Berisha: 80 deri 90 përqind e investimeve vidhen, nyja te ‘Shqiponja’ ka kushtuar 27 milionë euro kilometri

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, 80 deri 90 përqind e investimeve vidhen. Berisha tha se, nyja te ‘Shqiponja’ ka kushtuar 27 milionë euro kilometri.
“Në diskutimet tuaja del qartë drama e tmerrshme në të cilën kalon sot Shqipëria.
Ne, jemi një popull që kemi përjetuar eksperimente, edhe të tjerët kanë përjetuar, por ne në shkallën më ekstreme në kuptimin e monizmit ekstrem.
Mirëpo ajo që theksoi zoti Kaprata ka një domethënie të jashtëzakonshme, kur kryeministri pasi ka përqendruar çdo gjë, merr të firmosë edhe lejet e ndërtimit, të cilat në çdo kod të botës janë atribute të qeverive vendore- dhe e vërteta është, meqenëse zoti Kaprata përmendi diktaturën, në shumë raste ato nuk ishin të komunitetit ekzekutiv, por të lokalitetit- kurse këtu një njeri që do të kontrollojë çdo gjë, dhe kjo nuk ndodh vetëm me kullat, jo, kjo ndodh absolutisht edhe me banesat dy dhe trekatëshe.
Mirëpo kur një njeri përqendron çdo gjë në duart e tij, dhe për hir të së vërtetës ky njeri vjedh me firmën e tij nga mëngjesi gjer në darkë, atëherë është ligj në doktrinën e korrupsionit se korrupsioni shndërrohet në sistem.
Atë e ndjekin vartësit me radhë. Kjo që ju paraqitët këtu, kjo është dëshmi e një sistemi të tmerrshëm korrupsioni që është vendosur këtu.
Imagjinoni për një moment, dy miliard euro në pllaka guri, të gjitha të nxjerra diku në Berat, diku në Skrapar, diku në Dibër, të cilat në mënyrë absolute në të gjitha variantet nuk mund të kushtonin më shumë se 200 milionë.
Në Shqipëri është vendosur një raport ku 80 ose 90 përqind e asaj që shpallet investim, vidhet. Shembull klasik janë djegësat.
Janë tre djegësa gjer sot, të shpenzuara 180 milionë euro, asnjëri nuk funksion dhe ai që herë funksionon, herë jo, ka kushtuar 11 milionë euro. I Tiranës nuk ekziston, por ka marrë 130 milionë deri tani.
Nyja te ‘Shqiponja’ ka kushtuar 27 milionë euro kilometri. Ka kushtuar një kilometër sa dy kilometra të tunelit të Kërrabës.
A mund të imagjinoni? Dhe meqenëse folëm për rrugët, duhet të dini një gjë, që këto rrugë janë një ndëshkim për shqiptarët, jo vetëm me kostot, po e po, se të ndërtosh rrugë me 10-fishin e çmimit, është krim i shëmtuar.
Por ka një problem tjetër po kaq të rëndë, koha e ndërtimit. Nëse ti, rrugën që duhet ta ndërtosh në dy vite, e zgjat në 12 vite, i humb çdo shans të leverdisshmërisë së saj. Të përfitimit prej saj, përkundrazi.
Rruga, kur është fizibël, fitohet 1 me 4. 1 dollarë investim, 4 fitim. Por me kusht kohën. Ka filluar rruga Qukës-Qafë Pllocë në vitin 2011, janë bërë 12 vite dhe rruga nuk përfundon.
Ka filluar Rruga e Arbrit, në vitin 2013 kemi lënë të përfunduara 32 kilometra, kemi lënë të papërfunduara 27 kilometra dhe sot ajo vazhdon.
Pra, jo vetëm që njëra anë është e tmerrshme, vjedhja që bëjnë. Por nga ana tjetër, zgjatja e tyre është një barrë shumë e rëndë për ekonominë. Dhe kjo është në çdo sektor. Kjo është kudo”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Drama e shkollës, vetëm 22 studentë të rregjistruar tek Gjeografia, 7 tek Fizika, 0 tek…

Arkeologjia dhe trashëgimia kulturore, është një ndër programet me më pak interes në Universitetin e …