Kryetari i PD, Sali Berisha mori pjesë në lançimin e shkollës politike të FRPD. Berisha tha gjatë fjalës së tij se, 8 dhjetori është dita më e rëndësishme pas Pavarësisë, studentët vendosën të ngrihen për pluralizmin.
“Mirëmbrëma dhe gëzuar ditën tuaj. Dua t’ju garantoj se kjo ditë është dita më e rëndësishme pas Pavarësisë së Shqipërisë, në historinë tonë të lirisë. Është një ditë kur bashkëmoshatarët tuaj 33 vite më parë ndan epokat, ndan sistemet, ditë, atyre u takoi ky mision historik.
Nuk ndodh shpesh ndoshta edhe në një jetë njeriu, por gjeneratës së të rinjve të vitit 1990 u takoi ky mision ky fat dhe ata u treguar në lartësinë e guximit njerëzor, në lartësinë e ëndrrave të tyre të lirisë, por me një dallim shumë thelbësor nga ju që keni lindur dhe jeni rritur në një epokë lirie, ata djem dhe vajza nuk kishin jetuar një ditë të vetme në liri apo në një vend të lirë. Dhe kjo është shumë e veçantë.
Do tu them një eksperiencë timen personale.
Unë dilja jashtë shtetit në ato kongreset e kardiologëve, por a e dini ju se unë ngado që shkoja nuk ndihesha i lirë.
I tillë ishte formimi ynë në raport me lirinë dhe megjithatë, ishin moshatarët tuaj që 33 vite më parë, studentë, vendosën të ngrihen për pluralizmin të cilin ata nuk e njihnin se çfarë është.
Të ngrihen kundër diktaturës si e keqja më e madhe që mund të kapë një komb për një sistem tjetër që ata nuk e kishin jetuar asnjë ditë.
Të ngrihen në një akt guximi sublim sepse diktatura edhe në atë kohë nuk kursente breshëritë e kallashnikovëve mbi gjokset e të rinjve, të cilët niseshin për të kaluar kufirin pasi u hoq ligji i tradhtisë së lartë për arratisje.
Kështu që ajo ditë është në kuptimin më të mirëfilltë të fjalës, pas pavarësisë së vendit, dita më e shënuar në lirinë e shqiptarëve”, tha Berisha.
Gazeta RD