Henry Kissinger, i cili vdiq të mërkurën në moshën 100-vjeçare, personifikoi politikën e jashtme të SHBA-së gjatë administratave të presidentëve Richard Nixon dhe Gerald Ford, duke shërbyer si sekretar i shtetit i të dy presidentëve dhe duke fituar lavdi për sukseset diplomatike, por duke nxitur edhe polemika për pikëpamjet e tij politike për botën.
Njoftimi për vdekjen u dha nga kompania e tij e konsulencave e cila nuk shpalosi shkaqet.
I njohur si një studiues, fitues i çmimit Nobel për Paqe dhe një refugjat i shquar në Shtetet e Bashkuara, Henry Kissinger u bë një ikonë kulturore, duke frymëzuar biografi të shumta, të mira e të këqija dhe të satirizuara nga grupi Monty Python.
Mendimtari konservator ndihmoi në ndërtimin e një sërë suksesesh diplomatike, duke përfshirë afrimin me Kinën dhe shtensionimin me Bashkimin Sovjetik. Atij iu dha Çmimi Nobel për Paqe së bashku me Le Duc Tho nga Vietnami i Veriut, për përpjekjet e tyre për të negociuar përfundimin e Luftës së Vietnamit.
Henry Kissinger gjithashtu shënoi arritje të shumta në Lindjen e Mesme, duke përfshirë negocimin e Marrëveshjes së Sinait të vitit 1975 midis Egjiptit dhe Izraelit, dhe punën për të çuar përpara procesin më të gjerë të paqes arabo-izraelite në përpjekjet që u bënë të njohura si “diplomacia e vajtje ardhjeve”.
Pavarësisht arritjeve të tij në mbarë globin, Henry Kissinger ishte një figurë e diskutueshme, me kritikët që pretendonin se ai lejoi bombardimet në Kamboxhia, mbështeti goditjen e Pakistanit ndaj Bangladeshit dhe bëri pak për të ndaluar fushatën e Argjentinës kundër disidentëve.
Vitet e hershme
I lindur si Heinz Kissinger në Furth të Gjermanisë, ai mbërriti në Shtetet e Bashkuara në vitin 1938 në moshën 15-vjeçare pasi familja e tij iku nga përndjekjet naziste të hebrenjve. Familja fliste anglisht në shtëpi dhe Heinzi u bë i njohur si Henry, duke u bërë më vonë një qytetar i natyralizuar amerikan.
Z.Kissinger u kthye në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore si pjesëtar i Ushtrisë Amerikane në Divizionin e 84-të të këmbësorisë.
“Unë i kujtoj ato vite me shumë krenari”, tha ai për Chicago Tribune kur ishte në të 80-at. “Lufta e Dytë Botërore ishte një luftë pa asnjë paqartësi morale”.
Pas luftës, z. Kissinger u regjistrua në Harvard në kuadër të programit G.I. Bill, që ofronte përfitime për të kthyerit nga lufta, dhe aty më pas doktoroi, duke iu bashkuar më vonë kuadrit mësimdhënës.
Pikëpamja e tij për politikën e jashtme pa dyshim u formësua nga përvoja e arratisjes nga Gjermania naziste.
Ai është i njohur për qasjen e tij “realpolitike” të përqendruar në marrjen e vendimeve praktike diplomatike dhe jo në ato që i kanë rrënjët në një kuadër moral.
Kur u pyet nga The New York Times në vitin 1974 për ndjenjën e pesimizmit dhe madje edhe të tragjedisë në shkrimet e tij politike, z. Kissinger u përgjigj: “Unë e mendoj veten më shumë si historian sesa si burrë shteti. Si historian, ju duhet të jeni të vetëdijshëm për faktin se çdo qytetërim që ka ekzistuar ndonjëherë, në fund është shembur”.
“Historia është një rrëfim mbi përpjekjet që dështuan, mbi aspiratat që nuk u realizuan, mbi dëshirat që u përmbushën dhe më pas dolën të ishin të ndryshme nga ajo që pritej”, tha ai.
Roli në Shtëpinë e Bardhë
Pasi shërbeu si konsulent në agjencitë qeveritare të SHBA gjatë administratave të presidentëve Dwight D. Eisenhower, John Kennedy dhe Lyndon Johnson, z. Kissinger iu bashkua Shtëpisë së Bardhë në vitin 1969 gjatë administratës së presidentit Nixon. Ai shërbeu si këshilltar për sigurinë kombëtare dhe më pas sekretar i shtetit, punë qe e vazhdoi nën presidentin Gerald Ford.
