28 nëntori 1944, Shqipëria – nga një pushtim i vjetër në një pushtim të ri

Nga Sali BERISHA

Data 28 nëntor 1944 është jo vetëm dita e Pavarësisë, por mbahet edhe si dita e çlirimit të Shqipërisë. Megjithse edhe sot pasardhësit e diktatorit stalinist vazhdojnë të kremtojnë sipas ritit enveristo-serb me datë 29 nëntor, pra me datën e falsifikuar nga Enver Hoxha me urdhër të Beogradit madje edhe pasi festoi dy vitet e para këtë festë me datën 28 nëntor. Rëndësia e këtij qëndrimi, qëndron në faktin se Enver Hoxha fallsifikoj edhe këtë datë për t’a njehsuar këtë feste jo me Ditën e çlirimit, por me festën kombëtare të Federatës së Jugosllavisë, me ditën e shpalljes së saj në Jajcë, më 29 nëntor të vitit 1943. Pra ai fallsifikoi datën e çlirimit në mënyrë që pas bashkimit të Shqiperisë si Republikë e 7-të me Federatën e Jugosllavisë, të festonin edhe shqiptaret me 29 nëntor sëbashku me republikat e tjera, por natyrisht jo Jajcën se aty nuk kishin qenë, por Çlirimin e vendit.

Mirëpo mjerisht, ende sot e kësaj dite, ka shqip-folës që në shembullin e Edi Ramës, argatit të Beogradit apo Pashiqit të Tiranës që edhe sot vazhdojnë të kenë si Mekë Beogradin.

Në këtë shënim unë do ndalem në një aspekt tjetër themelor të kësaj date, në të vërtetën më të pamohueshme historike, se 28 nentori i vitit 1944 shënoi jo vetem çlirimin nga një pushtim i huaj, por dhe zëvendësimin e atij pushtimi me një pushtim të dyfishtë, një tjetër pushtim të huaj dhe një pushtim të brendeshëm si kurrë ndonjëherë më parë. Kjo mbasi në fronin e pushtetit në Tiranë u ul një klikë shqiptaro-serbe me projekt kryesor zhdukjen e shtetit të pavarur të shqiptarëve.

Sot historian dhe studjues vendas dhe të huaj me botimet e tyre serioze dhe të shumta të bazuara në mijëra dokumenta të arkivave të vendit, të atyre të aleatëve të luftës dhe vendeve të tjera kanë rishkruar historinë në dritën e të vërtetave historike të pamohueshme. Ata me veprat e tyre tejet të rëndësishme kanë shkrirë si rrezet e diellit brymën, malin e lartë të fallsifikimeve të histeriografisë hoxhiste. Prandaj sot bazuar në të vërtetat historike shkencore është koha për reflektim të thellë nga çdo shqiptar kudo që jeton për historinë tonë në tërësi si dhe në rastin konkret edhe rreth kësaj date

studimet, botimet themelore të ketij çerek shekulli të bazuara në mijëra dokumenta dhe raporte të kohës kanë provuar në mënyrë shterruese se J.B.Tito dhe Partia Komuniste e Jugosllavisë për interesa të serbomadhisë themeluan me dy qellime kryesore me të dërguarit e tyre në nentor të vitit 1941 në Tiranë, Partinë Komuniste të Shqiperise, si degë të Partisë Komuniste të Serbisë të udhëhequr nga Popoviç- Mugosha. Qëllimi i parë dhe më kryesor ishte krijimi i kalit të trojës, pra i një partie dhe lëvizje jugosllave në Tiranë të drejtuar dhe urdhëruar dhe përdorur prej tyre kundër çështjeve shqiptare. Qëllimi i dytë ishte që në zbatim të porosive të Kominternit pas sulmit nazist ndaj Bashkimit Sovjetik kjo forcë dhe kjo lëvizje shqiptaro-serbe të mobilizonte shqiptarët në luftë kundër pushtuesve.

