Kryetari i PD, Sali Berisha, në një takim me kryetarët e degëve, u shpreh se, beteja në Kuvend ka të bëjë si asnjëherë tjetër në 32 vite, me sovranitetin e popullit shqiptar. Berisha tha se, nëse qytetarët, nuk lejohen, nuk mundet të ushtrojnë kontroll mbi qeverinë dhe qeveritarët e tyre, sovraniteti i tërë- edhe ai i brendshmi- ka kaluar në duart e një njeriu.
“Shpreh kënaqësinë që takohemi sonte në prag të Kuvendit Kombëtar të PD, i cili ka dhe do ketë çështje themelore, veprimin, ose Opozita në Aksion, PD në Aksion!
Në ekzistencën e saj, gjatë 32-viteve, demokracia shqiptare, të drejtat e shqiptarëve, nuk kanë qenë kurrë siç janë sot, të shkelmuara nga një person që ka vendosur në Shqipëri pushtetin e tij të plotë personal. Që kontrollon sot të gjitha pushtetet, i kontrollon në mënyrën më të rreptë.
Që pas zgjedhjeve të majit, kaloi në një përpjekje të re të asgjësimit de facto të opozitës në parlament. Duke u mohuar deputetëve të opozitës, të drejtat më themelore të atyre që ata përfaqësojnë. Asnjë nga nenet kushtetuese që lidhen me deputetin në parlament, nuk kanë të bëjnë me personin. Janë të gjitha nene që garantojnë parlamentin për funksionin e tij si tempull qendror i demokracisë.
Ju jeni dëshmitarë se prej mëse një muaji, në parlament zhvillohet një betejë, të cilën nuk e ka njohur ndonjëherë parlamenti.
Zhvillohet një betejë që ka të bëjë me jetën ose vdekjen e pluralizmit parlamentar. Pra, një betejë që ka të bëjë si asnjëherë tjetër në 32 vite, me sovranitetin e popullit shqiptar.
Ju duhet ta dini, në doktrinën politike, sovraniteti ka dy anë. Ka anën e brendshme dhe anën e jashtme, marrëdhëniet me jashtë. Sovraniteti në marrëdhëniet me jashtë është fuqia e një vendi për të marrë vendime të pavarura në interes të tij, të pandikuara dhe për të mbrojtur interesin e tij.
Kurse sovraniteti i brendshëm është një dhe vetëm një, fuqia e qytetarëve për të kontrolluar qeverinë e tyre. Është fuqia që Kushtetuta e vendit, u jep qytetarëve për të kontrolluar qeverinë e vet.
Ky kontroll, sipas Kushtetutës, ushtrohet para së gjithash nëpërmjet komisioneve parlamentare.
Pra, ajo e cila duket një çështje ndoshta jo dhe aq e rëndësishme, ajo në fakt është një çështje më themelore e sovranitetit të brendshëm të një vendi.
Nëse qytetarët, nuk lejohen, nuk mundet të ushtrojnë kontroll mbi qeverinë dhe qeveritarët e tyre, sovraniteti i tërë- edhe ai i brendshmi- ka kaluar në duart e një njeriu. Në një kohë kur ai i takon popullit.
Ky është një zerim i fuqisë së një populli në një vend, për të kontrolluar qeverinë e tij.
Ne aty, kemi qëndruar dhe do qëndrojmë. Ne nuk largohemi nga parlamenti, kjo të jetë e padiskutueshme”, tha Berisha.
Check Also
Gjekmarkaj: Kjo është stina e fundit politike për Ramën! Të bashkuar do të sjellim fitoren e PD
Drejtuesi Politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj ka postuar në faqen …