Kryetari i PD, Sali Berisha paralajmëroi Edi Ramën nga Durrësi se nuk do t’i shpëtojë dot këtij revolucioni! Berisha tha se, Opozita është në këmbë, opozita është në aksion.
“Kur dëgjoni sot këtu, me shumë të drejtë mund të pyesni: pse kjo, pse ky kushtrim tani? Po, me ju do flas haptas. I kishim disa detyra për t’i kryer. I kishim.
Ndoshta rendi i tyre mund të ishte edhe më ndryshe, por gjykoj se kryerja e tyre ishte e domosdoshme.
Kaluam një proces, asnjëri prej jush nuk e donte, por na diktoi një proces. E kishte futur në xhep atë pazarxhiun tonë. Pas tij, erdhën zgjedhjet.
Çdonjëri prej nesh e dinte se zgjedhje nuk do kishte, por ne zgjedhjet nuk mund t’i braktisnim sepse me braktisjen e zgjedhjeve lokale, ne u bëmë faktor për rikthimin e monizmit në pushtetin vendor.
Ne duhej të merrnim pjesë. Ne jemi parti e pluralitetit dhe pluralizmit.
Mirëpo fushata dhe protesta nuk shkojnë. E hoqëm edhe fushatën. I pamë fytyrat e vërteta të krimit. I pamë në Durrës që erdhën nga Dubai për të shkelmuar votën tuaj, i pamë në Shkodër që dolën nga burgjet për të marrë votën e Shkodrës, i pamë në Elbasan si dolën vrasësit për të marrë votën, i pamë në Lushnje, i pamë kudo.
Pra, ne përjetuam një proces, për të cilin nuk e falim kurrë Edi Ramën. U detyruam të futemi pa emër dhe pa logo në fushatë. U detyruam të garojmë me 61 kandidatë, pa asnjë qindarkë nga fondet publike. U detyruam të garojmë pa asnjë numërues, u detyruam të garojmë në një kohë kur ky narkodiktator shpërndau 683 mijë zarfa me 50 mijë lekë për të blerë votat e pensionistëve. Në një kohë kur ky narkodiktator shpërndau miliona për dëme tërmeti, etj.
Mendoni se i detyruam këto për t’u nënshtruar? Jo, kurrë, nuk ka forcë në botë që na nënshtron ne në të drejtën tonë. Por i detyruam këto për të korrigjuar atë vendim të tmerrshëm që kishim marrë për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Dhe në gjithë Shqipërinë, ne kishim vetëm një kryetar bashkie. Dhe unë e sulmoj atë për monizmin, por partia ime ishte shndërruar në levë të tij për vendosjen e monizmit.
Ky durim mori fund, zgjedhjet mbaruan, ia pamë fytyrën, e pamë që ky ishte një armik i egër i votës së lirë. E pamë se si këtu në Durrës, Shkodër, Elbasan, Tiranë, kudo, krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim.
Tani është koha e betejës. Tani jemi në fushë. Tani është koha e fitores. I them atij, i them Edi Ramës, çfarë do që të bësh, nuk do i shpëtosh dot këtij revolucioni. Nuk do i shpëtosh dot kësaj kryengritje. Nuk do i shpëtosh dot kësaj lëvizje. Opozita është në këmbë. Opozita është në aksion. Opozita është në fitore.
Rroftë Durrësi, rroftë fitorja!”, përfundoi Berisha.
Check Also
Zhupa: Në 8 vitet e qeverisjes së PD janë bërë vetëm 26 përjashtime, PS vetëm në një sesion përjashtoi 46 deputetë
Deputetja e PD, Ina Zhupa gjatë fjalës së saj në Kuvend tha se, në 8 …