Berisha: Edhe ata që bëhen larot e Edi Ramës do kenë fatin e tij!

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, edhe ata që bëhen larot e Edi Ramës, do kenë fatin e tij. Berisha tha se do u rezervojmë fatin e policisë sekrete të diktaturës.
“Ne në asgjë siç jeni dëshmitarë ju, kemi ndjekur me luajalitet të plotë gjithçka, në mënyrë që të respektohet institucioni si i tillë. Por kur ky i shndërron institucionet e vendit në vegla të verbra, ato poshtërojnë veten e tyre.
Për ne, nuk ka diskutim që ai mbetet e keqja më e madhe. Por i garantoj edhe ata të cilët bëjnë lakejtë e tij, që bëhen larot e tij në detyrën që kanë, do kenë fatin e tij.
Ne nuk mposhtemi. Ne i konsiderojmë ata, njëlloj siç kemi konsideruar në vitet e fundit të diktaturës, policinë sekrete shqiptare. Dhe do u rezervojmë të njëjtin vend, të njëjtin qëndrim.
Gjykatës që fshihet prapa krimit të vet dhe KLGJ-ja në vend që të mbrojë drejtësinë, të mbrojë ligjin, mbron delinkuentin.
Prokurorë që nuk duhet të jenë kurrë në përputhje me ligjin, mbahen aty si zagarë të Edi Ramës, kundër opozitës.
U ndala në këtë moment se nuk është vetëm Edi Rama. Janë edhe një grup tjetër në drejtësi, në polici.
Çfarë mund të presin shqiptarët sot nga policia, kur drejtimin e ka marrë politikani më i inkriminuar me dokumente në këtë vend.
Kur drejtimin e saj e merr Taulant Balla, i cili sipas dokumenteve zyrtare, ka porositur vrasje, i akuzuar në sallën e gjyqit. I cili, sipas dokumenteve zyrtare, ka përdorur pasaportën diplomatike për të kaluar ngarkesa droge. 54 udhëtime me Edmond Begon ky. Edmond Bego, një trafikant i dënuar me 15 vite në Itali dhe zëvendës i Aldo Bares.
Një njeri i cili ekziston në regjistrimet e brendshme se u ka marrë përsipër Bajrëve, ndryshimet në ligjet e lojërave të fatit.
Njeri i cili u fut në komisariat dhe nxori Rrajen nga arresti në polici.
Çfarë mund të presim ne, përveçse përballje, asgjë tjetër.
Vitet kur u përballëm me diktaturën, e larguan Hekuran Isain nga detyra. Ramiz Alia e largoi.
Kurse Edi Rama solli pra, përfaqësuesin më të shëmtuar të krimit të organizuar sepse kjo është mobokraci, është diktaturë e bandave. Nuk është e doktrinës marksist leniniste. Dhe ai erdhi vetëm për këtë. Mund të ndalem në shumë aspekte, por nuk shkon të shpenzojmë më kohën”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …