “qymyrxhinjtë” i ndëshkuan thuajse në çdo zbritje, goditen 5 herë kuadratin, por 3 prej tyre përfunduan në rrjetë. Almiron realizoi golin e parë në minutën e 28-të, ndërsa Hall dyfishoi shifrat në minutën e 36-të. United e kishte të vështirë të reagonte, thuajse nuk krijuan asnjë rast të pastër për gol, ndërsa në pjesën e dytë Newcastle realizoi edhe golin e tretë duke mbyllur llogaritë.
Mediat angleze kanë shënjestruar Ten Hag pas kësaj humbje: “Ten Hag, turpërim total”, shkruan Telegraph. Në të njëjtën linjë janë edhe mediat e tjera, por vetë trajneri i pyetur nëse rrezikon shkarkimin, u shpreh se nuk ka ndërmend të dorëzohet:
“Unë marr përgjegjësinë, por e shoh si një sfidë. Unë jam një luftëtar dhe jam në një luftë, por duhet të sigurohem që të ndaj përgjegjësinë me lojtarët e mi, dhe që ne të qëndrojmë së bashku, të luftojmë së bashku dhe të arrijmë rezultate më të mira”, u shpreh Ten Hag pas ndeshjes.