Ai kishte një marrëdhënie të ngushtë me presidentin Richard Nixon dhe e vlerësoi bashkëpunimin si një arsye kryesore për sukseset e tyre në politikën e jashtme.
Ai tha për Newsweek në vitin 2009: “E takoja presidentin çdo ditë kur ishim të dy në qytet, sepse e ndjeja se ishte absolutisht thelbësore që ne të mendonim në të njëjtën linjë. Unë isha me fat. Kam pasur marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushta me dy presidentët me të cilët kam shërbyer. Në fakt, nëse shikohet historia e sekretarëve të shtetit, kjo është e rrallë”, tha ai.
Z.Kissinger bëri dy udhëtime në Kinë përpara se të shoqëronte presidentin Nixon në vizitën e tij që shënoi kthesë në Pekin në 1972, për t’u takuar me kryetarin e Partisë Komuniste të Kinës, Mao Ce Dun. Gjatë vizitës, Shtetet e Bashkuara dhe Kina zyrtarizuan marrëdhëniet diplomatike pas një ndërprerjeje prej 23 vitesh.
Ish sekretari Kissinger dhe ish presidenti Nixon gjithashtu punuan ngushtë së bashku për të zbutur tensionet me Bashkimin Sovjetik, duke çuar në Bisedimet për Kufizimin e Armëve Strategjike (SALT) si dhe në Traktatin Kundër Raketave Balistike (ABM).
Ish diplomati më i lartë amerikan mori çmime të shumta për arritjet e tij. Së bashku me Çmimin Nobel për Paqen në 1973, ai fitoi Medaljen Presidenciale të Lirisë në vitin 1977, nderimi më i lartë civil në Shtetet e Bashkuara, dhe Medaljen e Lirisë në vitin 1986, e cila iu dha 10 prej udhëheqësve më me ndikim të Amerikës me origjinë të huaj.
Kundërthëniet
Pavarësisht arritjeve të tij, z. Kissinger ka nxitur shumë kritika, shumica e të cilave u përqendruan në veprimet e tij gjatë Luftës së Vietnamit.
Ai i mbajti sekret bombardimet e Shteteve të Bashkuara në Kamboxhia dhe Laos në vitin 1969, të cilat përshkallëzuan Luftën e Vietnamit, duke mos e informuar Kongresin ose publikun amerikan për to.
Atij gjithashtu iu dha pushtet nga presidenti Nixon për të zhvilluar negociata të fshehta me vietnamezët e veriut. Ndërsa z. Kissinger përfundimisht ndihmoi arritjen e Marrëveshjes së Paqes të Parisit si rezultat i negociatave, kritikët e tij thonë se vitet e bisedimeve të fshehta vetëm sa e zgjatën luftën.
Ish sekretari Kissinger është kritikuar gjithashtu për rolin e tij në konfliktet në mbarë botën, përfshirë luftën civile të Angolës, e cila u shndërrua në një fushë beteje të Luftës së Ftohtë, dhe përfshirjen e SHBA-së në Kili, që kulmoi me një grusht shteti në vitin 1973.
Ndonëse z. Kissinger qëndroi në rolin e tij si sekretar i shtetit pasi presidenti Nixon dha dorëheqjen në vitin 1974, ai nuk mbeti i paprekur nga skandali Watergate që e rrëzoi presidentin Nixon. Skandali zbuloi se z. Kissinger kishte urdhëruar FBI-në të përgjonte anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të parë se kush kishte nxjerrë në media lajmet për bombardimin e Kamboxhias nga Shtetet e Bashkuara.
Periudha pas Shtëpisë së Bardhë
Pas largimit nga qeveria, z. Kissinger punoi si këshilltar dhe pedagog ndërkombëtar, si dhe shkroi një duzinë librash. E fundit e tij, “Udhëheqja” (Leadership), u botua kur ai ishte 99 vjeç.
Ai vazhdoi të fliste dhe të shkruante për punët e jashtme, madje duke nxitur polemika në maj të vitit 2022, kur ai argumentoi në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, se Ukraina duhet të heqë dorë nga pjesë të territorit për të bërë paqe me Rusinë. Ai tha se një humbje e turpshme për presidentin rus Vladimir Putin mund të përkeqësojë qëndrueshmërinë afatgjatë të Evropës.
Z.Kissingeri la pas vetes gruan e tij të dytë, Nancy, me të cilën u martua në vitin 1974. Ai pati dy fëmijë me gruan e tij të parë, Ann Fleischer, dhe pesë nipër e mbesa.