Afera-“Rea”, Veliaj pagoi me paratë e taksapaguesve depozitimin e dherave të kullës së Sahatit

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka denoncuar ditën e djeshme se Bashkia e Tiranës që drejtohet nga Erion Veliaj ka paguar me lekët e taksapaguesve tarifën për depozitimin e dherave dhe inerteve në landfillin e Sharrës të kullës që po ndërtohet në qendër të kryeqytetit, pranë Sahatit dhe xhamisë së “Et’hem Beut”.

Në një deklaratë nga selia blu, Berisha u shpreh se nga një email sekret, i cili u publikua prej tij, është zbuluar se Veliaj ka urdhëruar që kësaj kulle, dherat t’i depozitohen në landfillin e Sharrësm, pa kërkuar që privati të paguajë depozitimin e tyre si të gjithë ndërtuesit e Tiranës.

Sipas Berishës, ky urdhër është dhënë për shkak se projekti i kullës që po ndërtohet aty është projektuar nga kompania ku punon vajza e Linda Ramës, Rea Xhillari. Lideri demokrat shtopi më tej se të gjitha këto i janë dorëzuar SPAK-ut, por sipas tij, ky institucioni drejtësisë fsheh, manipulon dokumente zyrtare, të cilat implikojnë deri në palcë Erion Veliajn.

Gjithashtu, Berisha u shpreh se SPAK po lejon rimarrjen e inceneratorit të Tiranës nga grupi mafioz Pressezi-Lopa, që pretendojnë se kanë gjetur 100 milionë dollarë për të investuar në inceneratorin e Tiranës,

Berisha: Me datën 20 maj të vitit 2019, gjithnjë fjala është për korrupsionin e familjes së kryemafiozit, Edi Rama dhe mëkëmbësit të tij, Erion Veliaj. Këtu do të sjell një rast të pastër korruptiv, se si Veliaj përjashton, apo paguan vetë tarifën për dherat dhe inertet, të kullës që zhduku Sahatin e Tiranës. Erion Veliaj, siç merret vesh nga një email sekret i zbuluar së fundmi, ka urdhëruar që kësaj kulle, dherat t’i depozitohen pa kërkuar që privati të paguajë depozitimin e tyre si të gjithë ndërtuesit e Tiranës.

Kjo ndodh sepse projektuesi i kullës që i zhduku Sahatin, simbolin më të arrirë kryeqytetit, është një vajzë tiranase, është një kompani në të cilën punon një vajzë tiranase me një pushtet të jashtëzakonshëm, që qëndron mbi ligj, mbi Kushtetutë dhe mbi çdo gjë. Kjo vajzë është Thjeshtra e Parë e vendit, Rea Xhillari, vajza e familjes Rama. Kështu, me datën 20 maj të vitit 2019, Ana Lloshi, vartësja e Taulant Tushës, drejtor i Përgjithshëm i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, i dërgon një email Namik Simixhiut, drejtor i mbetjeve, vartës direkt i Erion Veliajt, ku i shprehet se ka disa problematika në lidhje me rakordimin e depozitimit të mbetjeve.

Po citoj:

DPN 1, Ndërmarrja Numër 1 e Bashkisë Tiranë, fatura numër 0066967, datë 2.5.2019, nuk është hedhur në tabelën përmbledhëse të javës.

Pesë minuta më vonë, Namik Simixhiu iu dërgon këtë email Denisa Tollkuçit, punonjëse e Klodian Zotos. Pas dy orësh vjen përgjigja në email, ku një kopje i është përcjellë edhe Klodian Zotos.

Citoj:

DPN1, faturë numër 0066964, datë 2.5.2019 është depozitim që është kryer për llogari të bashkisë.

E kuptoni apo jo? Paratë e taksapaguesve shkojnë për të paguar depozitimin e dherave të privatit. Po me urdhër të kujt thoni ju? Me urdhër të Zotos, pasi kryhet nga kantieri ngjitur me Sahatin. A e imagjinoni ju që Zoto bëhet edhe zot i bashkisë? Sigurisht vetëm me urdhër të Erion Veliajt.

Me pak fjalë, po flasim për mospagimin e tarifës së depozitimit të dherave në landfillin e Sharrës. Në rastin konkret bëhet fjalë për dherat e kullës private, e cila i ka zënë frymën kullës së Sahatit dhe xhamisë ‘Ethem Beu’. Kjo është kulla, e cila është projektuar nga famozja 51EN4E, ku punon Thjeshtra e Parë e Shqipërisë, Rea Xhillari, vajza e familjes Rama. Të gjitha këto i janë dorëzuar SKAP-it të partisë, por SKAP-i i partisë si një organizatë e vërtetë kriminale, fsheh, manipulon dokumente zyrtare, të cilat implikojnë deri në palcë Erion Veliajn, Edi Ramën, organizatën kriminale të djegësave në Shqipëri. SKAP-i i partisë, gjithashtu në heshtje, po lejon rikthimin apo rimarrjen e djegësit të Tiranës nga grupi mafioz Preseci-Lopa, të cilët pretendojnë se kanë gjetur 100 milionë dollarë, sipas burimeve afër tyre, paratë e Pasdaranit të Iranit.

About Redaksia

Check Also

U gjetën 240 mijë euro fatura vetëm për garderobën e Ajolës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në takimin e organizuar nga dega e PD Kamëz vazhdoi akuzat …

Leave a Reply