Kryetari i PD, Sali Berisha bëri homazhe në nder të figurës së ndritur të aktorit të madh të skenës dhe ekranit, Mirush Kabashi, i cili mbylli sytë të martën në moshën 75-vjeçare. Berisha tha në një proncom për mediat se, Mirush Kabashi ishte mbret në skenë, u largua si Sokrati i kësaj kohe.
“Erdha për të shprehur së bashku me mikun tim, Besnik Mustafaj, mirënjohjen tonë, admirimin e pakufishëm për gjeniun e skenës, filmit dhe teatrit, Mirush Kabashin.
Por, për Mirushin ka gjithnjë celebrim të asaj trashëgimie që ky len për ne dhe brezat që vijnë.
Ai vërtet ndahet, por ndahet duke lënë një trashëgimi mahnitëse.
Ai ishte mbret në skenë, ndoshta askush tjetër nuk arriti të sublimohet në interpretimet e tij, në personazhet që mori përsipër.
Ai, e them, u largua si Sokrati i kësaj kohe, në sensin që me Apologjinë e Sokratit, shënoi ndoshta kulmin e tij në skenën shqiptare, por edhe atë ndërkombëtare.
Ndaj edhe njëherë ngushëllime më të ndjera familjes, respektin më të madh për veprën e pavdekshme të Mirush Kabashit”, tha Berisha.