Ekperti i ekonomisë pranë PD-së, Dorian Teliti ka hapur takimin me drejtues dhe anëtare departamentesh të Partisë Demokratike, ku po diskutohet buxheti i vitit 2024. Në fjalën e tij, Teliti theksoi se ky nuk është projekt buxheti i shqiptarëve por tepsia e pushtetit.
Teliti: I nderuar Doktor Berisha, të nderuar drejtues dhe anëtare departamentesh të Partisë Demokratike, të nderuar ekspertë, zonja dhe zotërinj.
Dua t’ju falënderoj përzemërsisht për pjesëmarrjen tuaj në këtë toënhall mbi zhvillimet ekonomike dhe projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.
Ky bashkëbisedim merr një rëndësi të veçantë nisur edhe nga zhvillimet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë, ku mazhoranca në shkelje të plotë të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit, i mohon opozitës parlamentare të drejtat e saj kushtetuese dhe po zhvillon disa pseudo-diskutime mbi projektbuxhetin në formatin antiligjor online.
A është projektbuxheti 2024 i shqiptarëve apo i tepsisë së pushtetit?
Më lejoni disa konstatime të përgjithshme.
Ky nuk është projekt buxheti i shqiptarëve, pasi rrit me 65 milionë euro barrën fiskale, ku më të goditurit janë profesionistët e lirë të cilët nga 1 janari do taksohen me 23% për aktivitetin e tyre.
Ky nuk është projektbuxheti i arsimit, i kërkimit shkencor, i eliminimit të klasave me dy turne për fëmijët tanë, pasi fondet e dedikuara direkt për arsimin janë vetëm 2.3% të PBB-së, dy herë më pak se nevojat e këtij sektori.
Ky nuk është projektbuxheti i shëndetësisë, i rritjes së fondeve për rimbursimin e ilaceve, investimeve aq të nevojshme në spitale dhe qëndra shëndetësore, pasi vetëm 2.8% të PBB-së janë fondet e dedikuara direkt për këtë sektor.
Ky nuk është projektbuxheti as i fermerit, i cili vazhdon të vuajë skemën vrastare të diferencimit të TVSH-së në hyrje-dalje dhe subvencionet vazhdojnë të jenë të paktën 3 herë më të ulta sesa nevojat reale të sektorit. Vazhdojmë edhe për vitin e ardhshëm të renditemi të fundit në rajon për mbështetjen e fermerit dhe agroindustrisë.
Ky nuk është as projektbuxheti i pensionistëve dhe shtresave në nevojë. Pensionet nuk do të kenë rritje reale, në rastin më të mirë do të indeksohen, ndersa pagesat shtresat në nevojë as indeksim nuk do të përfitojnë.
Ky ama është projektbuxheti i tepsisë, pasi si llokma bakllavaje do kafshohet buxheti nga fatura prej 134 milionë euro për 10 koncesione PPP. Këto 10 PPP do marrin fonde 3 herë më shumë sec do marrin gjatë gjithë vitit te ardhshëm 64mijë familje që trajtohen më ndihmë ekonomike.
Ky është projektbuxheti i tepsisë së pagesës së faturave të vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, ku spikat rasti Becchetti, pasi janë të paktën 195 milionë euro detyrime të njohura tashmë zyrtarisht nga vetë qeveria, dhe fatkeqësisht disa herë më të larta janë ato që priten të zyrtarizohen gjatë muajve në vijim.
Ky është projektbuxheti i tepsisë i cili parashikon një faturë financiare në kurriz të shqiptareve prej 400 milionë euro për portin e ri në Porto Romano.
Këto jane disa nga të vërtetat e këtij projektbuxheti, i cili nuk rrit mirëqënien e shqiptarëve, përkundrazi, pasi nuk mbështet ekonomike reale dhe prodhuesin vendas, godet sipërmarrësit dhe profesionistët e lirë, braktis rininë, arsimin, shëndetësinë, fermerin, len pas dore pensionistët, shtresat në nevojë dhe ish te përndjekurit politikë.
Ky projektbuxhet nuk adreson as sfidat akute që ka sektori i turizmit, as fenomenin e emigracionit, dhe nuk mbështet as familjen shqiptare që të rrisë numrin e lindjeve pasi nuk ka mundësi të përballojë kostot e jetesës së fëmijëve të tyre.
Si përherë me këtë projektbuxhet do vazhdojnë të fitojnë dhe të pasurohen vetëm një grusht njerëzish të lidhur me pushtetin, ndërsa shqiptarët do vuajnë e do largohen gjithnjë e më shumë.
Pa dashur të zgjatem më tej, kam kënaqësinë t’ia jap fjalën Liderit të Opozitës, Prof.Dr. Sali Berishës.