Shekulli shqiptar i Ballkanit dhe Rithemelimi i PD-së

Nga Akil KRAJA

Euro-spekticizëm, komplot apo thjeshtë korrupsion?

Më dt.2 dhjetor do të zhvillohet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike. Një takim i cili zhvillohet në një kontekst unik. Tetë komisione parlamentare refuzohen ne shkelje te plote te kushtetutës; mbi 10 kontrata korruptive i kushtojnë buxhetit të shtetit qindra milionë euro secila; një seri gjyqesh politike të njëpasnjëshëm po zhvillohen si kurrë më parë njëherazi ndaj institucioneve opozitare e përfaqësueseve të saj. Pasojë direkte e një presidencializimi autoritar të Republikës, kapja e shtetit është totale. Abuzimet janë kthyer në një të përditshme e cila mjerisht, pasqyrohet dhe në nivel ndërkombëtar.

McGonigal-it i ofrohen puse nafte. Blair-it kontrata familjare. Melonit porti i Shëngjinit. Më herët Aleksave u ofrohej Ballkani i hapur. Sot në opinionin publik është konsoliduar mendimi se pushteti i Edi Ramës i korrupton njësoj të gjithë, si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Një konstatim që fsheh në fakt një euro-skepticizëm të kamufluar, dhe që ushqehet nga teori komploti ksenofobe me zëvendësim popullatash e vendimarrje okulte. Dhe si mos t’u japësh të drejtë. Rama prodhon material te bollshëm per të faktuar çdo akuze të tillë ndaj tij.

Përballë një eksodi historik, propozon një pakt jo-transparent emigracioni me Italinë i cili ka ngritur shqetësime në Bruksel dhe të dy krahët e Adriatikut. Korruptimi kryeministror i një Drejtori të FBI prodhoi një non-grata që plasariti besimin e pakushtëzuar shqiptaro-amerikan. Deklaratat dhe përfshirja antagoniste në punët e brendshme te Kosovës, theu si asnjëherë bashkëpunimin me Prishtinën. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë janë ngrirë për shkak të një gjyqi aspak periferik.

Kaq shume vatra skandalesh, lokale e ndërkombëtare. Çfarë po ndodh? Burimi i kësaj krize kombëtare nuk mund të jetë veçse struktural. Pas masakrës elektorale të vitit 2021, OSBE i cilëson zgjedhjet lokale të 14 majit si një dështim demokratik. Prej vitit 2013, progres raporti i BE-së është kthyer në një regres raport të përvitshëm. Sipas FMN-së, amnistia fiskale që mund të zyrtarizohet së shpejti, është vijim i një ekonomie të kriminalizuar betoni. Zëvendësimi i parlamentarizmit llogaridhënës, me një drejtësi politike që rrëmben vulën e kërcënon përfaqësuesit opozitar, duket si hapi i rradhës në tentativën autoritariste për të kufizuar pluralizmin dhe liritë politike.

Albanofobi historike apo keq-qeverisje momentale?

Shqiptarët po largohen, masivisht. Ata po vihen përballë skandalesh anti-kombëtare të cilët shkojnë përtej financimeve e interesave malinje ruse, tanimë të vërtetuara. Shqipëria në rrezik është një realitet politik, diplomatik, ekonomik, e demografik. Këtu buron thelbi përse opozita e mbledhur më 2 dhjetor, gjëndet përballë një vendimarrjeje e cila tejkalon kufizimet e një kuvendi statutor. Shqipëria në rrezik nuk është thjeshtë një slogan ashtu siç nuk mund të jetë as opozita në aksion.

Në një krah ofrohet një Shqipëri që zvogëlohet, me më pak bashkëkombës e më pak demokraci. Në krahun tjetër, një Shqipëri që rritet falë garantimit të votës së lirë për çdo shqiptar, përfshi në diasporë. Në një krah ofrohet jugo-nostalgjia e Ballkanit të hapur, në krahun tjetër një Shqipëri e familjes, e besimit dhe e kombit ku gjuha shqipe trashëgohet brez pas brezi nga Ulqini në Shkup, e nga Konispoli në Medvegjë.

Në një krah ofrohet persekutimi i bastioneve të djathta, kriminalizimi i komuniteteve rurale dhe konfliktimi me ato minoritare, në krahun tjetër një Shqipëri që pajton veriun e jugun nën një hapësirë komb europiane ku të drejtat respektohen pavarësisht përkatësive politike, farefisnore, fetare apo etnike. Në një krah janë investitorët strategjikë dhe koncesionet fantazëm, në tjetrin garantimi i lirive ekonomike dhe një kapitalizëm i moralshëm që investohet në një hapësirë ekonomike plotësisht të integruar në tregjet europiane.

Jemi përballë mundësisë për t’u investuar në hapjen e një kapitulli të ri demokratizimi kombëtar. Kriza kombëtare aktuale, perceptimi i një axhende shpopulluese, krisjet me secilin prej partnerëve tanë strategjikë, të gjitha ngjajnë me një lëvizje të dëshpëruar që kërkon të ngadalësojë rrjedhën e zhvillimit normal të territoreve shqipfolëse në rajon. Adresimi i këtyre sfidave, çel oportunitete të jashtëzakonshme për të ardhmen. Ky duhet të jetë shekulli shqiptar i Ballkanit.

