Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, mburojë e skandalit Rama-Bolino bëhet SKAP-i i partisë, pasi ai aktivizohet vetëm me porosi. Berisha tha se, ky është një akt unik, por Edi Rama ka me dhjetëra e dhjetëra vendime me të cilat ka vjedhur.
“Kjo tokë, e thashë, ishte e destinuar në planin rregullator të vitit 2013, për gjimnaz. Banorët e zonës bënë protesta, kur panë se toka e dhuruar për gjimnaz, po grabitej nga Rama dhe Bolino. Por natyrisht mburojë e këtij krimi, qëndronte SKAP-i i partisë, pasi ai vepron, aktivizohet vetëm me porosi.
Ndaj dhe sot, unë ftoj qytetarët të shtrojnë disa pyetje për këtë aferë të shëmtuar korruptive.
Pse u zhduk shkolla e mesme nga plani rregullues i bashkisë së vitit 2013, që do ndërtohej mbi truall të falur nga familjet fisnike të Tiranës. Edi Rama nuk ka tagër të ndryshojë asgjë me vendim qeverie në planin rregullues të qytetit të Tiranës.
Pse nuk u lidh kontrata e qirasë me Bashkinë e Tiranës, pasi prona ishte e bashkisë dhe pronarët e kishin dhuruar për ndërtimin e gjimnazit? Kjo së pari se Këshilli Bashkiak, pavarësisht nga urdhri që merrte nga Edi Rama, do e kishte të pamundur të shumëzonte me zero, të hiqte një shkollë për të ndërtuar pallatin e medias të Ramës dhe Bolinos. Pra, u krye një krim, u shkel një ligj vetëm e vetëm pse Këshilli Bashkiak nuk mund të miratonte një vendim të tillë.
Pse të mos nxirrej, nëse konkludohej se kjo shkollë nuk duhej, ligji ishte se kjo tokë që me çmim reference kushton 1 milion e 250 mijë euro, pse të mos nxirrej nga bashkia në ankand? Për të ndërtuar qoftë dhe ndërtesa sociale për banorët. Por do ndërtohej pallati Rama-Bolino me tre firma të Edi Ramës.
Pse nxori Rama, VKM të veçantë, VKM-në e tretë, për të prishur objektet që sapo i kishte marrë me Bolinon e tij? Qëllimi është i qartë, që të mos shpenzohej një qindarkë për prishjen e tyre. Së dyti, në mënyrë që investimi të tejkalonte vlerën e tokës dhe këta të bëheshin pronarë ët përjetshëm të tokës së vjedhur.
Së fundmi, në rast se i ndryshoi destinacioni, pse nuk e bleu me çmimin e referencës, por e dha me 1 euro, për të ngritur median e tyre në funksion të pushtetit të tyre, duke i privuar arkës së shtetit, vetëm me çmimin e referencës 1 milion e 250 mijë euro me tre vendimet e tij antiligjore, me të cilën ka përvetësuar këtë pronë.
Ky është një akt unik, por Edi Rama ka me dhjetëra e dhjetëra vendime me të cilat ka vjedhur, ka rrëmbyer me sojin e tij prona, objekte, të cilat ne në mënyrë të vazhdueshme do i paraqesim para jush”, tha Berisha.
Check Also
Shërbimi urban në Tiranë në koma, Bashkia s’ndërhyn se është peng i ryshfetit!
Nga Besart XHAFERRI Autobuzë urbanë të tejmbushur me kondicionerë jashtë funksionit dhe që nuk respektojnë …