4 pikë në 6 ndeshje janë shifra që dënuan Manchester United, për më tepër në një grup me ekipe si Copenhagen e Gallatasary, ekipi i Ten Hag mund dhe duhet të bënte diçka më shumë. Fati i tyre në Evropë ishte shkruar kohë më parë, sfida e tyre nuk ishte me Bayern Munich, fakt që e pranon edhe trajneri i “djajve të kuq”.
“Nuk e humbëm sot Champions League, e humbëm kohë më parë, duhet ta pranojmë këtë. Gjatë këtij rrugëtimi kemi bërë disa paraqitje të mira, por dhe shumë gabime. Në fund ato që mbesin janë pikë, pikët na mungojnë. Unë si trajner duhet të përmirësoj këtë ekip, ne dëshirojmë të rikthehemi sërish në Champions League”, u shpreh Ten Hag.
Disfata e United në Evropë “pushtoi” faqet e para të mediave angleze, ku në sinkron bëjnë përgjegjës trajneri Ten Hag, për mënyrën se si menaxhoi këtë grup dhe për merkaton jo efikase që ka zhvilluar.