Mediat ndërkombëtare po i bëjnë jehonë edhe protestës së sotme të opozitës në Kuvend.
Gazeta e madhe amerikane ‘Washington Post’ publikon një raportim të AP, ku thuhet se opozita e ndërpreu sërish seancën e Kuvendit me flakadanë dhe karrige të mbledhura grumbull.
“Deputetët shqiptarë të opozitës ndërprenë sërish seancën e Kuvendit të hënën për të protestuar kundër asaj që thonë se është një sundim gjithnjë e më autoritar nga socialistët në pushtet.
Ligjvënësit demokratë ndezën flakadanë dhe grumbulluan karrige njëra mbi tjetrën në mes të sallës në momentin që kryeministri Edi Rama zuri vendin për të votuar buxhetin e vitit të ardhshëm.
Një kordon truprojash i ndaloi ligjvënësit e opozitës të afroheshin pranë karrigeve të kabinetit.
Socialistët e majtë, të cilët kanë 73 mandate në parlamentin me 140 vende, bënë një votim të shpejtë në parim dhe e mbyllën seancën në 5 minuta. Një debat për çdo zë buxheti pritet në fund të kësaj jave.
Një nga flakadanët ndezi një zjarr të vogël, i cili u shua nga deputetët e opozitës.
Opozita kërkon të krijojë komisione hetimore parlamentare për të hetuar rastet e dyshuara të korrupsionit që përfshijnë Ramën dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë.
Socialistët thonë se kërkesat e opozitës nuk janë në përputhje me kërkesat kushtetuese”, thuhet në shkrim.