Në këtë kontekst komunistët serbo-malazez shkruajtën programin e kësaj partie pa ju referuar as dhe një herë të vetme Kosovës dhe çeshtjes shqiptare, vendosën në krye të saj Miladin Popoviçin dhe emëruan rreth tij Enver Hoxhën dhe vasalet e tjerë. Pra përfaqësuesit serbo-malazez të Partisë Komuniste të Jugosllavisë (PKJ) siç pohon dhe vetë Tito, themeluan, udhëhoqën dhe urdhëruan Partinë Komuniste të Shqiperisë (PKSH) dhe njesitë e saj partizane gjatë gjithë luftës si parti dhe levizje jugosllave dhe më konkretisht serbe.

PKJ me kalin e saja të trojës PKSH arriti me sukses të bllokojë bashkimin e shqiptarëve në Shqipëri dhe bashkimin e kombit shqiptar në tërësi në luftën kundër pushtuesve.

Ata me ndihmën direkte të PKSH dhe Enver Hoxhës dhe shqiptarëve me origjinë nga Kosova si Fadil Hoxha etj që u dërguan aty me mision, arritën të vendosnin Kosovën nën vartësin e PKJ, pavarësisht se Mbretëria e Sllavëve të jugut as dhe federata e tyre nuk ekzistonin.Tito dhe PKJ nëpërmjet lëvizjes së tyre jugosllave që themeluan në Tiranë realizuan sa më sipër duke përjashtuar tërësisht çështjen kombëtare nga programi i PKSH.

Po kështu ata imponuan anullimin e menjëhershëm të Marrëveshjes së Mukjes, injorimin dhe asgjesimin e Marrëveshjes së Bujanit dhe urdhëruan dërgimin e brigadave dhe divisioneve partizane të Shqipërisë në Kosovë në pretekstin e çlirimit nga gjermanët, por në fakt si pararoje e pushtimit të saj nga divizionet serbo-malazeze dhe vendosjes së saj në administrim ushtarak nga Tito.

Krahas këtyre, historianët dhe studiuesit kanë faktuar me dokumenta të pakundërshtueshme se: udhëheqësit jugosllav dhe vegla e tyre Enver Hoxha pas shtatorit 1943, luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve e degraduan në një luftë kryesisht vlla-vrasëse civile dhe se PKSH siç pranon unanimisht vetë Enver Hoxha dhe udhëheqja  tjeter e kësaj partie në pleniumin e dytë të Beratit zbatoi gjatë luftës një vijë politike terroriste, pra veproi si një organizatë terroriste duke kryer në dhjetra e qindra raste akte të mirëfillta terroriste.

Studimet e dekadave të fundit të bazuara në dokumenta të panumërta kanë provuar se serbët dhe Enver Hoxha dhe vasalët e tyre të tjerë shqiptarë në krye të ushtrisë partizane të Shqipërisë, kryen gjatë luftës kundër pushtuesve genocid dhe krime të rënda kundër njerëzimit ndaj shqiptarëve.

Kjo klikë terroriste dhunoi në qindra e qindra raste konventat ndërkombëtare të Gjenevës, Hagës për mbrojtjen e popullatës civile, robërve të luftës, të sëmurëve dhe të plagosurve të luftës etj etj.

E vërteta të detyron prandaj sot është në interes të çdo shqiptari, të raportit të tij më të vërtetën historike të Kombit të shtrojë pyetjen: A u çliruam vërtetë ne shqiptarët, me datë 28 nëntor 1944?

Në përpjekjen për një përgjigje objektive të kësaj pyetje do të gjejmë se e vërteta e çlirimit tonë dhe këtu nuk e kam fjalën për datën 28 apo 29, por për çlirimin si të tille është një medalje me dy faqe.

Në njërën anë, është e vërtetë se, në raport me pushtimin gjerman, ne u çliruam mbasi gjermanët në humbje e sipër të luftës u tërhoqën nga Shqipëria dhe ne dolëm nga Lufta e Dytë Botërore si të renditur në anën e aleatëve fitimtar.

