Edhe me Berishën në gijotinë, plebejtë kurrë nuk do të bëjnë shtet!

Nga Pranvera SHEHAJ

SPAK apo SKAP? SPAK apo KAPS? Njëjtë sikur të pyesësh, rilindasit e kuq, apo të kuqtë e Rilindjes? Pak rëndësi ka, njëjtë mbeten të kuq. Po ashtu, njëjtë mbetet institucioni më flagrant i skemës që shpërfaq qartësisht Matt Palumbo në librin e tij „The man behind the curtain”: zhdukja e një kaste me pretendimin e të qenurit e korruptuar, për ta zëvendësuar me një tjetër kastë jo vetëm të korruptuar, por edhe të nënshtruar. I korruptuar, apo i korruptuar i nënshtruar? Shqiptar i korruptuar, apo vemje ambasade e nënshtruar që korruptohet me premtimin e pushtetit që me votë të bindshme kurrë nuk e arrijnë?

Të ndryshme janë vemjet aktuale në politikën shqiptare: vemje të reja që as me miliona euro, nuk zunë dot vend në politikë; vemje të shoqërisë civile që edhe në krah të ambasadorëve, sërish nuk i kanë këllqet të flasin për parti, por të mekur guxojnë deri tek të quajturit lëvizje; vemje që s’di pse krijimin e partisë në Shqipëri e kalojnë përmes udhëtimeve në SHBA; vemje brenda të djathtës që burracakërinë e pamundësisë për t’u bërë liderë, e shfrejnë tek teza e qarkullimit të elitave; vemjet në pushtet që po përdorin cdo mekanizëm për të zhvatur prona private; dhe në fund janë vemjet klasike, trashëgimtarët e etërve, që të dështuar në mjetet politike për asgjësimin e kundërshtarit politik, u dhemb zemra nga pluralizmi, dhe kapin përmes SPAK-ut të kapur kundërshtarin politik, duke asgjësuar opozitën shqiptare. Pak janë ata që kanë kuptuar skemën e zhdukjes së një elite për ta zëvendësuar me një tjetër, sepse pak lexojnë, pak kuptojnë, pak nuk hanë symbyllurazi cfarë u shtrohet në tryezë, pak janë ata që dyshojnë edhe rrobat e trupit të vet, pak kuptojnë përtej rrogës mujore të skamur ose të kamur. Masa e tillë është, e tillë ka qenë, e tillë do të mbetet.

Një ish-kryeministër, një ish-president, një-ish kryetar dhe kryetar opozite si Berisha, liderit të partisë më gjithëpërfshirëse të së djathtës në Shqipëri, partisë demokratike të tij në kuptimin më absolut të fjalës, sa e dorëzon deri e mposht heqja e imunitetit dhe hedhja në dhëmbët e SPAK-ut? Kë godet përtej Berishës dhe kë favorizon asgjësimi politik i Berishës kur është e sigurt gati si vdekja se partia e lindur si lajmëtar i pluralizmit në Shqipëri, asgjësohet me Berishën. SPAK ishte aty, edhe kur në krye të aksionit opozitar të demokratëve ishte kasta e deputetëve të rinj, filizave perëndimore.

Përse tani, pas plot një dekade largim nga pushteti? Së pari, sepse Rama e ka të mbyllur cdo derë shitblerjeje me partinë demokratike të udhëhequr nga Berisha. Rama gjen kuaj troje sa të dëshirojë brenda demokratëve, por duke mos patur asnjë mekanizëm pushteti opozitar në dorë, kuajt e Trojës, të shumtë aktualisht në PD, nuk hyjnë në punë, por vazhdojnë të mbajnë ison herë si kritikë të Berishës, herë si përcarës të brendshëm, herë në krah të Berishës me shpresën se do u hiqet qafe vetvetiu. Së dyti, mekanizmi është i tillë: për të zhdukur elitën aktuale shqiptare, e trashëguar që prej viteve 90‘ djathtas, dhe për ta zëvendësuar me një të djathtë të kamufluar, – që në fakt shërben vetëm si kamuflazh i një sistemi të paktën bipolar, por që në ideologji dhe komandë epërore është uniformësisht e majtë, – duhet të zhduken të pabindurit, cikli i të cilëve është i përfunduar.

