Ndryshimi i rëndësishëm që ka ndodhur në tregun e telefonisë celulare, i cili nga ky vit tashmë numëron vetëm 2 operatorë, ka nxitur AKEP-in të rishikojë politikat e tarifave, duke propozuar uljen e tyre përmes një formule që bazohet te kostot.
AKEP ka nxjerrë për konsultim publik Analizën e Tregut të Telefonisë Celulare për Tregjet me Shumicë të Terminimit të Thirrjeve në Rrjetet e Telefonisë së Lëvizshme ku dy subjektet One Albania sh.a., dhe Vodafone Albania sh.a., konsiderohen si sipërmarrës me Fuqi të Ndjeshme në rrjetet celulare.
Një klasifikim i tillë i jep automatikisht rregullatorit shtetëror të drejtën të ndërhyrë në tarifat e terminimit që ata përdorin mes njëri tjetrit, dhe që reflektohen në fund te ccmimet e paketave për përdoruesit shqiptarë të telefonisë celulare.
Terminimi i thirrjeve mobile (MTR) është një shërbim me shumicë i ofruar nga operatori mobile për t’i mundësuar konumatorëve të rrjetit të tij marrjen e thirrjeve. Kur ofruesit e shërbimeve të thirrjeve nga rrjetet fikse ose mobile ju mundësojnë pajtimtarëve të tyre dërgimin (kryerjen) e thirrjes në numrat e rrjeteve mobile të Republikës së Shqipërisë, ata i paguajnë operatorit që u mundëson terminimin e thirrjes një tarifë me shumicë për këtë shërbim, që quhet ‘tarifa e terminimit të thirrjes në rrjetet mobile’.
Në vitin 2018, AKEP e përcaktoi këtë tarifë tavan në vlerën 1.11 lekë për minutë, duke e llogaritur përmes një formule qe bazohej te mesatarja e tarifave të përdorura nga rregullatorët evropiane. Ajo që propozon në analizë Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare është një tjetër formulë, e cila të jetë sa më pranë kostove reale.
Më specifikisht, AKEP parashikon që tarifa e terminimit të zbresë në 1.02 lekë/minuti në fund të marsit të vitit 2024. Pas gjashtë muajsh, në fund të shtatorit të vitit të ardhshëm, AKEP parashikon që tarifa të zbresë në 0.89 lekë minuti, ndërsa në marsin e vitit 2025, ajo mos të jetë me e lartë se 0.75 minuti, ose 32.4% më e ulët se tarifa që aplikohet që prej vitit 2018.