Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, nuk ka ndodhur kurrë që të kërkohet arrestimi i një deputeti pa paraqitur asnjë provë, fakt apo dokument. Berisha tha se, Edi Rama jeton në terror dhe frikë të madhe.
“Askush të mos mendojë se Edi Rama dhe regjimi i tij është i qetë. Përkundrazi, u them unë, ai jeton në terror dhe frikë të madhe.
Frika dhe vetëm frika bënë që ai të urdhërojë një zinxhir aktesh, veprimesh, të cilat as Lukashenko i Bjellorusisë nuk do mund t’i realizonte.
Gjatë këtyre dy-tre javëve u zhvillua një proces unik, i veçantë në Shqipëri, në të cilin Edi Rama urdhëroi institucionet e drejtësisë dhe parlamentin të kalojnë nga një shkelje e rëndë në një shkelje më të rëndë të Kushtetutës.
Për të realizuar aktin e sotëm, ai e realizonte pa asnjë lloj të themi, pengese të pakapërcyeshme sepse kudo kontrollin dhe shumicën.
Por përsëri atij nuk i duhej rruga legale, sepse rruga legale mund t’i mbetej e këputur në mes. Për garanci dhe siguri, atij i duhej që në një rast të parë dhe kurrë nuk ka ndodhur në 32 vite, që një deputeti t’i hiqet e drejta e lëvizjes jashtë shteti me një vendim gjykate, duke dhunuar nenin respektiv të Kushtetutës.
Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e parlamentit që kryetari i opozitës të mos pyetet ndonjëherë dhe të sajohet një piramidë mashtrimi dhe nuk pyetet për shkakun e vetëm sepse jo në një gjysmë ore, por në 20 minuta, rrafshon me dritën e të vërtetës atë piramidë.
Nuk ka ndodhur kurrë që të kërkohet heqja e imunitetit dhe arrestimi i një deputeti pa paraqitur në komision të parlamentit, në Komisionin e Mandateve, as edhe një provë, fakt apo dokument të vetëm. Thjesht vendimin e gjykatës, të Skapit dhe me radhë”, tha Berisha.
