Mosbindje civile/ Berisha-kryetarëve të PD: Studioni pikat më nevralgjike dhe merrni veprime bllokuese!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një takim me kryetarët e degëve në selinë blu.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati tha se, takimi po zhvillohet në funksion të Kuvendit Kombëtar që do të zhvillohet në datën 2 dhjetor 2023, ku dhe do të përcaktohen qëndrimet e PD-së për aksionin opozitar që ka nisur nga deputetët në parlament dhe do të shtrihet edhe në terren në të gjithë Shqipërinë.

Teksa akuzoi Edi Ramën për blerjen e votave dhe përdorimin e bandave në zgjedhje, Berisha u bëri thirrje kryetarëve të degëve që të përcaktojnë pikat nevralgjike të zonave të tyre dhe të ndërmarrin veprime bllokuese, për të nisur aksionin e mosbindjes civile në të gjithë Shqipërinë.

Kryetari i PD, Sali Berisha sqaroi kryetarët e degëve se, çdo veprim është legjitim kur përdoret për të rrëzuar një diktaturë.

Fjala e plotë

Shpreh kënaqësinë që takohemi sonte në prag të Kuvendit Kombëtar të PD, i cili ka dhe do ketë çështje themelore, veprimin, ose Opozita në Aksion, PD në Aksion!

Në ekzistencën e saj, gjatë 32-viteve, demokracia shqiptare, të drejtat e shqiptarëve, nuk kanë qenë kurrë siç janë sot, të shkelmuara nga një person që ka vendosur në Shqipëri pushtetin e tij të plotë personal. Që kontrollon sot të gjitha pushtetet, i kontrollon në mënyrën më të rreptë.

Që pas zgjedhjeve të majit, kaloi në një përpjekje të re të asgjësimit de facto të opozitës në parlament. Duke u mohuar deputetëve të opozitës, të drejtat më themelore të atyre që ata përfaqësojnë. Asnjë nga nenet kushtetuese që lidhen me deputetin në parlament, nuk kanë të bëjnë me personin. Janë të gjitha nene që garantojnë parlamentin për funksionin e tij si tempull qendror i demokracisë.

Ju jeni dëshmitarë se prej mëse një muaji, në parlament zhvillohet një betejë, të cilën nuk e ka njohur ndonjëherë parlamenti.

Zhvillohet një betejë që ka të bëjë me jetën ose vdekjen e pluralizmit parlamentar. Pra, një betejë që ka të bëjë si asnjëherë tjetër në 32 vite, me sovranitetin e popullit shqiptar.

Ju duhet ta dini, në doktrinën politike, sovraniteti ka dy anë. Ka anën e brendshme dhe anën e jashtme, marrëdhëniet me jashtë. Sovraniteti në marrëdhëniet me jashtë është fuqia e një vendi për të marrë vendime të pavarura në interes të tij, të pandikuara dhe për të mbrojtur interesin e tij.

Kurse sovraniteti i brendshëm është një dhe vetëm një, fuqia e qytetarëve për të kontrolluar qeverinë e tyre. Është fuqia që Kushtetuta e vendit, u jep qytetarëve për të kontrolluar qeverinë e vet.

Ky kontroll, sipas Kushtetutës, ushtrohet para së gjithash nëpërmjet komisioneve parlamentare.

Pra, ajo e cila duket një çështje ndoshta jo dhe aq e rëndësishme, ajo në fakt është një çështje më themelore e sovranitetit të brendshëm të një vendi.

Nëse qytetarët, nuk lejohen, nuk mundet të ushtrojnë kontroll mbi qeverinë dhe qeveritarët e tyre, sovraniteti i tërë- edhe ai i brendshmi- ka kaluar në duart e një njeriu. Në një kohë kur ai i takon popullit.

Ky është një zerim i fuqisë së një populli në një vend, për të kontrolluar qeverinë e tij.

Ne aty, kemi qëndruar dhe do qëndrojmë. Ne nuk largohemi nga parlamenti, kjo të jetë e padiskutueshme.