Po këtë ditë, Enver Hoxha u instalua në Tiranë me qeverinë e tij si fitimtar dhe mbajti fjalimin e gjatë të fitores. Për këtë akt historik, flijuan jetën dhe rininë e tyre gjatë luftës mijëra djem dhe vajza, burra e gra të kombit tonë dhe dhjetra mijëra të tjerë luftuan me guxim, vendosmëri pushtuesit nazifashistë dhe renditën kështu Shqipërinë, në anën e drejtë të historisë.

Nderimi për ata që flijuan jetën për idealet e lirisë, do mbetet i përjeteshëm. Gjaku dhe sakrifica e tyre qendron në themele të lirisë tonë kombëtare. Sikundër i tillë do mbetet nderimi edhe për të gjithë ata që luftuan kundër pushtuesve për lirinë kombëtare dhe nuk u sollën gjatë luftës si kain ndaj vëllezërve të tyre, nuk kryen akte terroriste, genocide dhe krime kundër njerëzimit. Ndërsa këta të fundit për krimet e tyre kanë përfunduar aty ku dhe e kanë vendin, si xhelat te popullit tyre, në koshin e plehrave të historisë.

Dua të shtoj këtu se këto të vërteta historike nuk mund të mohohen, pavarësisht nga manipulimet dhe fallsifikimet monstruoze të luftës nga historianët hoxhistë, si: rritja me disa herë i numrit të të rënëve, shpikja e betejave edhe të paqena, stërfryrja e humbjeve të shkaktuara armikut etj etj. Këto të vërteta për luftën partizane nuk mund të mohohet as nga genocidi dhe krimet kundër njerëzimit që udhëheqja komuniste shqiptaro-sllave kreu gjatë luftës dhe për të cilat meriton çdo denim, madje nuk mund të mohohen as dhe nga karakteri vëlla-vrasës dhe civil që dominoi këtë luftë pasi Enver Hoxha dhe klika e tij për qëllime të pushtetit personal dhe i urdhëruar nga padronët e tij serb, i dhanë asaj pas shkelmimit nga ai të Marrëveshjes historike të Mukjes në shtator te vitit 1943.

Në idenë e saj, lufta kundër pushtuesve ishte një luftë e drejtë .

Aleatët anglo-amerikanë kishin njohur, vlerësuar dhe mbështetur, financuar dhe furnizuar me armë, uniforma, ushqime e specialistë ushtrinë partizane.Qeveritë e tyre kishin përshëndetur që në fillim luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve. Në mënyrë të pamohueshme forcat partizane komuniste ishin dhe njesitë më të organizuara dhe më numerike në teatrin e luftës në Shqipëri dhe kjo jo për shkak të mbështetjes së tyre të gjerë në popull, por para së gjithash për shkak të dobësive të pamohueshme të nacionalistëve shqiptar. Eshtë i drejtë dhe plotësisht i justifikuar dhe mendoj unë i detyrueshëm dënimi me ashpërsi i të gjitha qendrimeve çnjerzore antikombëtare i klikës serbo-shqiptare që udhëhoqi luftën parizane. Por është tejet i gabuar mohimi i luftës, i gjakut të derdhur dhe sakrifcave të mëdha që partizanët bënë për liri.

Nuk duhet të harrojmë asnjëherë se renditja në anën e drejtë të Luftës së Dytë Botërore pati një rëndësi të veçantë për Shqipërinë. Kjo jo vetëm për dinjitetin kombëtar të shqiptarëve, por edhe për faktin se me të gjithë mbështetjen që aleatët i kishin dhënë luftës së popullit shqiptar kundër pushtuesve, ata që në krye të herës kishin lenë të hapur dhe këtu me sa duket nën ndikimin e Greqisë çështjen e përcaktimit kufijve të Shqipërisë. Sipas tyre kufijtë e Shqipërisë do të caktoheshin pas luftës në Konferencën e Paqes. Këtu qendron më shumë se në çdo drejtim tjetër dhe rëndësia e pamohueshme e renditjes së Shqipërisë në anën e aleatëve. Mbasi renditja në anën e kundërt edhe mund të shoqërohej me ndëshkime të rënda si palë e humbur. Por çështja e vendosjes së kufijve të Shqipërisë në Konferencën e Paqes, mbarte në vetvete mundesinë e bashkimit të Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare me Shqiperinë, natyrisht kjo në rast se shqiptarët do luftonin të bashkuar kundër pushtuesve nazi-fashist siç vendosën edhe me ndërmjetësimin e aleatëve Britanik në Mukje.