Një hapësirë komb për një shekull shqiptar të Ballkanit

Presioni në rritje ndaj dialogut Prishtinë – Beograd dëshmon për një vullnet real nga partnerët perëndimorë për të mos patur në Kosovë një konflikt të ngrirë si ai në Palestinë, apo më keq një Bosnje të dytë. Dy nismat e OpenBalkans dhe të LandSwap ranë. Zgjidhja duket e afërt. Europa, SHBA-të dhe perëndimi mbeten garancia dhe ylli polar i faktorit shqiptar. Ndërkohë, në paralel, me avancimin e lotit më të fundit të rrugës së kombit dhe fillimin e studimit të ndërlidhjes hekurudhore, aksi Durrës – Prishtinë po shkon drejt finalizimit. Kalimi në kufi për qytetarët ndodh pa asnjë barrierë administrative. Një model i lëvizjes së lirë që mund të çohet më tej me lëvizjen e mallrave falë ndërtimit të një porti të thatë shqiptar në Kosovë.

Këto zhvillime, mund të adresojnë një çekuilibrim të hinterlandit shqiptar mes një jugu të pasur e të zhvilluar, dhe një veriu të shpopulluar e të varfër. Një anomali gjeografike kjo e jona krahasuar me kontinentin, nxitur nga politikat diskriminuese ndër vite. Për pasojë, pesha e një tregu kosovar qe po zgjerohet në mënyrë të qëndrueshme, kombinuar me një prodhimtari kulturore kosovare tejet dinamike, mund të krijojnë një ekuilibër të ri për mbarë kombin shqiptar. Ndryshime të mëdha, por dhe të vogla. E vetmja shkollë shqipe në Mal të zi u rinovua vetëm para pak javësh, ashtu siç dhe Ismail Kadare u detyrua të përqafonte këtë realitet të ri duke marrë nga duart e Presidentes Osmani shtetësinë e Kosovës.

Për shekuj, faktori shqiptar është penguar të emancipohet dhe të arrijë potencialet e plota zhvillimore kulturore, ekonomike dhe politike. Kjo po ndodh dhe sot nën krizën e thellë që po kalon Tirana. Në ndryshim nga kontinenti i vjetër, ku revolucioni industrial, përkon në të njëjtin moment me krijimin e shtetit komb dhe futjen konceptit të votës, hapësira shqiptare është ndërtuar në faza. Nëse shekulli i 19-të ishte ai i rilindjes identitare, shekulli i 20-të përkoi me ndërtimin e kapaciteteve shtetërore e politike. Ndaj ky shekull i ri, nuk mund të jetë veçse ai i çlirimit të potencialeve ekonomike dhe të drejtave socio-politike. Integrimi euro-atlantik, bashkëjetesa dhe toleranca, një ekonomi tregu që respekton familjen (konsumatorin) e tokën (mjedisin), dhe së fundmi llogaridhënia demokratike, janë parakushtet e suksesit të këtij projekti.

E ardhmja e PD-së si vijim i rolit historik kombëtar

Kuvendi i 2 dhjetorit, pas atij të 8 dhjetorit, proçesit të rithemelimit dhe bashkimit të grupit parlamentar, simbolizon një moment rikonfirmimi të angazhimit opozitar. Është vijim i një përshkallëzimi të paevitueshëm të një aksioni që synon fundin e krizës së thellë që kalon vendi. Një aksion i cili nuk është në shërbim të interesave private por që vendoset përballë krimit, korrupsionit e kapjes së shtetit nga Edi Rama duke ofruar potencialisht alternativën e një projekti demokratizimi, zhvillimi dhe emancipimi kombëtar.

Në vitin 2013, PD humbi duke qënë në pushtet. Deri në vitin 2021, humbi duke mos patur asnjë pushtet. Cila është rrugëdalja atëherë përballë industrisë kriminale të tjetërsimit të votës konsoliduar gjatë viteve? Përgjigjen e dhanë rreth 550.000 shqiptarë që më 14 maj votuan në kushte ekstreme një opozitë, logoja, emri e burimet e të cilës ishin marrë peng. Votuan kundra bandave kriminale e ministrave të korruptuar. Votuan pro ndryshimit, rithemelimit, qytetarisë. Kundra arrogancës së pushtetit, pro lirisë dhe dinjitetit njerëzor.

Një rastësi ose oportunitet, kuvendi i dt.2 mund të vendoset në rrjedhën e dhjetorit historik mbi të cilin u hodhën themelet e boshtit ekzistencial të Partisë Demokratike. 2 dhjetori simbolizon një mobilizim për të çliruar Shqipërinë, por dhe për të ofruar një alternativë të re. Rithemelimi duhet të vijojë për të mbrojtur pluralizmin politik, familjen shqiptare, asetet kombëtare, por edhe unitetin dhe orientimin perëndimor të faktorit shqiptar. Aksioni politik i sapofilluar, ashtu si dhe sakrificat që mund të kërkohen, i mundësojnë të gjithë spektrit opozitar të shpalosë arsyet që justifikojnë ekzistencën e forcës politike për dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Shqiptarët duan të çlirohen nga kapja e të tashmes, njësoj siç duan të shmangin pengmarrjen e të ardhmes. Sot, Partia Demokratike është sërisht përballë historisë për të shkruar një kapitull të ri të zhvillimit kombëtar.

About Redaksia

Check Also

Tre llojet e protestës në marshimin e sotëm mbi Tiranë

Nga Alfred LELA Sot, në ora 18.00, Partia Demokratike dhe aleatët opozitarë tubohen, në atë që …