Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë bisedës me të rinjtë demokratë ka komentuar dhe zhvillimet e sotme në komisionet parlamentare dhe tensionet që përfshinë deputetët.
Berisha u shpreh se këta të fundit kanë zgjedhur të bëjnë një betejë në Parlament dhe të luftojnë për interesat dhe idealet e popullit opozitar. Ai u shpreh se në momentin që deputetëve u mbyllen dyert e zyrave të tyre dhe institucioneve, “kjo është gjëmë e vërtetë”.
“Të gjitha këto janë një motiv shumë i fortë për çdo të ri, për çdo të re që të nisë misionin. Ne po bëjmë një betejë në parlament. Një betejë e zgjedhur.
Deputetët kanë zgjedhur të luftojnë vetë. Dhe kanë bërë zgjidhjen më të mirë. Por aty, ata po luftojnë vetëm për interesat e popullit opozitar, për idealet e popullit opozitar.
Përndryshe, diktatura është e plotë kur deputetit i mbyllet dera e institucionit, kur ai normalisht futet në çdo institucion, dhe i mbyllet dera e zyrës së tij, kjo është gjëmë. Gjëmë e vërtetë. Nga kjo gjëmë, vetëm ju me guximin, fuqinë tuaj mund ta shpëtoni Shqipërinë.
Unë kam besim se ju, që keni dhuntinë më shumë se të gjithë të tjerët, më shumë se të gjithë moshat e tjera, të shikoni të bukurën. Që keni guximin. Ju do luftoni kësaj here, që siç u përmbys një diktaturë 30 vite më parë, të përmbyset kjo diktaturë 30 vite më vonë”, tha Berisha.