Berisha: Pakënaqësia ndaj Ramës është shumë e madhe, por njerëzit kanë frikë!

Kryetari i PD, Sali Berisha u bëri thirrje anëtarëve të kryesisë së PD se, duhet të përdorim sa më shumë rrjetet sociale! Berisha tha se, pakënaqësia ndaj Ramës është shumë e madhe, por njerëzit kanë frikë.
“Ne jemi të vetëdijshëm, betejën pa kthim e nisëm ose e shpallëm pas përfundimit të dokumentimit të plotë shkatërrimit të zgjedhjeve në Shqipëri, të vjedhjes së votës nga Edi Rama në Shqipëri. Dhe ajo ishte e domosdoshme.
Premtimi ynë ndaj shqiptarëve, detyrimi ynë ndaj shqiptarëve është që të mos i mashtrojmë, përkundrazi që ata të votojnë të lirë.
Diktatura ka krijuar një propagandë të stërfuqishme. Si kurrë ndonjëherë më parë janë zgjuar tellallë të Sigurimit të vjetër të Shtetit, që kalojnë nga një studio në një tjetër në mbrojtje të akteve diktatoriale. Lëpirës mjeranë që plaçkisin shqiptarët çdo ditë, nëpërmjet firmës së Edi Ramës dhe ministrave të tij.
Por, e gjithë kjo propagandë nuk është e pakapërcyeshme. Kjo kërkon që ne të përdorim çdo mjet që kemi në dorë, dhe faktikisht nuk e kemi përdorur siç duhet, dhe këto janë rrjetet sociale.
Ato duhet të jenë ekranet tona televizive, ato duhet të jenë debatet tona. Ndaj dhe në këtë situatë ato bëhen më të rëndësishme, me rol më kritik se asnjëherë më parë.
Në kushtet dhe rrethanat kur armiku ynë disponon apo ka nën urdhër të gjitha institucionet e narkoshtetit, ka në disponim apo kontrollon 80 apo 90 përqind të propagandës, ka në disponim apo kontrollon ekonominë në mënyrën më të pamëshirshme formale dhe informate, ky rend monist, ky sistem monist nuk ka në disponim qytetarët. I mungojnë qytetarët.
Ata janë të trembur, por kanë një urrejtje të pakufishme ndaj Edi Ramës. Kudo që shkoni, dëgjoni rëndom se unë jam socialist, por nuk jam me Edi Ramën. Dëgjoni rëndom njerëz që shprehin dhimbjen më të thellë për humbjen e identitetit të tyre politik. Dëgjoni rëndom njerëz që kalojnë ditën në dhimbje dhe mjerim.
Pra, pakënaqësia ndaj Edi Ramës dhe regjimit të tij është shumë e madhe.
Ndaj dhe ne të mos besojmë pollet që i organizon ai vetë. Dhe mos harroni një gjë, duhet t’i rikujtoj, pikërisht në periudhën kur nuk na votuan, në vitin 1991, në prag të zgjedhjeve të dyta u bë një poll nga agjencia më prestigjioze në botë, Gallupi.
Si doli? Doli se PD ishte 25 pikë pas PS. Pse ua thashë këtë? Se këto janë pollet e frikës.
Gallupi nuk mbushi formularë, por njerëzit nga frika u përgjigjën në atë mënyrë. Kjo është historia e Edi Ramës sot.
Ju garantoj se në momentin e parë që do e vëmë para atë, do dalë në dritë mbështetja masive që ekziston për PD-në.
Por ne duhet të faktojmë se po e vëmë para. Në fakt, ne i kemi dhënë dhe i japim tonin jetës politike.
Ne arritëm të asgjësojmë de facto parlamentin monist. Por arritje të kësaj natyre janë të domosdoshme në të gjithë aktivitetin.
Ky regjim është një kalbësirë që në mënyrë absolute nuk ka të ardhme dhe nuk mund të qëndrojë në këmbë në përballje me një opozitë të vendosur gjer në fitoren përfundimtare”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Do ta ndjekim me të gjithë mekanizmat tonë shkeljen e autonomisë vendore nga Edi Rama

Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se, letra e përfaqësuesve të pushtetit vendor është …