Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, nuk mund të bëhemi ata që i nënshtrohen Edi Ramës. Berisha tha se, Rama u merr pronarëve miliona metër tokë dhe ua jep oligarkëve dhe vetes së tij.
“Pse të mos e hetojmë ne ata, në një kohë kur Kushtetuta e ndalon me një nen të veçantë deputetin që familjarët e tij të fitojnë tendera, të pasurohen nga burimet publike.
Kurse familjarët e Edi Ramës çdo javë fitojnë tendera. Atëherë na thoni, çfarë të bëjmë. Të marrim të hetojmë kryetaren e bashkisë Lushnje dhe të mos hetojmë Edi Ramën?
Jo. Ne nuk mund të bëhemi ata që i nënshtrohen Edi Ramës. Ne nuk mund të bëhemi ata që të mos ngremë në emrin tuaj komisionin hetimor parlamentar për të zbuluar të gjitha vjedhjet e tij familjare.
Këtu është beteja dhe këto komisione do të ngrihen dhe ne do të bëjmë hetimin. Ai ka kapur drejtësinë totalisht.
Ju keni dëgjuar rastin e fundit. Burgosi një njeri tërësisht për motive politike, për fajin e vetëm se ai, mes 1 miliardë e 577 milionë metër katrorë që qeveria e PD-së u riktheu pronarëve nga viti 2006 deri ne 2012 dhe ai përfitoi 400 metra katrorë tokë të trashëguar nga familjarët e tij. Në përputhje me të gjitha rregullat.
Ndërkohë që Edi Rama u merr pronarëve miliona metër tokë dhe ua jep oligarkëve. Merr për vete 5 mijë metër tokë në kundërshtim me ligjet për sarajet e veta.
Pra në thoni ju mua. Mund të rrimë ne pa u përballë me të. Çfarë opozitarësh jemi ne, nëse nuk përballemi dhëmb për dhëmb me të.
Çfarë parlamentarësh jemi ne, nëse nuk sjellim para jush të gjithë të vërtetën e vjedhjeve të tyre.
Ndaj dhe ne po protestojmë në parlament, nisëm betejën pa kthim. Ndaj dhe ne ftojmë secilin prej jush të angazhohet në këtë betejë pa kthim. Ftojmë çdo shqiptar të angazhohet në këtë betejë pa kthim, për fitoren edhe njëherë të pluralizmit, të demokracisë, të së ardhmes tonë dhe të fëmijëve tanë.
Pra kjo është një betejë jetike, vendimtare. Kjo kërkon angazhimin tonë të fuqishëm, kërkon betimin tonë se diktaturën nuk do ta tolerojmë më tej”, u shpreh Berisha.
Check Also
Berisha: Do e gjejmë narko-kriminelin me uniformë që dogji babanë e aktores së njohur!
Kryetari i PD, Sali Berisha publikoi pamjet tronditëse kur policia hedh shishen molotov në drejtim …