Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, vendosa t’i kundërvihem regjimit për shkak të dublicitetit dhe votës së lirë. Berisha tha se, në dhjetor ‘90, bashkëmoshatarët tuaj dolën në rrugë, të vendosur, shumë të vendosur.
“Unë isha pedagog në universitet, kisha marrë një vendim që t’i kundërvihesha atij regjimi. Nga pikëpamja materiale isha në rregull. Unë shëtisja, dilja nëpër botë. Paraqisja punimet e mia në kongreset më të rëndësishme. Por kishte dy gjëra që e bënin të padurueshme jetën time.
Njëra nga këto ishte dubliciteti. Tjetër flisnim në kolektiv, me infermierët, studentët apo miqtë dhe tjetër flisnim në privati me njëri-tjetrin dhe kjo ishte homo duplex. Njeriu i dyfishtë.
E dyta, ishte vota. Unë nuk kisha përjetuar kurrë se ç’do të thotë votë e lirë. Jo, se nuk kisha votuar ndonjëherë i lirë. Por problemi është se kur sihja, dilja unë nëpër botë dhe shihja vendet që ishin vite drite para nesh, pyesja veten nga u vjen ky zhvillim, nga u vjen kjo begati.
Nuk kisha njohuri ekonomike, të jem i sinqertë me ju, isha mjek, por mendoja gjithnjë se këta votojnë të lirë, ne nuk votojmë. Këto të dyja, që vinin më shumë nga nuhatje empirike se njohuritë e mia në atë kohë, më shtynë mua të marr një vendim, t’i kundërvihem regjimit.
Pa asnjë shpresë se regjimi do pësonte dëmin më të vogël nga unë, por se ai do bënte çdo gjë ndaj meje, e sigurt. Mirëpo ngjarjet rodhën krejt ndryshe. Në dhjetor 90, bashkëmoshatarët tuaj dolën në rrugë, të vendosur, shumë të vendosur. Nuk u mashtruan dot nga çdo përpjekje, por gjithashtu nuk u trembën, nuk u tërhoqën.
I rrahën ditën e parë, para syve të mi, në mënyrën më të egër, i përplasën sikur të ishin cungje në IFA, një batërdi. Kurse ata do mblidhnin forcë dhe do dilnin në darkë te sheshi për t’u përballur me regjimin. I kallën datën.
Çfarë përjetova unë? Fuqinë. Mrekullia më e madhe që kam përjetuar në jetën time është fuqia e atyre të rinjve. Fuqi me të cilën ata qëndruan të pamposhtur. Jo vetëm qëndruan të pamposhtur, por e gjunjëzuan një diktaturë që vriste bashkëmoshatorët e tyre në kufij, megjithëse kishte hequr ligjin e tradhtisë ndaj vendit, por i vriste me motivin se po shkelin rregulloren e kufirit.
Jo vetëm i vriste, por i merrte trupat e tyre dhe i zvarriste që të tmerronte të tjerët. Mirëpo këta të rinj në Tiranë u bashkuan dhe krijuan një fuqi të jashtëzakonshme, një fuqi nukleare, me të cilën tronditën ne themele diktaturën.
Erdhën më pas ndryshimet e tjera, shumë nga ëndrrat e tyre u bënë realitet, Shqipëria në NATO u bë realitet, Shqipëria si Europa ishte në rrugë e sipër. Por të themi atë që është, gjatë viteve në pushtet, PD arriti t’i japë Shqipërisë një infrastrukturë krejt tjetër. Arriti që një standard tmerrësisht i rëndë për ne, renditja në vitin 1992, në tre vendet më të varfra të planetit.
Nuk e di a ua kam thënë ndonjëherë, e thotë bukur një prift polak, që kalon në 90 nga Greqia në Shqipëri dhe shkon drejt Bosnjës. Unë kisha vizituar shumë vende, kisha parë vende në Afrikë me varfëri të tejskajshme, por vend si Shqipëria nuk kisha parë ndonjëherë. Se në këto vendet në Afrikë, dyqanet ishin plot, por njerëzit nuk kishin para. Këtu njerëzit nuk kishin para dhe dyqanet ishin bosh.
Pra, ndryshoi gjithçka, u krijua një Shqipëri që në vitin 2008 u rendit në mesin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Shqiptarët u bënë qytetarët më të paguar të rajonit. Se çdo vend tjetër, përfshi dy vende të BE, Bullgarinë dhe Rumaninë.
U anëtarësua në NATO, mori rekomandimin e KE për statusin e vendit kandidatit dhe projekte madhore të një rëndësie të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe Europën, si TAP-i, ishin vepër e asaj qeverie.
Dua t’u informoj se nga heqja e vizave në vitin 2010, deri në vitin 2013, në Republikën Federale të Gjermanisë, kërkuan azil vetëm 430 shqiptarë. Dhe ishte shifra më e ulët.
Pra, kishte një besim. Njerëzit pranë nuk ishin të pasur, por një varfëri në rënie dhe një shpresë dhe besim te vendi i tyre në rritje”, u shpreh Berisha.