Neutraliteti antiperëndimor i Kinës

Në provimin e ndërtimit të një alternative ndaj rendit aktual të sigurisë globale të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara, edhe në konfliktin midis Hamasit dhe Izraelit Kina ndjek një pozicionim prej fuqie të madhe “neutrale”. Mbështetës i paqes dhe i gatshëm të ofrojë një alternativë ndaj pozicioneve më radikale amerikane proIzrael, Pekini ka vendosur të “mos rreshtohet” hapur me Perëndimin në dënimin e aksioneve të organizatës palestineze. Me këtë zgjedhje Dragoi i kuq synon të forcojë më tej lidershipin e tij kundrejt vendeve të Jugut global, shumica e të cilëve mbetet solidare me kauzën palestineze.

Në vitet e fundit Kina ka punuar intensivisht në skenën ndërkombëtare për të krijuar një alternativë ndaj rendit aktual të sigurisë globale të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara. Në një kontekst të tillë, nevoja e bilancimit të shumë interesave të tilla në lojë e ka çuar Pekinin të mos rreshtohet hapur mbi çështje fuqimisht polarizuese si lufta në Ukrainë. Dinamikë kjo që është përsëritur edhe në rastin e konfliktit midis Izraelit dhe lëvizjes së rezistencës palestineze në Gaza. Ndërsa i gjithë Perëndimi i ka dënuar si akte terroriste sulmet e organizatës palestineze, Kina ka qëndruar në heshtje për ditë të tëra; presidenti Xi Jinping ka pritur fundin e Forumit të Tretë të Belt and Road Initiative (BRI) për ta komentuar krizën, duke ritheksuar pozicionin kinez që prej shumë kohësh e sheh si zgjidhje të vetme mundësinë e dy shteteve dhe duke kërkuar një korridor humanitar për të lejuar ndihmat që të hynin në Rripin e rrethuar.

Në konfliktin midis shtetit hebraik dhe rezistencës palestineze, Pekini synon qartë të ruajë një pozicion neutraliteti në prizmin antiperëndimor duke veshur rrobat e ndërmjetësuesit, në mos tjetër për të provuar të bilancojë në sytë e një pjese të caktuar të botës radikalitetin e pozicioneve proizraeliane të Shteteve të Bashkuara. Ajo që jep peshë këtij qëndrimi në radhë të parë kanë menduar fjalët e të dërguarit kinez për çështjet e Lindjes së Mesme, Zhai Jun, që kanë evidentuar sesi arësyeja themelore e situatës aktuale të konfliktit izraeliano – palestinez është njohja e munguar e të drejtave kombëtare legjitime të popullit palestinez. Në radhë të dytë, që i ngarkojnë dozat, ka ndërhyrë edhe ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, që e ka përshkruar bombardimin izraelian të civilëve në Gaza si një aksion që ka tejkaluar edhe aspektin e zbatimit të vetëmbrojtjes së njphur të shtetit hebraik pas sulmeve të 7 tetorit. Kontekstualisht, Pekini e ka shmangur dënimin hapur e aksioneve të Hamasit si akte terroriste, por është kufizuar ta shprehë “preokupimin” për dhunat ndaj popullsisë. Megjithatë, prapa toneve dukshëm pajtues dhe çtensionues mbi luftën në Gaza dhe ruajtjes së një pozicioni jo ndërhyrës, është edhe tentativa nga ana kineze që të provojë të maskojë diplomatikisht vështirësitë e influencimit në mënyrë konsistente ngjarjet në atë pjesë të botës që është e njohur nën influencën ruse dhe amerikane. Nga ana tjetër, në Pekin e dinë mirë se një zgjerim i konfliktit aktual në shkallë rajonale mund ta kompromentojë në mënyrë shumë serioze rolin e ndërmjetësit super partes që Kina kërkon të heqë për veten e saj për vite me radhë.