Së treti, pa emër në fletë votimi, pa komisionerë, pa vëzhgues, i paregjistruar në KQZ, të marrësh 500 mijë vota në një kohë kur hija e zezë e demokratëve të tradhëtuar rrinte si qyqe mbi besimin e demokratëve tek partia e tyre, është e tepërt, është e frikshme, është anti-sistem, është anti-kontroll, është anti-projekt. Së katërti, qeveria e përbashkët me kocka të hedhura të djathtëve nuk ishte vite dritë larg dinjitetit politik të Berishës dhe marrëdhënies që ai ka patur historikisht me demokratët. Së pesti, gjithcka pret: milionat e eurove qe vazhdojnë ikin në drejtim të paditur nga inceneratorët presin, Butrinti pret, fëmijët e vrarë të landfill-eve presin, pronat e jugut qe po u shqyhen pronarëve me gjykata të stilit SKAP presin, drejtorët e burgjeve presin, drejtorët e policive narkotrafikantë presin, tenderat e vjedhur të rrugëve që po shuajnë cdo ditë shqiptarë presin, tenderat e BE-së që i përpijnë ministret presin, mbyllja e dyerve nga BE pret, gjithcka ne tryezën e SKAP pret. I vetmi aksion që nuk pret është asgjësimi i të pabindurit, malësorit të pagdhendur, zhdukja gjithëdimensionale e Berishës. Zgjedhjet po vijnë, copëtimi i opozitës nuk mjaftoi sepse 500 mijë vota një emri pa asnjë mekanizëm zgjedhor, është e frikshme.

Një njeri që nuk bën pazare me moralin personal, me interesin publik, me besimin e deleguar, nuk është në linjë me sistemin. Berisha, lideri që në gjithë vitet e udhëheqjes së Shqipërisë nga e djathta, firmosi arritjet më absolute të Shqipërisë demokratike në integrimin drejt BE dhe arenën ndërkombëtare: prej marrëveshjes së stabilizim asocimit, hyrja e Shqipërisë në NATO, lëvizja e lirë në zonën Shengen, etj., për të mos folur për reformat ekonomike dhe taksën e sheshtë që cuan në dyfishimin e të ardhurave, rrogave dhe pensioneve, trefishimin e eksporteve dhe investimeve te huaja. Ky lider nuk i duhet plebejve.

Nën cilin pushtet kryqëzohet një ish-kryeministër për një ligj për ish-pronarët të miratur 20 vite më parë, me të cilin me votë të lirë fitoi zgjedhjet në vitin 2005? Nën cilin pushtet, gjyqësori nënshtron parlamentin? Nën cilin pushtet roli i opozitës caktohet nga mazhoranca? Nën cilin pushtet ministra të përfolur masivisht për trafik ndërkombëtar dhe vrasje iniciojnë asgjësimin e Berishës? Nën cilin pushtet, shantazhohet përmes korrupsionit transnacional lideri i opozitës? Nën cilin pushtet përdoret gjyqësori për të asgjësuar të vetmin politikan që guxon të përmendë me emër dhe mbiemër cdo bandë kriminale të përzier me pushtetin? Nën cilin pushtet, sulmohet me paterica ndërkombëtare, ai që ndërkombëtarët e quajtën: burrë shteti?

Gjithcka ndodh vetëm nën pushtetin e plebejve. Nën pushtetin e plebejve, ky vend ekzekutoi, arrestoi dhe internoi frimëtarët e Aktit të Pavarësisë. Nën pushtetin e plebejve, ky vend pushkatoi dhe arrestoi shumicën e kryeministrave të tij. Nën pushtetin e plebejve, ky vend kaloi në protektorat të manjatëve me ideologji psikopatike të ekstremit të majtë. Nën pushtetin e plebjeve, ky vend u zbraz, u shkretua, u mohua. Nën pushtetin e plebejve, cdo arritje e Berishës dhe demokratëve në rrugëtimin drejt BE, u ndal deri në pikën që si rrallë shtete të rajonit, bëri regres. Sepse edhe me Berishën në gijotinë, dështimet dhe arritjet e tij nuk i fshin dot historia.

Edhe me Berishën në gijotinë, plebejtë sërish, s’do dinë të udhëheqin, s’do dinë c’është shteti. Plebejtë, me apo pa Berishën në politikë, do të mbeten plebej. Plebejve, as gijotina e Berishës, nuk ua mëson dot c’është dinjiteti njerëzor, c’është nderi njerëzor e politik, c‘është vizioni, c’është fisnikëria. Edhe me Berishën në gijotinë, plebejtë, sërish do të njollosin historinë e kombit, si dikur, edhe sot, edhe nesër, kurrë nuk do të dinë të bëjnë shtet.

About Redaksia

Check Also

Po me shëndetin e demokracisë si i bëhet, zonja Ambasadë?

Nga Ilir LEVONJA Ambasada e Amerikës e nis deklaratën me një gjoja dhebshuri për një …