Berisha: Në shtetin e mafies ligji nuk ka vlerë! Buxheti u miratua në klube me tava bakllavaje

Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se buxheti i vitit 2024 është tepsia e pushtetit dhe miratohet në klube me tava bakllavaje, ndërsa shtoi se ky është buxheti i vjedhjes më të madhe në historinë e Shqipërisë.

Berisha u ndal edhe te aksioni opozitar parlamentar ku tha se deputetët e opozitës nuk do të ndalin aksionin e nisur në Parlament derisa të plotësohen kërkesat e tyre.

“Ky buxhet është i pari në historinë e këtij vendi, që kalon në mënyrë klandestine, pa asnjë takim me qytetarët, grupet e interesit, që miratohet në klube me tava bakllavaje, me pretendimin se kjo do të jetë bakllavaja e popullit. Miratohet në zoom në kundërshtimin më flagrant të ligjeve, të cilat parashikojnë zoom vetëm në gjendje të jashtëzakonshme dhe pandemi.

Por në shtetin e mafias, ligji nuk ka vlerë. E gjitha kjo që shohin shqiptarët ka lidhje me një problematikë që nuk ka ekzistuar kurrë në 32 vite në historinë e këtij vendi. E gjitha kjo që shohin shqiptarët që buxheti, ngjarja më e madhe parlamentare e vitit, kalon mënyrë klandestine, vjen për shkak të mohimit të plotë të të drejtave kushtetuese të atyre që përfaqësojnë 600 mijë shqiptarët, të cilët me gjithë kushtet tejet të veçanta, nuk u shitën, nuk u blenë, nuk u trembën, por votuan kundër qeverisë, dhe për deputetë e saj.

Mohimi i këtyre të drejtave kushtetuese në parlament përbën defakto ekzekutimin politik të opozitës dhe përfaqësuesve të saj në parlament. Por deputetët e opozitës kanë vendosur të qëndrojnë në parlament, me një qëndresë, betejë pa kthim për rivendosjen e të drejtave kushtetuese të cilat në aparencë janë të tyre, por në thelb ato janë të drejtat kushtetuese të çdo shqiptari dhe opozitari, por jo vetëm. Opozitë apo jo, shumica e shqiptarëve janë për pluralizmin politik. Ajo që ndodh në parlament është asgjësimi i pluralitetit politik.

Pra kushtet në këtë vit, buxheti diskutohet si në gjendje lufte. Ose buxheti u diskutua sikur të ishte një pandemi nga të rëndat, njërën prej të cilave e përjetuam edhe ne, ndërkohë që ky vit nuk ka gjë tjetër përveç fuqizimit të pushtetit të mafias që nuk respekton asnjë rregull, asnjë ligj.

Ne me gjithë këtë situatë, unë e vlerësoj shumë angazhimin e departamentit të ekonomisë dhe sipërmarrjes pranë PD-së, për të organizuar këtë debat dhe për të paraqitur para shqiptarëve të gjithë analizën tonë, propozimet tona për buxhetin e vitit që vjen. Duhet thënë, në krye të radhës, ky është buxheti i vjedhjes më të madhe shtetërore në historinë e Shqipërisë. Kjo është e vërteta, realiteti.

Të parashikosh 400 mln euro, sepse mbyll portin me kapacitet real 4 milionë ton përpunim mallrash në vit dhe me mundësi reale për të kaluar në 6-7 mln, vetëm e vetëm se Edi Rama dhe klani i tij, duan të pasurohen duke marrë 1.4 mln metër katrorë tokë truall në Durrës, duke krijuar aty lavatriçen më gjigante në Europë, në të cilën ai që paraqitet si investitor është i zotuar se do të investojë nga 4-5 miliardë euro, gjithsej 70 mln euro, por që të gjitha janë para të mafias shqiptare të depozituara në Dubai, Shqipëri apo në Meksikë që sot është një nga mafiet më potente të planetit, e lidhur e tëra me qeverinë, me Edi Ramën që do të ndërtojë parajsën e tij, Dubain e tij, Dubain e mafias shqiptare dhe asaj botërore, duke dënuar një qytet, një popull.

Durrësi dhe porti, në histori kanë qenë një binom që kurrë nuk janë ndarë. Durrësi ka mbijetuar. Qytetet janë zhdukur në mijëra vite, jo pak, por Durrësi nuk është zhdukur kurrë për shkak të portit të tij. Është zvogëluar, zmadhuar, sipas kohërave, por ka mbetur përsëri porta jonë kryesore drejt perëndimit”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Drama e shkollës, vetëm 22 studentë të rregjistruar tek Gjeografia, 7 tek Fizika, 0 tek…

Arkeologjia dhe trashëgimia kulturore, është një ndër programet me më pak interes në Universitetin e …