Kjo qëndresë që bëjnë 43 deputetë, në emër të qytetarëve që përfaqësojnë, kjo qëndresë, me të njëjtën forcë, me të njëjtin qëllim, bllokimin e një pushteti të paligjshëm, bllokimin e një pushteti të paligjshëm në çdo skaj të Shqipërisë, në çdo hallkë të tij, është detyra jonë më imediate.

Ua them ju këtu dhe ua them të gjithë demokratëve, të gjithë shqiptarëve, pas Enver Hoxhës nuk kemi pasur kurrë një armik kaq të egër të pluralizmit politik, të sovranitetit të brendshëm të vendit.

Një armik që pasi ka marrë, siç e dini ju, të gjitha pushtetet, tani shtriu dorën e tij në zemër të marrë edhe pushtetin e fundit që nuk kishte marrë, pushtetin e opozitës. Apo që e kishte de facto, por i doli jashtë kontrollit, pushtetin e opozitës.

Ato për çka luftojmë ne në parlament, janë një grusht i mirëfilltë shteti brenda shtetit.

Çfarë është grushti i shtetit brenda shtetit? Është kur një degë e pushtetit merr pushtetin e degëve të tjera.

Po këtu nuk po diskutohet se ky ka marrë pushtetin e presidentit, se as që ekziston ai. Ka marrë pushtetin e gjyqësorit, as që diskutohet kjo. Ka marrë të gjitha pushtetet, por në fund ky u vërsul kundër opozitës, të asgjësojë opozitën për pushtetin e tij.

Edhe njëherë, të drejtat kushtetuese në Kushtetutë për deputetët, nuk janë personale të tyret, janë të drejta të parlamentit, të tempullit, të institucionit qendror në një republikë parlamentare.

Pra, jemi në kushtet kur ky nuk e lejon parlamentin të ngrejë komisione hetimore parlamentare. Të ushtrojë apo të ushtrohet sovraniteti i qytetarëve për të kontrolluar qeverinë e tyre.

Ky i cakton opozitës se cilin do ketë përfaqësues në komisionet e parlamentit. Ky i fut në sirtar të gjitha nismat legjislative të deputetëve të opozitës.

Ky u kufizon lirisë, i heq lirinë kryetarit të PD, me gjykatës mercenarë, duke marrë kështu pushtetin e Kushtetutës për qëllimet e tij.

Pra, jemi në një situatë që nuk ka ekzistuar kurrë që nga viti 1990 gjer sot.

Ka një rikthim të plotë të diktaturës, kësaj radhe kjo jo me ideologji marksiste-leniniste, por kësaj radhe me bandat. Kush ia numëroi votat Shkodrës, Mamurrasit, Lezhës, Durrësit, Elbasanit, Lushnjes e me radhë?

Kuvendi Kombëtar pra mblidhet në këtë situatë, për të përcaktuar qëndrimet e PD-së në këtë betejë jetike për shpëtimin e vendit.

Beteja që bëhet në parlament, duhet të zhvillohet dhe mund të zhvillohet në çdo pikë nevralgjike të këtij regjimi, të këtij vendi.

Qëndrimit të tij antikushtetues duhet t’i përgjigjemi me të gjitha mjetet e mosbindjes civile.

Protestën e zakonshme do e kishte kënaqësi, se është sadist, por ne duhet të heqim dorë nga protestat e zakonshme.

Protestat tona duhet ta bllokojnë regjimin. I cili nuk nguron të shfaqë të gjitha llojet e armiqësive.

A do pranojmë ne të mashtrojmë shqiptarët? Jo. Unë e kuptoj se zgjedhjet që kaluan kishin një seri dobësish dhe të metash.

Por këto nuk e justifikojnë kurrë që Bajrët, Pëllumb Gjokat, etj të votojnë votat tona.

Dita e zgjedhjeve është për votim, nuk është për konflikt, nuk është për armë. Jo. Koha para tyre është për betejë, për betejë pa kthim.

Dhe ne me Edi Ramën nuk kemi zgjedhje.