-Por ana tjetër, ana e zezë e medaljes së datës së 28 nentorit 1944, pra datës së çlirimit është se kjo datë në të vërtetë nuk do të shënonte çlirimin e vërtetë të shqiptarve dhe Shqipërisë, por vetëm do të shënonte apo sillte zëvendësimin e pushtimit gjerman me specifikat e tij me pushtimin serb, jugosllav shumë herë më të rrezikshëm për vet ezkistencën e kombit shqiptar si dhe vendosjen diktaturës 46 vjeçare më të egër, më moniste, si pushtimi i brendshëm më barbar që shqiptarët kishin njohur në tërë historinë e tyre. Kështu që kjo ditë e nëntorit te vitit 1944, ne vend që të ishte dita e mrekullisë kombëtare dhe viti 1944 të ishte annus mirabilis është dita e vendosjes së një pushtimi të zi dhe një annus horribilis për shqiptarët.

Këtu më poshtë do të ndalem shkurtimisht në vendosjen e pushtimit serb, jugosllav pas 28 nëntorit të vitit 1944 në Shqipëri.

Zevendësimi i pushtimeve ndodhi sepse, në Tiranë, në pushtet do të vinte partia dhe ushtria e themeluar, e drejtuar dhe e udhëhequr nga serbët e PKJ dhe Tito, dhe vegla e tyre Enver Hoxha, të cilët pasi shitën Kosovën, kishin vendosur dhe punonin së bashku me Beogradin për projektin ogurzi e antikombetare,aneksimin e Shqipërisë si Republikë e 7-të e Jugosllavisë. Pra, më 28 nëntor të vitit 1944, shqiptarët festuan çlirimin, lirinë, duke brohoritur për një klikë terroriste jugosllavo-shqiptare që u instalua në pushtet në Tiranë dhe hyrë në një pushtim të ri të dyfishtë, pushtimin jugosllav dhe pushtimin komunist.

At Zef Pëllumbi, dëshmitar i çlirimit të Shkodrës, shkruan në kryeveprën e tij ‘Rrno vetëm me tregue’ se: më datën 29 nëntor Shkrodra u gdhi e mbushur me flamuj jugosllavë dhe se në këmbanoren e Katedrales së qytetit, flamuri shqiptar pa yll u zëvendësua nga një partisan me flamurin jugosllav. Pra në qytetin e përjetshëm të shqiptarëve valëvitej flamuri i pushtuesve të rinj, si dëshmi tragjike e zëvendesimit të pushtuesve. Flamuri i pushtuesit që iku u zëvendësua jo me flamurin kombëtar, por me flamurin e pushtuesit të ri. Kështu, me 28 nëntor të vitit 1994 shqiptarët festuan çlirimin, lirinë të mashtruar si kurrë më parë në historinë e tyre dhe duke mos e kuptuar ndoshta shumica e tyre se pikërisht në këtë datë ata hynë në një pushtim të ri. Më saktë ata brohoritën atë ditë një klikë shqiptaro-jugosllave me nq krye Enver Hoxhqn qe u instalua në pushtet me projektin makabër të asgjesimit të lirisë së tyre kombëtare, Pavarësisë së Shqipërisë dhe aneksimin e saj si Republikë e 7-të në federatën e sllavëve të jugut të dominuar nga serbët armiqtë shekullor të Kombit Shqiptar.

