Pastrimi i parave/ 9 kulla me 299 kate në total do t’i shtohen Tiranës

Nëntë kulla të reja i shtohen Tiranës së fundmi. Qeveria shqiptare përmes Këshillit Kombëtar të Territorit ka miratuar përgjatë vitit 2023, nëntë vendime që i hapin rrugën ndërtimeve të reja, me lartësi nga 12 deri në 58 kate.

“Lana Riverside Residences” është kulla më e re që do i shtohet kryeqytetit.

E pozicionuar në Bulevardin Gjergj Fishta, te ish-Universiteti i Tiranës, kjo ndërtesë do të jetë 56 kate mbi tokë dhe 6 kate nën tokë, me një lartësi prej 204.5 metra, në formën e cilindrit. Kulla, pjesë e një kompleksi me godina 1,2,3,5,8 kate do të ndërtohet nga “Forever Construcion”, në pronësi të Lefter Sota, i angazhuar në fushën e tregtimit të hekurit.

Pas “Lana Riverse Residences”, për nga lartësia renditet kulla e emëruar “Barcelona Tower”, e cila do te jetë 192.8 metër e lartë, duke numëruar 50 kate mbi tokë dhe 6 të tjera nën tokë. Kjo ndërtesë do të zërë vendin e Bankës Kombëtare Tregtare, ngjitur me Shtëpinë e Gjetheve.

“Tirana, një shesh ndërtimi pa kriter”

Këto nuk janë kullat e vetme që po ndërtohen në Tiranë. Për vitin 2023, me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) janë miratuar lejet për nëntë ndërtime nga 12 deri në 58 kate. Shumica e këtyre lejeve janë afër qendrës së qytetit, një zonë tanimë e mbi ndërtuar.

Përpos “Lana Riverside Residences” dhe “Barcelona Tower” që janë më të lartat ndërtesa mes 9 lejeve të dhëna për 2023, renditen edhe 7 të tjera, me tipologji të ndryshme.

Në rrugën “Liman Kaba”, afër Komunës së Parisit do të ndërtohet një godinë 25 kate mbi tokë dhe 5 kate nëntokë, me funksione shërbimi, hotelerie dhe rezidenciale. Zhvilluar nga Unico Construction Sh.P.K.

“Bazaar Gate, një kullë 27 katëshe mbi tokë dhe 4 nëntokë do të zërë vend në rrugën “Luigj Gurakuqi”, zhvilluar nga shoqëria “Bregu” Sh.A.

Në rrugën e barrikadave, një kullë 58 kate mbi tokë dhe 7 nën tokë me qëllim multifunksional do të zhvillohet nga “Nova Construction-2012” Sh.P.K. Ende nuk është bërë publik projekti dhe dizajni i ndërtesës.

Ndërsa në zonën e ish-Bllokut, shembja e dy godinave një katëshe do ti lërë vendin një ndërtese 12 kate mbi tokë dhe 6 nën tokë. Godina do të zhvillohet nga “Forever Construction” Sh.P.K, në rrugën “Brigada e VIII”.

“Kulla me para borxh”

Projektet e reja qiellgërvishtëse në kryeqytet shihen me shqetësim nga grupet e aktivistëve politikë.

Lëvizja Bashkë, e cila ka ndjekur së fundmi situatën e ndërtimeve në qendër të Tiranës, shprehet se këto projekte si “logjikë e fitimit në kurriz të jetës së banorëve të Tiranës dhe hapësirës publike ka shpërfilluar nevojat dhe të drejtat e komunitetit në emër të interesave financiare të një grupi të vogël”.

Sipas Lëvizjes Bashkë, ndërtuesit e kullës në Bulevardin Gjergj Fishta, rezultojnë me bilanc negativ në QKB, duke e parë me shqetësim kësisoj procesi ne lejeve dhe vlerësimin e subjekteve që merren me ndërtim në Tiranë.

“Pastrimi i parave në sektorin e ndërtimit është një problem serioz që ka ndikim të thellë në ekonominë dhe integritetin e një vendi. Ndërsa sektori i ndërtimit rritet, ka tendencë që tërheq vëmendjen e aktiviteteve të paligjshme financiare dhe pastrimit të parave. Kompanitë e ndërtimit, në disa raste, mund të përdorin ndërtime të mëdha si një mjet për të futur paratë e fituara nga aktivitete të tjera ilegale apo për të legalizuar fitimet e marra nëpërmjet veprimeve të dyshimta. Kjo mund të përfshijë shpërdorime të lejeve ndërtimore, fatura të rreme dhe transaksione të dyshimta financiare që mund të maskohen pas komplekseve të ndërtimeve”,-thuhet në reagimin e Lëvizjes Bashkë.

Projektet që po betonizojnë qendrën historike të Tiranës

Në qendër të Tiranës po ndërtohen gjashtë kulla shumë katëshe, brenda territorit që dikur ishte zonë e mbrojtur historike. Vendimi Nr.582 i Këshillit të Ministrave (me kërkesë të Bashkisë Tiranë), i hapi rrugë tkurrjes së qendrës historike të qytetit.

Kjo ndërhyrje u kritikua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit si e pabazuar në asnjë studim të mirëfilltë, veç interesave të biznesit të ndërtimit.

Kullat që po ndërtohen në qendër të qytetit janë:

Tirana’s rock – një kullë prej 24 katesh në formën e bustit të heroit kombëtar Skënderbeu, po ngrihet mbi rrënojat e vilave 100-vjeçare të rrugës “Broduej”.

“New Hotel Tirana International” – Njëkullë 33 katëshe që do të jetë vazhdimi i hotelit “Tirana Internacional”, i njohur si 15-katëshi i Tiranës..

Book Building – Është një kompleks godinash 4,5,11 dhe 21 katëshe që po ngrihet vetëm 8 metra larg Sahatit të Tiranës, ndërtesës simbol të kryeqytetit.

“Eyes of Tirana” – Kulla 24 katëshe e ngritur në lulishten krah Bankës së Shqipërisë mori “bekimin” e KKT në vitin 2017.

“Forever Green” – Kulla nisi punimet në shkurt të vitit 2011. Për ta përfunduar projektin e kullës 25 katëshe u deshën 13 vite pas falimentimit të kompanisë që nisi punimet, ajo u përfundua nga kompania “AlbStar”.

“Tirana Mount” – Një kullë prej 185 metrash do të ngrihet në një hapësirë të gjelbër pas Operas.

/Citizens Channel

 

 

About Redaksia

Check Also

Berisha: Avokati i Popullit duhet të ngrejë fuqishëm zërin ndaj Irena Gjokës, ka shkelur të gjitha ligjet!

Kryetari i PD, Sali Berisha në foltoren e Kuvendit i kërkoi Avokatit të Popullit të …