Ndaj dhe duhet të bëjmë gjithçka për të angazhuar anëtarësinë tonë, mbështetësit tanë, të rinjtë në veprim pa kthim, në betejë pa kthim.

U takon ju në rrethet ku jeni, në degët ku jeni, të studioni pikat më nevralgjike dhe të merrni veprimet dhe qëndrime bllokuese. Me asgjë nuk tërhiqemi ne.

Gjithçka justifikon rrëzimi i një diktature. Kjo kërkon sakrifica, kjo kërkon guxim. Çdo mjet i mosbindjes civile është kushtetues, është legjitim ndaj një regjimi, ndaj një personi që ka uzurpuar të gjitha pushtetet.

Në rast se ne vendosim të qëndrojmë siç po qëndrojmë në parlament, ju garantoj se kohërat ai i ka të shkurtra. Se nuk ka diktaturë bande, që mund t’i rezistojë revoltës së një populli.

Por ama revolta duhet të jetë revoltë.

Ndaj dhe ju ftoj ju, ftoj të gjithë drejtuesit e degëve, ftoj të gjithë anëtarët, simpatizantët tanë, të rivlerësojnë edhe njëherë situatën në të cilën ndodhemi.

Cilido që e ndjen veten të lirë, i themi se liria e tij është kallp. Megjithatë, ta gëzojë po të dojë.

Por ata që kanë bindjen politike se pluralizmi politik është jetik, është vendimtar për një komb, për një familje, për një shoqëri që të ecë përpara, duhet të bashkohet me ne. Duhet të bisedojmë, t’i ftojmë.

Për ata, Edi Rama është po aq armik po kaq sa për ne. Ne po bëjmë një luftë për idealet tona, po bëjmë një luftë jo për PD-në, po bëjmë një luftë për Shqipërinë, për pluralizmin politik, për shoqërinë shqiptare.

Ky do jetë edhe lajtmotivi i Kuvendit.

Rëndësi të jashtëzakonshme ka që këtij armiku, që shfaq ndaj nesh armiqësinë më të egër, t’i japim atë që meriton.

Të organizojmë në çdo degë dhe kudo, aksione dhe veprime të mosbindjes civile ndër më të fuqishmet.

Në Shqipëri nuk mund të ketë më paqe gjer në përmbysjen e mobokracisë dhe rivendosjen e të drejtave të shqiptarëve për të votuar të lirë.

Askush nuk do na i zgjidhë ne këto probleme. Kishte një rëndësi të jashtëzakonshme jehona planetare e veprimit në parlament. Por përsëri ju garantoj se askush nuk do vijë të përballet me Edi Ramën për ne.

Është vetëm guximi ynë, është vetëm sakrifica jonë, është vetëm vendimi ynë, ai që do t’i japë, të sigurtë, përgjigjen e merituar.

Ai e ka kuptuar këtë. Ai e kuptoi se nuk ka më kontroll mbi opozitën.

Ai e kuptoi se opozita është në këmbë dhe në sulm kundër saj. Ndaj dhe kaloi në akte të tjera antikushtetuese.

Kështu që kjo mbledhje ka këtë mesazh.

Kudo duhet të ngrihemi me të gjitha mundësitë tona, me të gjitha mjetet e mosbindjes civile. Regjimi duhet të bllokohet.

Rivendosja e Kushtetutës, e pluralizmit, e të drejtës së shqiptarëve për të votuar të lirë, është misioni ynë, është misioni i të gjithë atyre ëq guxojnë.

Dhe unë ju garantoj ju se pavarësisht se mund të duket një situatë e topitur, por janë të panumërt midis jush dhe mbarë Shqipërinë, guximtarët që presin të organizohen në aksione kundër qeverisë.

 

About Redaksia

Check Also

Vokshi: Molotovi më e pakta ndaj atyre që grisën dhe shkelën Kushtetutën

Deputetja demokrate Albana Vokshi thotë se protesta shprehu revoltën e qytetarëve, ndërsa theksoi se nga molotovët …