Qasja kineze ndaj çështjes palestineze

Interesat kineze në lojë në Palestinë dhe në botën arabe janë të shumta dhe transversale; në planin ekonomik, Republika Popullore ka nevojë për stabilitet në këtë zonë të botës që ajo e konsideron vendimtare për arritjen e projektit kryesor të saj, BRI, të cilit i është bashkuar në 2022 edhe Autoriteti Kombëtar Palestinez (ANP). Veç kësaj, Pekini është partneri më madh komercial i shumë vendeve arabe dhe një prej blerësve më të rëndësishëm të naftës iraniane dhe saudite. Nga pikëpamja politike, Pekini mbështet publikisht prej dekadash kauzën palestineze. Kina ka qenë ndër vendet e para që e ka njohur në 1998 shtetin e Palestinës me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike duke filluar nga viti i mëpasëm. Megjithë distanca kohore që ndaj fillimin e marrëdhënieve normale diplomatike midis Kinës dhe shtetit të Izraelit është me rreth 3 vite (1992), mbështetja e Dragoit të kuq kundrejt vendeve arabe dhe të popullatës palestineze fillon qysh në kapërcyellin midis viteve ’50 e ’60. Qysh nga kontaktet e para, pozicioni kinez i neutralitetit është spostuar në pozicione gjithnjë e më propalestineze. Për ta motivuar afërsinë e tij politike ndaj botës arabe, Pekini ka filluar të investojë gjithnjë e më shumë në planin ekonomik dhe komercial, duke e forcuar influencën e tij në rajon në pritje të një pozicionimi gjeostrategjik. Kohët e fundit, shtytja politike kineze në skenarin e Lindjes së Mesme ka çuar në firmosjen e një marrëveshjeje historike midis Arabisë Saudite dhe Iranit falë ndërmjetësimit të Pekinit. Veç kësaj, në konferencën e dhjetë të aferave arabo – kineze, që është mbajtur në muajin qershor, Kina ka nënshkruar mbi 30 marrëveshje investimesh me një vlerë prej rreth 10 miliard dollarësh, përfshi një marrëveshje prej 5.6 miliard dollarësh me sauditët për një ndërmarrje të përbashkët automobilash elektrikë.

Në këtë skenar, megjithëse duke përfaqësuar një çmim më të vogël në sistemin më të gjerë të interesave dhe aleancave kineze në rajon, palestinezët luajnë një rol strategjikisht të rëndësishëm për Pekinin, që në mbështetje i kundërvihet direkt aksit izraeliano – amerikan. Gjatë vizitës në Kinë të Mahmud Abbas, president i ANP, qershorin e kaluar, të dy partnerët kanë njoftuar formimin e një komiteti të përbashkët të finalizuar në nxitjen e negociatave mbi marrëdhënien e shkëmbimit të lirë Kinë – Palestinë. Megjithëse nuk bëhet fjalë për një marrëveshje që lëviz shifra astronomike, motivet e interesit të tillë të një këvizjeje të tillë u përgjigjen interesave kineze për të penetruar në ekonominë paletineze që ta sikletosin Izraelin dhe, për pasojë, Uashingtonin. Gradualisht, Pekini ka arritur të krijojë një hapësirë në tregun delikat dhe të reduktuar palestinez, i kontrolluar me shikim nga Tel Avivi, nëpërmjet investimeve të vogla. Në 20 vitet e fundit, eksportet kineze drejt Palestinës janë rritur nga 6.15 milion dollarë në 2000, në 248 milion dollarë në 2021.

Degradimi i lidershipit global të Shteteve të Bashkuara

Ambiguiteti i ponderuar në faktet palestineze futet në një strategji tashmë të adoptuar nga Pekini me planin e paqes të propozuar për konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës. Neutraliteti antiperëndimor i manifestuar nga Dragoi i kuq ndjek në mënyrë të palëkundur vullnetin e presidentit kinez për ta rritur prestigjin e tij si shtetar global, me qëllim që të ndortojë një vizion të Kinës si aktor në gjendje të sjellë paqe dhe stabilitet në zonat më të nxehëta të planetit, duke ia hequr terrenin nga këmbët Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë, një objektiv tjetër i Pekinit mbetet ai i provuarit të uljes së toneve lidhur me çështjen e pakicës uigure myslimane në Kinë, kundrejt botës islamike. Partia Komuniste Kineze i ka mbrojtur gjithmonë politikat e saj në ksiniang si një tentativë për të kundërshtuar ekstremizmin e brendshëm; prandaj tregimi i solidaritetit dhe mbështetjes ndaj kauzës palestineze mund ta ndihmojë Pekinin ta hutojë opinionin publik ndërkombëtar nga politika e riedukimit të forcuar. Konflikti midis Hamasit dhe Izraelit në Rripin e Gazas është i destinuar të fusë një dimension të ri në rivalitetin tashmë të fortë midis dy aktorëve globalë, nga momenti që skenari aktual i krizës mund të prodhojë një prani kineze në rritje në zonën e Gjysmëhënës shiiite. Faktikisht, Pekini synon që ta sfidojë gjithnjë e më hapur hegjemoninë e Shteteve të Bashkuara në rajon, e pajisur me raportet e mira të ndërtuara vitet e fundit me Riadin (aleat i Uashingtonit), por sidomos me Teheranin, armik natyral i shtetit hebraik.