Pas kësaj dite pra 28 nëntorit 1944 instalimit në Tiranë të klikës shqiptaro-serbe të Enver Hoxhës, vendosjes së veriut të Shqipërisë dhe më pas edhe Kosovës nga Tito në pushtim dhe administrim ushtarak, genocidi dhe krimet kundër njerëzimit në Shqipëri dhe në Kosovë, do të merrnin dhjetra, mijëra jetë të pafajshme ose do të largonin nga vendi mbi qindra, mijëra shqiptarë. Me këtë dhunë dhe terror të egër ndaj shqiptarëve, Tito me vasalin e tij Enver Hoxha, me ushtrite e tyre partizane do të vazhdonin të ecnin me vendosmëri në zbatimin e doktrinës së Çubrilloviçit në Kosovë, por në një farë mënyre dhe në veriun e Shqipërisë dhe manu militari do të zhduknin çdo pengesë në rrugën e rianeksimit të plotë të Kosovës si krahinë e Republikës së Serbisë, si dhe per asgjësimin e pavarësisë së Shqipërisë dhe bashkimin e kësaj të fundit me Federatën e Sllavëve të Jugut, si Republikë e shtatë e saj.

Aneksimi i Shqipërisë nga Federata Jugosllave, ishte akti i fundit i tragjedisë së madhe shqiptare që Josif Broz Tito dhe PKSH dhe Enver Hoxha, po realizonte ndaj shqiptarëve. Ky akt, vinte si kurorëzim i instalimit të kalit të trojës në Tiranë, injorimit total gjatë luftës nga Enver Hoxha, të çështjes së Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, vendosjes së tyre në vartësi të PKJ dhe mbështetjes së plotë të pushtimit serb të këtyre trojeve shqiptare. Aneksimi i Shqipërisë si Republikë e 7-të e ish- Jugosllavisë, ishte një projekt i Titos dhe udhëheqjes jugosllave, që në vitet e luftës. Me përfshirjen e Shqipërisë si Republikë e 7-të e Federatës Jugosllave, përveç ëndrrës së vjetër të Serbisë, daljes së saj në Durrës, sipas tyre do të merrte një zgjidhje përfundimtare edhe problemi i shqiptarëve të Kosovës në kuadrin Fedeatës së Jugosllavisë. Madje, duket se për këtë projekt, ata kishin bindur edhe vetë Stalinin, i cili në takimin me Titon dhe delegacionin e tij në Moskë, i kishte porositur që të “gllabronin Shqipërinë”. Në të vërtetë, në dokumentin e AVNOJ-it, në nëntor 1943, udhëheqja komuniste jugosllave, nuk ftoi fare përfaqësuesit e Kosovës dhe në kundërshtim me atë që kishte premtuar, Kosovën e la si krahinë të Serbisë. Në këtë konferencë Tito shpalli në letër Republikën Federative të Jugosllavisë dhe njësitë apo republiklat e saja. Ai në këtë dokument kishte lënë të hapur mundësinë e pranimit në federatë të republikave të tjera, natyrisht pa cituar nominalisht Shqipërinë por duke vetkuptuar, para së gjithash, atë.

Kështu që pas datës 28 nentor 1944 jo rastësisht, por në funksion të zbatimt të projektit të aneksimit të Shqipërisë nga federata e Titos , në zyrat e pushtetit të ri në Tiranë, në të gjitha nivelet e tij në parti, qeveri, ushtri, polici, sigurim, arsim, tregti, ndërtim, miniera, etj., etj., do të vërshonin mijëra këshilltarët jugosllavë, vendim-marrësit e vërtetë të vendit. Jugosllavizimi me shpejtësi dhe në çdo qelizë i shtetit dhe shoqërisë shqiptare ishte misioni i tyre më kryesor. Madje, autoritetet jugosllave me lejen e Hoxhës, do të instalonin në Shkodër, legalisht një seksion të shërbimit te tyre famëzi OZNA, që vepronte e ushtronte terror njëlloj si në Kosovë, i pavarur dhe me autoritet të plotë mbi qytetarët shqiptarë në mbarë veriun e vendit. Ky seksion i OZNA-s, në mënyrë të pavarur nga autoritetet shqiptare, ndalonte, arrestonte, rrëmbente për në ish- Jugosllavi, madje edhe pushkatonte brenda territorit të Shqipërisë, qindra dhe qindra shqiptarë, të cilët ky shërbim i konsideronte anti-jugosllavë. Në bashkëpunim të ngushtë me këshilltarët e Titos dhe me zell dhe entuziazëm të veçantë, udhëheqja komuniste e Shqipërisë, do të përfundonte dhe do të firmoste me shpejtësi të rrufeshme, që në muajin dhjetor të vitit 1944, Traktatin e Bashkëpunimit dhe Ndihmës së dyanshme midis Tiranës dhe Beogradit, si paradhomë ligjore e bashkimit midis dy vendeve.Traktatin rrufeshem e firmosi vetë Marshalli Tito.

Të dy qeveritë, po në procesin e bashkimit të plotë të të dy vendeve, firmosën një seri marrëveshjesh të tjera për bashkimin ekonomik, doganor, monetar. Krejt ndryshe nga sa paraqitej më vonë nga historianët hoxhistë, E. Hoxha, firmosi dhe pranoi që të dislokoheshin në Shqipëri divizione të ushtrisë Jugosllave, dhe pas kësaj, ai i propozon Titos, bashkimin e ushtrive me një Komandë dhe Shtatmadhëri të përbashkët, pra unifikimin e komandës ushtarake të të dy ushtrive

Në sistemin arsimor të vendit, në të gjitha nivelet, serbishtja do të bëhej gjuha e detyruar. Të gjitha shkollat, klasat dhe oborret e tyre, buçisnin nga këngët dhe brohoritjet për Marrshallin Tito. Muzika, folklori, prodhimet e tjera artistike jugosllave, do të mbushnin boshllëkun e krijuar me ndalimin e veprave letrare artistike të shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë, që nuk kishin mbështetur apo kishin kundërshtuar vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri. Enver Hoxha do të mbante fjalime në Kuç e gjetiu kundër Fishtës, do të krahasonte gjeniun e epikës së letrave tona me Vladan Gjeorgjeviçin, ish-kryeministrin serb në vitin 1913, që kishte kryer masakrat më të mëdha ndaj shqiptarëve dhe ishte shprehur se “shqiptarët, janë njerëz primitivë”.

Ekonomia shqiptare u vendos e tëra në duart dhe kontrollin e dhjetra e qindra ndërmarrjeve jugosllave, që u krijuan me shpejtësi në Shqipëri. Të gjitha shkëmbimet tregtare bëheshin pothuaj ekskluzivisht me Beogradin. Vetëm në këto shkëmbime, midis të tjerash, Beogradi grabiste nga Shqipëria sasinë kolosale te mbi 200 tonelata flori, dhe mijra tonelata mallra te tjera të cilat pushtetarët komunistë ua konfiskuan, me gjak e hekur, tregtarëve, sipërmarrësve, qytetarëve shqiptarë dhe morën nga Jugosllavia si kundër vlerë punishte, vagona, hekurishte të pa vlerë. Për Enver Hoxhën dhe suitën e tij serbofile antishqiptare , zhdukja nga harta e Shqipërisë së pavarur, bashkimi i saj me Federatën e Jugosllavisë si Republikë e 7-të e e saj , ishte e ardhmja më e mirë, më e sigurt e kombit shqiptar.

Në kontekstin e aneksimit të Shqipërisë, asgjësimit të pavarësisë së saj, në mbledhjen e Byrosë Politike, të dt. 8 Janar 1945, Enver Hoxha si promotor kryesor i bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë, propozon “bashkimin e PKSH me PKJ, mbi baza federative, me Sekretar të Përgjithshëm te PKSH Mareshallin Titon, si kusht i domosdoshëm i bashkimit të Shqipëisë me Federatën Jugosllave.Vendosmërinë e tij për zhdukjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe bashkimin e saj si republikë e 7-të me Federatën Jugosllave, Enver Hoxha, do ta dëshmonte edhe nëpërmjet një letre drejtuar Josif Broz Titos, lidhur me bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë.Në këtë letër, ndër të tjera, Enver Hoxha shkruan: “nga shoku Savo, na është sygjeruar ….. një hap tjetër përpara në lidhje me formimin e shteteve tona, domethënë., në rast se shkohet sa më shpejt në bashkimin e dy popujve tanë”, dhe se: “ky bashkim, s’ka asgjë formale por ndihet thellë në zemrat e popullit tonë. Ne duhet të punojmë konkretisht për federatën dhe për këtë gjë, në vendin tonë punohet me të gjitha format”, dhe vazhdon “por çështja që ne duhet të marrim iniciativën e parë për të kërkuar këtë gjë, sikundër na është sygjeruar nga shokët jugosllavë që përmenda më lartë” dhe lidhur me këtë çështje Hoxha vazhdon “ne kemi nevojë të na thuhet nga ju, nëse ka ardhur momenti kur neve duhet të marrim në shqyrtim çështjen e bashkimit dhe të mbërrimë në konkluzione”, dhe së fundi “ne kemi bindjen se, sikundër Komiteti Central i Jugosllavisë do të na sqarojë dhe do të na këshillojë hapat dhe shoqërisht mbi këtë çështje të rëndësishme për të dy vendet tona”.

