Një fëmijë i dhunuar dhe një shitës i persekutuar

Nga Elona CASLLI

Ngjarja e fëmijës 3 vjeç me këmbën e thyer nga dhuna e ushtruar nga edukatorja dhe deklarata e Ministrisë së Arsimit dhe e Sportit që ka deklaruar se kopshti privat në fjalë është pa licencë, të vë pashmangshmërisht përballë pyetjes: Si ka mundësi që në këtë qytet policia persekuton një shitës ambulant me një tufë sallatë jeshile dhe është krejt e verbër para një biznesi privat në unazën e Tiranës që ushtron aktivitetin e tij në mënyrë krejt të paligjshme?!

Si ka mundësi që një kopsht privat pa licencë ndihet aq komod sa hap faqe reklame në rrjetet sociale?!

Dhuna e ushtruar ndaj një fëmije 3 vjeç në një kopsht privat (me ose pa licencë) tregon papërgjeshmërinë e strukturave shtetërore që jo vetëm nuk kanë monitoruar situatën, por e ka lënë në gjendje të lirë derisa kjo situatë të përshkallëzohej në këmbën e thyer të një fëmije 3 vjeç.

Ky nuk është rasti i parë i dhunës në kopshte private. Për t’i dhënë licencë një kopshti privat, ky i fundit duhet të plotësojë disa kushte duke u nisur që nga ambientet deri te shkollimi apo testet psikologjike të edukatoreve që do të përkujdesen për fëmijët.

Çdo prind i drejtohet një kopshti privat për një shërbim më cilësor dhe një përkujdesje të shtuar për fëmijën e tij. Çfarë merr ky prind në këmbim?! Një fëmijë me një këmbë të thyer dhe një deklaratë nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit e cila pohon mbylljen e kopshtit.

Post Scriptum- Kopshti do të mbyllet, por a do të mbajë njeri përgjegjësi për ekzistencën e tij ndër vite?! Sa fëmijë janë dhunuar në këtë kopsht?!

About Redaksia

Check Also

Qeni biblik dhe shanset tona për një anëtarësimi të plotë në BE

Nga Genc POLLO Në fillim për qenin… “Si qeni që kthehet tek të vjellat e …

Leave a Reply