Kryetari i PD, Sali Berisha iu drejtua qytetarëve të Durrësit, po pse nuk dashka të hetojmë ne thjeshtrën e Ramës, e cila është e papërmbajtur në tendera? Berisha tha se, kjo është një betejë dhe ne do e fitojmë.
“U largova në vitin 2013, ua them ju me sinqeritet, jo me ndonjë keqardhje të madhe. Një ndërrim pushteti u bë dhe historia e demokracisë është historia e ndërrimit të pushteteve. Së bashku e morëm Shqipërinë nga thellësitë e prapambetjet, u anëtarësua në NATO, u transformua infrastruktura, u dyfishuan të ardhurat. Kishte shpresë.
Kishte të meta, kishte probleme, por do vijonte shpresa. Në dy vitet e fundit të heqjes së vizave, në Gjermani kërkuan azil vetëm 430 shqiptarë. Kurrë nuk mund të mendonim se do vinte një ditë që për ju do votonin Bajrat, do votonte Dervishi, do votonte Lul Berisha, të votonin Avdylajt, etj.
Jo mor jo, do votojmë vetë. Do votojmë vetë dhe atyre vrimën e miut do u tregojmë. Nuk ka kriminelë trima. Krimineli është trim po iu trembe. Po nuk iu trembe, ia mbath si miu.
Po pse ata do votojnë për ne? Jo, ne do votojmë për veten dhe fëmijët tanë. Ata do rrëmbejnë votat tona për Edi Ramën? A do pranojmë ne këtë gjendje ku krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim? A do pranojmë ne që Pëllumb Gjoka të diktojë votën një për një në Velipojë? Dhe këto vota do e shndërrojnë në investitor strategjik? Të vrasë tjetrin dhe t’i marrë 390 mijë metra katrorë plazh.
Çfarë jemi ne? Jo mo nuk jemi ne kurrë ata. Ka një keqkuptim këtu. Ne, këtyre që na sillen kështu, më keq si çdo pushtues, do u tregojmë vendin si Skënderbeu pushtuesve tanë. Do ngrihemi ne.
Nuk ka një komb tjetër, ku shqiptarët të jenë të diskriminuar në një shkallë të tillë. Nuk ka një komb tjetër ku njerëzve t’u mohohet identiteti, t’u mohohet vota. Ku njerëzit të nxiten të largohen nga vendi i tyre.
Nuk ka një kryeministër tjetër, i lidhur këmbë e krye me krimin, që nuk lejon opozitën të ngrejë, siç thotë Kushtetuta, komisionet hetimore parlamentare.
Po pse nuk dashka të hetojmë ne thjeshtrën e tij, e cila është një vajzë 20 a 30-vjeçare, e cila është e papërmbajtur në tendera. Dhe tenderat ia ndalon Kushtetuta asaj. Kushtetuta thotë se ministrat, deputetët, familjet e tyre nuk mund të pëfitojnë një qindarkë nga fondet publike, lokale apo qendrore.
Pra, ku jemi ne? Ne jemi para qenies së mosqenies. Nëse ne nuk qëndrojmë për ju në të drejtën që na njeh Kushtetuta, ne nuk ekzistojmë.
Po cila është alternativa? Të largohemi nga parlamenti? Në asnjë mënyrë, aty do rrimë në çdo akt tonin do shihni kryengritjen tuaj, përpjekjen tonë për përmbysjen e regjimit. Kjo është një betejë dhe ne do e fitojmë”, tha Berisha.
Check Also
Shërbimi urban në Tiranë në koma, Bashkia s’ndërhyn se është peng i ryshfetit!
Nga Besart XHAFERRI Autobuzë urbanë të tejmbushur me kondicionerë jashtë funksionit dhe që nuk respektojnë …