Pastaj, vetë fakti që Pekini dhe Moska ndajnë të njëjtin pozicion lidhur me çka po ndodh në Gaza dhe po punojnë bashkë me qëllim që ta ftohin situatën për të bërë të bien dakord palët nëpërmjet zgjidhjes së dy shteteve, rrezikon t’i shtojë konkretësi të mëtejshme dizajnit gjeopolitik kinez. Faktikisht, për sa mbesin ende dyshime rreth qëllimeve reale të Kinës në rritjen e përpjekjeve të veta për të arritur një zgjidhje në kohën më të vogël të mundshme në Gaza, sfida e lançuar nga Pekini ndaj lidershipit amerikan po bëhet gjithnjë e më transversale dhe pervazive. Aktualisht, Dragoi i kuq nuk gëzon një influencë të fortë mbi Izraelin, gjë që do t’i mundësonte të luante një rol vërtet vendimtar në krizën në zhvillim; për këtë arësye, vështirë se Pekini do të arrijë të çojë në tryezën e traktativave izraeliane dhe palestineze. Veç kësaj, zgjidhja e dy shteteve, e mbështetur nga Kina, nuk i ka pëlqyer kurrë shtetit hebraik. Megjithatë, punimi për një deeskalim tranzicional në rajon, në konkurrencë me Uashingtonin, përfaqëson për Pekinin një rast të mirë për t’u matur me rolin e paqëtuesit në shkallë globale. Problemi i madh mbetet dukja e neutralitetit, që e pengon Kinën të ekspozohet në mënyrë të vendosur mbi atë që po ndodh aktualisht në Gaza, duke ia lënë fjalën e fundit gjithmonë rivalit strategjik numër një, Shteteve të Bashkuara, që në fakt kanë demonstruar edhe një herë akoma se janë një fuqi në të gjitha aspektet, duke lëvizur njerëz dhe mjete drejt Izraelit për t’i lëshuar një paralajmërim të qartë Hizballahut dhe Iranit.

Posedimi i kapaciteteve të mëdha të pushtetit është një gjë; të sillesh si një fuqi e madhe është një tjetër. Pas sulmeve të Hamasit, megjithëse duke qenë e impenjuar në frontin ukrainas, Uashingtoni nuk është tërhequr prapa dhe i ka dhënë mbështetje ushtarake dhe diplomatike shtetit hebraik. Në të kundërt, Pekini është kufizuar të shprehë objeksione dhe të kërkojë paqen. Kjo demonstron se ka akoma shumë rrugë për t’u bërë përpara se Dragoi i kuq t’i kalojnë definitivisht Shtetet e Bashkuara në planin e moderimit të skenarëve të krizave në shkallë globale. Në Kinë duhet akoma të kuptojnë se në fazat e eskalimit jashtëzakonisht komplekse, si ato në zhvillim në eksklavën palestineze, një fuqi e madhe nuk mund të bëjë profesion ambiguitetin, por duhet të reflektojë gjithmonë një pozicion të qartë dhe të paekuivok.

(nga Eurasia)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

About Redaksia

Check Also

Tetori bëhet rozë në SIGAL UNIQA/ Paketat më të mira të sigurimit dhe oferta që nuk duhet humbur

Tetori, muaji kushtuar ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e kontrolleve dhe parandalimit në luftën kundër kancerit të …