Po në këtë linjë është edhe deklarata e Titos, dhënë agjensisë AP, në vitin 1946, se, “Kosova dhe territoret e tjera shqiptare do t’i aneksohen Shqipërisë”. Kjo deklaratë, është bërë vetëm e vetëm me projektin e “gllabërimit të Shqipërisë etnike” pra, Shqipërisë, Kosovës dhe territoreve të tjera shqiptare, si dhe shndërrimin e tyre në Republikën e shtatë të Jugosllavisë.

Ky projekt ogurzi, në të cilin ora e kombit shqiptar kishte ndaluar edhe ecte me orën e Beogradit, që po shkonte i sigurt dhe pandalshëm drejt realizimit të tij, do të dështonte vetëm për shkak të keqësimit dhe prishjes së shpejtë të marrëdhënieve midis Stalinit dhe Titos, prishje kjo që nuk kishte asnjë lidhje me Shqipërinë apo marrëdhëniet shqiptaro- jugosllave, por që sigurisht, tashti Stalini nuk do të pranonte aneksimin nga armiku i tij Tito, të Shqipërisë.

Keto te dhena deshmojne ne menyre të pakundërshtueshme se ajo që quhet datë çlirimi dhe që e majta shqiptare në tërësi që nga Enver Hoxha deri tek neobllokmenët e sotëm e mbajnë për arsye të mirëfillta ideologjike si kryefestën e tyre, e festojnë gjithnjë më shumë se çdo festë tjetër është njëkohësisht për Kombin Shqiptar një ditë me hipotekë të zezë, madje më të zezën në kalendarin e shtetit Shqiptar. Kjo ditë shënon largimin, tërheqjen e gjermanit të fundit nga Shqipëria dhe vendosjen e pushtimit të ri dhe të plotë të shqiptarëve nga serbët, armiqtë e tyre shekullor. Shqiptarët dhe serbët në shekuj ishin përballur me dhjetra e dhjetra herë. Nga mesi i viteve 1800 e këtej serbët i kishin fituar në tërësi të gjitha luftërat kundër shqiptarëve, kishin dalq në Durrës dhe pushtuar shumicën e territoreve  tona, kishin kryer genocide dhe masakrat më të tmerrshme ndaj nesh. Por nq të gjitha këto luftra serbët kishin patur ndihmën politike, ushtarake, financiare të perendorive më të mëdha të kohës përveç Austro-Hungarisë. Kurse fitoren e tyre më të madhe ndaj kombit shqiptar, fitoren e 28 nëntorit të vitit 1994 serbët e arritën jo me mbështetjen dhe ndërhyrjen direkte në anën e tyre të Fuqive të Mëdha, por e realizuan nëpërmjet shqiptarëve, lëvizjes jugosllave që themeluan dhe udhëhoqën në Shqipëri dhe Kosovë me Enver Hoxhen dhe veglat e tyre.Tragjike është se sot pas 76 vitesh e majta shqiptare në Shqipëri me ne krye argatin e beogradit Edi Ramën megjithëse ish-pushtuesit e asaj kohe janë miqtë dhe partnerët tanë strategjik mban si kryefestë të saj ditën e largimit të gjermanit të fundit nga Shqipëria dhe ditën parë të pushtimit serb dhe kjo vetëm si trashëgimi të etërve barbarë e tradhëtarë.

Tragjike se sot pas 7 dekadash Edvin Kristaq Rama deklaron para shqiptarëve se ai ka mik dhe është krenar me miqësinë me Presidentin serbomadh Aleksander Vuçiç, ish-Geobelsi i Millosheviçit i cili gjatë vizitës së tij të fundit në Veriun e Kosovës do të betohej se Serbia do të bëhet më e madhe, vetkuptohet pra duke marrë dhe spastruar territore tjera të Kosovës.

Vetëm dy muaj më parë ky serbomadh do të deklaronte se qëllimi i udhëheqjes shqiptare në Kosovë  është: ‘shkatërrimi i shtetit tone’ domethënë i kërkon të mbajë shtetin e Serbisë në Republikën e Pavarur të Kosovës.

Tragjike është se sot pas dy dekadave të çlirimit të Kosovës, argati i Beogradit në Tiranë apo Pashiqi i Tiranës, njëlloj si dikur Enver Hoxha, Miladinet Dushanet, Fadil Hoxhët mban në duar dhe tund flamurin e zi të Serbisë së Madhe. Në projektin e ndarjes dhe coptimit të Kosovës, Edvin Kristaq Rama, në akt tradhëtie të hapur kombëtar lidhi Shqipërinë në Aleancë Trilaterale Beograd-Shkup-Tiranë dhe vendosi Kosovën në darën e klikave armiqësore serbo-shqiptaro-maqedonase në nismën Ballkani i Hapur, e cila i kundërvihet haptas nismës së Berlinit.

Pas agresionit barbar të Rusisë së Vladimir Putin ndaj Ukrainës dhe vendosjes të sanksioneve nga Bashkimi Europian dhe NATO ndaj Rusisë, Putini i vogsl i Ballkanit Aleksandsr Vuçiç refuzoi zbatimin e këtyre sanksioneve. Edi Rama si vasal i Vuçiçit kalonte nga samiti në samit duke bërë haptas thirrje që të mos i kërkohet Serbisë të zbatojë sanksionet dhe mbrojtur direkt padronin e tij dhe shndërrimin e Serbisë në një prapavijë të fuqishme të Rusisë, de facto më shumë se kurrë në një Rusi të vogël në Ballkan. Ndërkohë ky armik i egër i Kombit Shqiptar do të ishte i pari në Europë që në një akt të turpshëm dhe armiqësor vendosi sanksione ndaj Kosovës.

Përveç këtyre Edi Rama si vasal i Beogradit po zbaton në Shqipëri politikën e shpopullimit dhe shkombëtarizimit kombëtar. Me dhunën, terrorin, vjedhjen e votës, grabitjen e miliarda e miliardave euro nga fondet dhe pasuritë publike të shqiptarëve më keq se sa çdo pushtues tjetër në tërë historinë e tij ai shndërroi shqiptarët në popullin e gomoneve dhe deboi me vrasje shprese nga vendi në 10 vite 1.1 milion shqiptarë apo 35% të popullatës domëthënë më shumë se çdo luftë civile ndonjë komb tjetër.

Ai ka përqendruar sot të gjitha pushtetet në duart e tij, ka krijuar narko-shtetin e parë dhe të vetëm në Europë, të bazuar në krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve. Ndaj sot për çdo shqiptar thirrja është për beteëj pa kthim për të përmbysur rregjimin e tij.

Ps. Ky artikull ribotohet me ndryshime për shkak të aktualitetit.

Shtoj gjithashtu se në këtë shkrim une u ndala vetëm në njërin aspekt tragjik që mbart në vehte ajo që festohet si dite çlirimi dhe jo në aspektin e saj me katastrofal si ditë e parë e vendosjes së diktaturës më barabare të të gjitha kohërave në Shqipëri, Diktaturës Hoxhiste.

About Redaksia

Check Also

Çyrbja dhe çorba e drejtësisë së re

Nga Luçiano BOÇI Akuza ndaj ish-deputetit të Durrësit u komunikua pas dorëheqjes së tij të …