Marrëveshja që do të sjellë fundin e Edi Ramës!

Nga Enver BYTYÇI

Nuk është hera e parë dhe nuk është i pari kryeministri i Shqipërisë që me eufori prej narcisti luan me fatin e vendit të tij! Edhe miku i tij, Hashim Thaçi, luajti me fatin e vet e të atdheut të tij, kur u angazhua për ndryshimin e kufijve të Kosovës e në Ballkan dhe para tri vitesh përfundoi në qelitë e Hagës. Bashkë me Thaçin asokohe ishte gjithashtu Edi Rama, por nuk do ta pësonte për rolin e vet në destabilizimin e Ballkanit, sepse nuk ishte vendimmarrës!

Nëse iniciativa për ndryshimin e kufijve ishte fundi i Hashim Thaçit, ka shumë indikacione se marrëveshja Rama-Meloni do të sjellë fundin e kryeministrit të Shqipërisë. Reagimet e ditëve të para janë të mjaftueshme për të menduar se kjo marrëveshje nuk u ka pëlqyer shumë prej aleatëve evropianë. Reagoi, përveç BE-së, edhe Amnesty International për të drejtat e njeriut. Britanikët janë të zemëruar me faktin që Rama nuk pranoi një marrëveshje si kjo me Melonin edhe me Mbretërinë e Bashkuar! Gjermanët janë të zëmëruar, sepse besojnë se Italia e as ata vetë nuk mund të bëjnë pazare të tilla të njëanshme e të fshehta me vendet kandidate për anëtarësim në BE pa u konsultuar me Brukselin. Parisi ka frikë se mos Italia kapërcen ylberin francez të Ramës! Vendet e Evropës veriore dhe qendrore kanë frikë se një kamp refugjatësh gjithëllojesh në Shqipëri do të bëhet objekt gjuetie i këtyre vendeve.

Të gjitha vendet evropiane janë bërë nerv për shkak të kësaj marrëveshjeje të nënshkruar me deklarata dashurie midis Melonit dhe Edi Ramës. Në fund të fundit, ashtu si në rastin e kufijve të Kosovës, kjo marrëveshje ka krijuar një precedent të rrezikshëm. Në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk ka nënshkruar dikush marrëveshje si kjo, ku përcaktohet edhe mosha, gjinia, apo nëse refugjatët që transferohen në Shqipëri duhet të jenë te tredhur apo jo! Ndërkohë që është shkelur rregulli themelor europian në politikën e jashtme, sepse marrëveshje të tilla duhet të jenë produkt i politikave të përbashkëta dhe vendimmarrjes së përbashkët. Për këtë duhet ndëshkuar më shumë Meloni, por si gjithnjë, karamelen nuk e hanë të fortët, ndaj i mbetet Ramës të thyej dhëmbët me të.

Karakteristikë interesante e sjelljeve të Edi Ramës, sidomos me partnerët ndërkombëtarë, është afrimi në menyrë servile me ta në fillim dhe më pas mohimi i partneritetit me ta. Kështu ka ndodhur me Angela Merkel. Një ftohje e padiskutueshme u duk gjithashtu gjatë samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë me kancelarin Scholz. Autoritetet britanike, ndonëse me elegancë, e kanë bërë dalje pas karagjozllëqeve të kryeministrit shqiptar, pikërisht për çështjen e refugjatëve shqiptarë të gomoneve që kalojnë La Manshin drejt Londrës. Gjithkush e ve re edhe ftohjen e marrëdhënieve të Ramës me presidentin turk Erdogan, por edhe me autoritetet politike të Athinës. Ka ngelur ende Aleksandër Vuçiç, por edhe në këtë rast Rama është në dilemë, nëse presidenti i Serbisë do të mbijetojë pas Banjskës apo jo! Ndaj mori në mbrojtje Serbinë pas 24 shtatorit, ashtu si më parë, me qëllim që ta shpëtojë varkën e Aleksandër Vuçiç!

Në këto kushte marrëveshja me Melonin e dobëson akoma më shumë kryeministrin e Shqipërisë. Nuk dihet se çfarë premtimi ka marrë Rama në këmbim të firmës së tij. Mosndëshkimin për implikimin në krime, apo ndonjë post në ndonjë institucion ndërkombëtar. Por duket qartë se Meloni mund të ketë mundësi ta shpërblejë Ramën me anëtarësimin në ndonjë bord drejtues në Itali, por jo më shumë se kaq. Aq më tepër se marrëveshja e zbulon faktin e një pakti të dyshimtë e të pamoralshëm.

Por nuk përjashtohet mundësia që në Shëngjin, ku do të grumbullohen 36 mijë refugjatë në vit, të krijohet një kamp refugjatësh si kamp përqendrimi. Dhe në këtë rast, në kushtet kur qeveria e Romës apo e Tiranës nuk mund të përdorin armët, protesta dhe revolta e tyre do të jetë pas derës. Ata njerëz, të gjithë të fuqishëm, kanë potencial që të djegin e shkatërrojnë jo vetëm Lezhën, por edhe Shkodrën. Kjo është arsyeja pse Rama nuk i dërgoi këta refugjatë në Vlorë. Vlonjatët do e digjnin vetë Ramën. Ndërkohë do të reagonte Athina dhe Rama nuk dëshiron thellimin e konfliktit me Greqinë. Për kampin e përqendrimit të refugjatëve në Lezhë nuk reagon Kosova, as Mali i Zi! Kryetari proserb e prorus i parlamentit të Malit të Zi mezi pret qe veriu i Shqipërisë të digjet flakë.

Ngado që ta sjellësh, marrëveshja Rama-Meloni do të sjellë fundin e Edi Ramës. Së paku fundin politik të tij. Partnerët e revoltuar evropianë për këtë mund të përshpejtojnë deklasifikimin e provave që implikojnë kryeministrin shqiptar në lidhjet e tij kriminale me mafien, së cilës i shërben edhe kjo marrëveshje. Ndaj them se ajo rrezikon edhe fundin e jetës së Edi Ramës në liri! Duroni edhe pak muaj, sa të fillojë implementimi i kësaj marrëveshjeje! Por kjo nuk do të thotë që ne shqiptarët duhet ta lejojmë kryeministrin e vendit ta zbatojë marrëveshjen në fjalë. Ai nuk mund të sillet si zot i atdheut tonë! Dhe pikërisht këtë duhet tia mësojmë atij mirë!

About Redaksia

Check Also

Odisea e aeroportit të Lumalasit, si gënjen prej 10 vitesh Raqka i Korçës

Pas një dekade në krye të Bashkisë së Korçës, në fushatën elektorale për mandatin e …

Leave a Reply