DEKLARATË PËR MEDIA KRYETARJA E KOMISIONIT TË APELIMIT, ADRIANA KALAJA
Ndërkohë që qeveria dhe patericat e saj vazhdojnë planin e qartë për asgjesimin e opozitës së vërtetë, shkatërrimi i Tiranës nëpërmjet betonizimit dhe vjedhjes vijon. Ky betonizim, që ka pushtuar tokën dhe ka kapur qiellin, nuk është gjë tjetër veçse pastrim i produktit të veprës penale, theksuar kjo dhe nga autoritetet italiane të Antimafies.
Rasti që denoncojmë sot, jo rastësisht lidhet me një nga zonat më të lakmuara në Tiranë, rrugën “Myslym Shyri”.
Zëvëndësuesi i Benet Becit në parlament, Frrok Gjini, ka marrë leje ndërtimi nga dyshja që drejton grupin e strukturuar kriminal të Rilindjes, Rama – Veliaj, si shpërblim për vjedhjen e votave me 14 maj në Shkodër.
Skema është e njohur: paratë e shpenzuara në fushatë për të blerë dhe intimiduar, j’ua kthejmë me ndërtime në zonat më të lakmuara të Tiranës.
Sipas ekstraktit të QKB-së, në emër të shoqërisë “Nord Konstruksion”, që ka ortake me 50% të kapitalit znj. Kristina Gjini, bashkëshortja e deputetit Frrok Gjini, është dhënë leja e ndërtimit sipas Vendimit Nr.5-22434/6 nga Bashkia Tiranë. Leja është bazuar në delegimin e kompetencave nga KKT, drejtuar nga Kryeministri Rama, në shkelje flagrante të vetë Planit të Rregullimit Vendor.
Cilat janë këto shkelje:
Ndërtimi bëhet në një zonë me densitet shumë të lartë për m2, dhe fakti që objekti ndërtohet në mes të 4 pallateve e shton më shumë densitetin e ndërtimit për frymë.
Kulla që do ndërtohet do ketë 12 kate, ndërkohë që vetë Plani Vendor e ka parashikuar në maksimum 10 kate.
Plani vendor ka parashikuar lartësinë e një kulle me maksimumin 32 metra, ndërkohë që kulla e deputetit shkon në 49.56 metra.
Këto janë të gjitha shkelje dhe jetojmë në qytetin ku një banori të palidhur me pushtetin i shkojnë me pranga se rrefgullon ballkonin.
Ajo që të bën habi është edhe avullimi i aktivistëve part time, që nuk ngurruan të protestonin në verën e nxehtë, të nxehur edhe më shumë nga thashethemi i përhapur nga regjimi, që e lidhte kullën në pronë private me familjen e kryetarit të opozitës…
Njerëzit e dinë shumë mirë se pas çdo kulle fshihet dyshja drejtuese e GSK Rama – Veliaj, që me kullat pastrojnë paratë dhe me paratë e kullave financojnë shkatërrimin e opozitës dhe blejnë zgjedhjet.
Kjo çështje do përcillet në SPAK, ashtu si kundër çdo abuzim me pronën, paratë publike dhe qytetin e Tiranës.
SPAK mund të “përtojë” tani, por një ditë drejtësia do bëhet dhe hajdutët dhe kriminelët do të marrin hakun.